Era e cigareve është një nga problemet e brendësisë së automjeteve dhe mund ta ulë ndjeshëm vlerën e tij gjatë shitjes.

Megjithatë, ekzistojnë metoda efektive me të cilat mund të hiqet era e nikotinës, por ato kërkojnë më shumë sesa thjesht zbrazjen e hirit dhe ajrosjen e makinës.


Meqenëse tymi i nikotinës depërton në të gjitha sipërfaqet – nga tapiceria dhe qilimat deri te tavani dhe pjesët plastike – zgjidhjet gjysmake nuk japin rezultate. Për heqjen e erës është i domosdoshëm pastrimi i plotë i kabinës. Kjo nënkupton pastrim të detajuar të ulëseve, qilimave dhe të gjitha sipërfaqeve plastike me mjete të specializuara që shpërbëjnë mbetjet e tymit.

Një hap kyç është edhe zëvendësimi i filtrit të kabinës, i njohur edhe si filtri i polenit, pasi edhe aty grumbullohen grimca që shkaktojnë erë të pakëndshme. Pas përfundimit të pastrimit, makina duhet të lihet të ajroset mirë për disa orë, në mënyrë që erërat të mos mbeten sërish.

Shumë njerëz pas pastrimit përdorin edhe truke të thjeshta shtëpiake për neutralizimin shtesë të erës. Ndër më të njohurat janë enët me kafe të bluar, oriz ose miell, të cilat lihen gjatë natës në veturë. Këto substanca thithin lagështinë dhe me të edhe një pjesë të erërave të mbetura.

Shpesh përdoret edhe uthulla ose mollët e prera, të cilat veprojnë si neutralizues natyral dhe mund të freskojnë përkohësisht ajrin. Efekt të ngjashëm ka edhe përzierja e sodës së bukës me limon. Megjithatë, duhet pasur parasysh se këto metoda zakonisht vetëm e maskojnë ose e zbusin pak erën dhe në automjetet ku është pirë gjatë dhe intensivisht, zakonisht nuk janë të mjaftueshme.

Nëse era e tymit është grumbulluar me vite dhe është shumë e fortë, zgjidhja më efektive është pastrimi profesional. Metoda më e njohur është trajtimi me ozon. Gjatë këtij procesi, brendësia e automjetit mbyllet hermetikisht dhe mbushet me gaz ozon, i cili depërton thellë në të gjitha materialet dhe neutralizon grimcat e erës në nivel molekular.

Pas trajtimit, ozoni shpërbëhet natyrshëm në oksigjen dhe brendësia mbetet dukshëm më e freskët. Çmimi i këtij trajtimi, në varësi të servisit, ndryshon nga 60 deri në 150 euro. Si alternativë ekzistojnë edhe procese që përdorin mikroorganizma të veçantë për shpërbërjen e burimit të erës.

Era e vazhdueshme e nikotinës nuk është vetëm e pakëndshme për shoferin dhe pasagjerët, por mund ta ulë ndjeshëm edhe vlerën e automobilit.

Shumë blerës potencialë heqin dorë nga blerja pikërisht për shkak të brendësisë së tymosur. Prandaj, investimi në pastrim të plotë jo vetëm që siguron një udhëtim më të këndshëm, por edhe rrit shanset për një çmim më të mirë shitjeje. /Telegrafi/