LAJMI I FUNDIT:

​Haxhiu: Vrasësit e Liridonës duhet të marrin dënimin e merituar

​Haxhiu: Vrasësit e Liridonës duhet të marrin dënimin e merituar
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Vrasësit e Liridona Ademajt duhet të marrin dënimin e merituar nga institucionet e drejtësisë, tha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Kështu u shpreh ajo në konferencën “Preferencat Gjinore dhe Aborti Selektiv – Diskriminimi gjinor dhe praktika të dëmshme ndaj vajzave”.


Ne kuadër të fushatës globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës mbi baza gjinore”, Haxhiu shtoi se gjatë këtyre ditëve kanë organizuar aktivitete të shumta, sepse siç tha ajo, janë të shqetësuar me dhunën.

Ajo përmendi vrasjen e Liridona Ademajt, ku në mesin e tre të dyshuarve është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

“Një rast i cili duhet të marrë dënimin e merituar nga institucionet tona të drejtësisë. Rasti qe ndodhi para pak ditësh është dëshmi se kemi ende shumë punë për të bërë. Të gjitha institucionet duhet të jenë në krye të detyrës. Askush në Republikën e Kosovës nuk ka të drejtë të cenojë dinjitetin e askujt”, u shpreh ajo.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia theksoi se është çnjerëzore detyrimi i heqjes së fëmijës femër.

“Betejat e këtij rangu kërkojnë qëndrime dhe veprime. Sipas të dhënave të vitit 2022, janë raportuar 1070 aborte, shifër kjo qe mund të jetë shumë më e lartë”, shtoi ai.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci theksoi se aborti selektiv ndikon në aspektin emocional dhe psikik të nënave.

“Ky fenomen prek më shumë vajzat, fatkeqësisht edhe Kosova është një nga vendet”, shtoi Nagavci.

Udhëheqësja e Zyrës së UNFPA-s, Visare Mujko Nimani tha se ndër vite ka pasur më shumë lindje të djemve se vajzave./kp/