LAJMI I FUNDIT:

Haxhiu: Aktgjykimi i Kushtetueses për Ligjin e Dialogut është i drejtë, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet

Haxhiu: Aktgjykimi i Kushtetueses për Ligjin e Dialogut është i drejtë, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se LVV e konsideron të drejtë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese e cila ka vlerësuar se është pranuar kërkesa e bërë nga deputetët e opozitës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes për Ligjin për Dialogun.

Haxhiu në një konferencë për media theksoi se LVV ka kundërshtuar edhe mënyrën se si ka shkuar procesi i dialogut.

“Ne e kemi kundërshtuar preisdentin Thaçi që ka marrë përsipër në mënyrë jo kushtetuese, çështjen e dialogut me Serbinë, dhe në anën tjetër kemi kundërshtuar mënyrën se si ka shkuar ky proces. Ne kemi pasur qëndrimin që së pari është dashur të bëhet bilanci i 33 marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, dhe pastaj të bëhet një listë e kërkesave për Serbinë, duke filluar nga njohja, dëmshpërblimi i krimeve, gjetja e të pagjeturve etj”, ka thënë ajo, transmeton Telegrafi.

Kushtetuesja aprovon kërkesën e LDK-së dhe VV-së: Ekipi negociator është antikushtetues
Lexo po ashtu Kushtetuesja aprovon kërkesën e LDK-së dhe VV-së: Ekipi negociator është antikushtetues

Ajo ka theksuar se zgjidhja e vetme tani janë zgjedhjet.

“Në këto rrethana kur kemi një president që në mënyrë jo kushtetuese ka udhëhequr dialogun me Serbinë, kur kemi një kryeministër i cili për të ruajtur karrigen e tij dhe për t’i kënaqur apetitet e sëmura të presidentit Thaçi, refuzoj të marr përsipër kompetencat e tij kushtetuese në raport me dialogun, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet, dhe dhënia e përgjegjësisë nga këta njerëz që i kanë shkaktuar shumë dëme vendit”, është shprehur ajo.

Ndër të tjera ajo ka thënë se janë duke mbledhur nënshkrimet për rrëzim të qeverisë, dhe se do të duhej që mocionin ta dërgonin tani në Kuvend.

“Ne tani presim zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ne jemi duke u angazhuar për mbledhjen e nënshkrimve për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Nuk kemi asnjë aryse të presim tutje, LVV është që tani për dorëzimin e mocionit për rrëzimin e Qeverisë. Nuk e kuptoj pse po presim, sepse deri sa t’i kemi 61 nënshkrime vetëm po humbim kohë”, ka theksuar ajo.

Ndryshe sot Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se kërkesa e bërë nga deputetë është pranuar, dhe se delegacioni shtetëror i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk i është paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit. /Telegrafi/