LAJMI I FUNDIT:

Hasani: Interesimi i gjermanëve për të investuar në Kosovë është rritur

Hasani: Interesimi i gjermanëve për të investuar në Kosovë është rritur

Në Kosovë ka investitorë gjermanë, por nuk ka investime nga kompani të mëdha sikur që ka në rajon.

Këtë e pranon në një prononcim për Radio Kosovën edhe drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani, e cila megjithatë shprehet se vendi tani është mjaft atraktiv për investitorët gjermanë, posaçërisht në sektorin e shërbimit të klientëve, Call Center.


Gjermania figuron si njëra ndër investitorët më të mëdhenj në Kosovë, mirëpo nuk është realizuar ndonjë investim siç ka ndodh në vendet e rajonit. Drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani, pranon se në Kosovë nuk ka investitorë gjigant nga Gjermania.

“Ne si Odë Ekonomike Kosovare Gjermane përcjellim investitorët gjermanë të cilët vijnë në Kosovë, edhe mund të them që ka investitorë gjermanë në Kosovë, mirëpo nuk janë investitorë të mëdhenj ose gjigant siç e quajtët ju, siç ka në shtetet fqinje”, tha ajo.

Gjatë viteve të fundit janë vërejtur investime të mëdha të firmave gjermane në rajon, posaçërisht në Serbi ku investimet qindra milionëshe kanë qenë kryesisht në prodhim, duke krijuar mijëra vende të reja pune.

Liderët shtetërorë, posaçërisht ish-kryeministri, Isa Mustafa, gjatë mandatit të tij ka deklaruar fokusimin e tij kryesisht për investime nga Gjermania, me ç’rast këtë ia pat shprehur edhe kancelares Merkel. Por, rezultate kualitative në këtë aspekt, nëse krahasohet konkurrenca ndërshtetërore, nuk ka pasur.

E drejtoresha Nora Hasani thotë se interesimi i gjermanëve tani është rritur. “Kosova është vend mjaft atraktiv dhe ka interesim shumë më të shtuar nga ndërmarrjet gjermane për të investuar këtu. Ne kemi pasur disa raste shumë të suksesshme që përmes Odës kanë ardhur dhe kanë hapur këtu biznese, qoftë e kanë zhvendosë një pjesë të prodhimit këtu për shkak të fuqisë së lirë punëtore që e kemi”, tha Hasani.

Ajo potencon sektorin e shërbimit të klientëve, që për kompanitë gjermane, vendi ynë duket mjaft atraktiv.

“Ka interesim prej firmave të mëdha gjermane që këtë pjesën e shërbimit të klientëve që quhet Call Center ta zhvendosin në Kosovë, për shkak se në krahasim me vendet e rajonit ne sjellim përparësinë që flasim bukur gjuhë të huaja veçanërisht gjuhën gjermane pa akcent”.

Ndërkohë, kohën e fundit është kryeministri Ramush Haradinaj, i cili është duke i ftuar investitorët gjermanë në Kosovë. Ai në disa raste ka shprehur besimin se Kampi Inovativ Kosovaro-Gjerman që do të hapet në Prizren, do të jetë tërheqës për kompanitë gjermane.

Megjithatë, sipas drejtoreshës së Odës gjermane, ajo çfarë kërkojnë investitorët potencialë gjermanë, është zbatim i kontratave, përkatësisht siguri ligjore, furnizim stabil me energji elektrike, si dhe procedura jo-burokratike në marrjen e lejeve, qoftë për ndërtim, ose licencave të ndryshme. /Telegrafi/