LAJMI I FUNDIT:

HARRAQJA

HARRAQJA

Nga: Monica Lavin
Përktheu: Bajram Karabolli

Po përpiqej të hapte derën. Pa numrin e banesës, nëse ishte i duhuri. I kishte ndodhur shumë herë t’i drejtohej një shtëpie të gabuar ose të shkonte në takim një ditë më vonë nga ç’duhej.

Buzëqeshi duke kujtuar gafat e mendjes së saj. Kur ishte e vogël, harronte bluzën në bankën e shkollës, pastaj, më e rritur, harronte gjyzlykët, emrat e mësuesve, ditëlindjen e të fejuarit. Harresa e saj qe rritur bashkë me të.

Një ditë qe kthyer në shtëpi me autobus. I shoqi, i habitur, e kishte pyetur se ku e kishte makinën. E kishte harruar te stacioni përballë punës. Qe munduar disa herë, duke u rrekur të hapte derën e makinës, për të hipur në të, por nuk ia kishte dalë dot. Makina qenkësh e huaj dhe i zoti i saj e kishte parë me habi.

Askush nuk po ia hapte derën e shtëpisë. U përkul dhe afroi kokën për të parë nga qelqi i dritares.

Përmes grilave gjysmë të mbyllura pa vetëm mbulesën e pluhurit mbi dysheme.

U bë natë. Kambanat e kishës, nga larg, e sollën në vete: kishte harruar se ishte e vdekur.