LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Ushtria e Kosovës nuk do të jetë kërcënim për askënd

Haradinaj: Ushtria e Kosovës nuk do të jetë kërcënim për askënd

Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Çështje të Sigurisë dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Daut Haradinaj, tha se “ushtrinë nuk po e bëjmë për ta kërcënuar Serbinë dhe askënd tjetër, por është një domosdoshmëri për t’i ndihmuar edhe partnerëve tanë të NATO-s në misione paqeruajtëse”.

“Kuvendi duhet nesër të nxjerrë rekomandime për t’i dhënë FSK-së atribute ushtarake, për të krijuar një ligj që i mundëson vendit t’i ketë forcat e veta edhe për mbrojtjen dhe ruajtjen e integritetit territorial të shtetit”, tha Haradinaj për RTK-në.


Haradinaj theksoi se vendi nuk mund të humbë kohë më shumë sepse sipas tij tashmë Qeveria dhe Kuvendi, kanë marrë sinjale të qarta nga sekretari amerikan i Mbrojtjes dhe shefi i NATO-s.

“Ushtrinë nuk po e bëjmë për ta kërcënuar Serbinë dhe askënd tjetër, por është një domosdoshmëri për t’i ndihmuar edhe partnerëve tanë të NATO-s në misione paqeruajtëse”, tha Haradinaj duke nënvizuar faktin se ushtria assesi nuk paraqet kërcënim për jetën e serbëve në Kosovë.

Deputeti nga AAK, Daut Haradinaj tha se krijimi i Ushtrisë së Kosovës është kapitulli i fundit. Ai tha se nuk ka dilema për krijimin e ushtrisë së Kosovës nga ana e deputeteve, përveç deputetëve të Listës Serbe.

“Kosova s’mund të mbahet pengë për krijimin e ushtrisë nga Lista Serbe”, tha ai duke shtuar se Forcat e Armatosura të Kosovës do të mbesin me të njëjtin emër, përveç se do të ndryshoj misioni që do të jetë forcë ushtarake. “Emri do të mbetet FSK, por do të ndërrojë misioni nga civil në ai ushtarak. Fitues do të jenë të gjithë dhe në këtë çështje nuk do të ketë humbës”.

Ai foli edhe për ndërtimin e murit ilegal në Mitrovicë, i cili u rrëzua një ditë më parë. Haradinaj tha se Kosova duhet të funksionojë si shtet, dhe aplikojë Kushtetutën, edhe në rastin e murit.

“Nëse ka veprime të tilla të paramilitarëve serb brenda territorit të Kosovës, institucionet e sigurisë duhet të intervenojnë menjëherë. Fatkeqësisht ndikimi i Serbisë në veri është rritur dhe Serbia po i materializon serbët në atë pjesë”, tha ai.

Ndërkaq, shfaqi mendimin se dialogu Kosovë-Serbi duhet të ndërpritet.

”Duhet të kërkohet implementimi i marrëveshje dhe për çështjen e dialogut duhet të ketë unitetit brenda Kosovës”.

Haradinaj foli edhe për çështjen e shkëmbimit të territoreve, duke thënë se nuk përkrah një ide të tillë.

“Nëse dikush hynë në ndarje të territoreve, atëherë do të ketë Shqipëri natyrale. Kosova Lindore pa shkëmbim të territoreve duhet t’i bashkohet Kosovës”, tha ai.

Kryetari i komisionit parlamentar për Punë të Brendshme dhe Çështje të Sigurisë dhe Mbikëqyrje të FSK-së duke e komentuar punën e komisionit për matje të territorit tha se kjo është një nismë pa asnjë rezultat.