Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Francë. Në kuadër të kësaj vizite, ai ka zhvilluar edhe një takim me ministrin e Punëve të Brendshme të Francës, Christophe Castaner, me ç'rast edhe kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëpunim të specializuar policor.

Kryeministri Haradinaj, përmes një shkrimi të bërë në llogarinë e tij zyrtare në Facebook ka shkruar se në takim me ministrin francez, ka kërkuar mbështetjen e Francës në procesin e liberalizimit të vizave, si një hap tejet të rëndësishëm për vendin, transmeton Telegrafi.


Gjithashtu, ai e ka njoftuar ministrin Castaner për të arriturat e Kosovës si dhe për përkushtimin e Qeverisë në forcimin e rendit dhe ligjit.

Shkrimi i plotë:"Me ministrin Castaner për përkrahjen franceze për lëvizje të lirë dhe nënshkrim të marrëveshjes për bashkëpunim të specializuar policor! Në takim me ministrin e Brendshëm të Francës, Christophe Castaner, kërkova mbështetjen e Francës në procesin e liberalizimit të vizave, si një hap tejet të rëndësishëm për vendin. Në këtë frymë, bashkë nënshkruam edhe letrën e qëllimit të mirë, për të luftuar krimin e organizuar, terrorizmin dhe migrimin ilegal. Theksova se Kosova është palë serioze për partneritet dhe se me lëvizjen e lirë, vendet europiane fitojnë mundësi më shumë. Ministrin Castaner e njoftova edhe për të arriturat në vendin tonë, përkushtimin e Qeverisë në forcimin e rendit dhe ligjit, luftimin e terrorizmit, dhe synimin e Kosovës për t’u integruar në BE dhe në NATO.

Falënderova ministrin Castaner për ndihmën e vazhdueshme që Franca i ka dhënë vendit tonë në të gjitha periudhat e shtetndërtimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike dhe në këtë fazë të rëndësishme të konsolidimit ndërkombëtar të vendit, partneriteti i shtetit mik vazhdon të jetë i nevojshëm. Kosova i plotëson kushtet dhe Franca është partneri kryesor drejt përgjigjes finale për lëvizje të lirë". /Telegrafi/

65391644 1240653392725739 85369007653257216 o 1

65785643 1240651206059291 5286210834127650816 o

65993500 1240654879392257 1300960274156617728 o 1