LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj arsyeton shpenzimet e mbi 6 milionë eurove të Fondit Rezervë

Haradinaj arsyeton shpenzimet e mbi 6 milionë eurove të Fondit Rezervë
Foto: Arkiv

Qeveria në largim e Kosovës tashmë ka shpenzuar më shumë se 6 milionë euro nga Fondi Rezervë i buxhetit për këtë vit.

Ky Fond, sipas Ligjit për Buxhetin mund të shpenzohet vetëm në raste urgjente dhe të paparashikuara. Vlera më e madhe e shpenzimeve, sipas të dhënave të publikuara nga Qeveria, përfshin çështje të cilat nuk kanë të bëjnë me destinimin e këtij Fondi.


Fillimisht, 4.8 milionë euro ishte vlera e ndarë nga buxheti i Kosovë për rezerva shtetërore, por Ministria e Financave, në fund të muajit nëntor, vendosi që t’i bartë edhe 500 mijë euro në Fondin Rezervë. Këto mjete, më pas, sipas një vendimi të Qeverisë së Kosovës u ndanë në kuadër të ndihmave për Shqipërinë pas tërmetit që la pas më shumë se 50 viktima në njerëz, rreth 1 mijë të lënduar dhe dëme të mëdha materiale.

Ndërkaq 800 mijë euro tjera, mjete të buxhetit, në këtë fond janë bartur javën e kaluar, duke arritur kështu shpenzimet në mbi 6 milionë euro.

Fondi Rezervë i Kosovës mbetet pa asnjë cent
Lexo po ashtu Fondi Rezervë i Kosovës mbetet pa asnjë cent

Lidhur me këtë, ka reaguar kryeministri në largim Ramush Haradinaj, duke thënë se ky Fond është harxhuar sipas nevojave dhe në përputhje me Ligjin.

“Nga ky fond, janë ndarë mjete për t’i ndihmuar fermerët nga vërshimet, për t’i paguar orët shtesë të zjarrfikësve dhe situata të ngjashme, ku është dashur vendim i shpejtë dhe gjithmonë me miratimin e Qeverisë. Këtë vit, ky fond është shpenzuar pasi që është bërë ndarja e mjeteve për Shqipërinë, pas tërmetit me pasoja tragjike. Arsyeshmërinë, procedurat konform ligjeve të vendit dhe vendimet, i bënë gjithmonë Ministria e Financave dhe Qeveria e Kosovës”, shkruan Haradinaj në Facebook, përcjell Telegrafi.

Viti i vendimeve të "dorëlirit" Haradinaj (Video)
Lexo po ashtu Viti i vendimeve të "dorëlirit" Haradinaj (Video)

Shkrimi i plotë i Haradinajt

Fondi Rezervë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, është fond i cili mbulon shpenzimet që nuk kanë linjë buxhetore dhe të cilat nuk janë paraparë fillimisht në buxhetin vjetor financiar.

Rëndom, në këtë kategori, për një vit financiar ndahen rreth 5 milionë euro, derisa varësisht nga vijueshmëria dhe nevoja, ky fond rimbursohet, pas alokimeve buxhetore, të iniciuara nga Ministria e Financave dhe të aprovuara nga Qeveria.

Pothuajse në çdo vit, përfshirë këtu edhe vitet kur kanë qeverisur të tjerët, shuma totale e ndarjes qoftë fillestare, qoftë e mëvonshme, kalon mbi 7 milionë euro.

Nga ky Fond, janë ndarë mjete për t’i ndihmuar fermerët nga vërshimet, për t’i paguar orët shtesë të zjarrfikësve dhe situata të ngjashme, ku është dashur vendim i shpejtë dhe gjithmonë me miratimin e Qeverisë.

Këtë vit, ky Fond është shpenzuar pasi që është bërë ndarja e mjeteve për Shqipërinë, pas tërmetit me pasoja tragjike.

Arsyeshmërinë, procedurat konform ligjeve të vendit dhe vendimet, i bënë gjithmonë Ministria e Financave dhe Qeveria e Kosovës.

Çdo alokim dhe përcaktim është bërë me arsyeshmërinë më të lartë, sipas nevojave dhe në përputhje me Ligjin. /Telegrafi/