Hamza viziton familjen Prekazi: Rritja e çmimeve po rëndon jetën e qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka vizituar familjen Prekazi në Prishtinë, ku është diskutuar për sfidat ekonomike me të cilat po përballen familjet kosovare si pasojë e rritjes së vazhdueshme të çmimeve dhe kostos së jetesës.
Gjatë vizitës, Hamza theksoi se standardi i jetesës është përkeqësuar ndjeshëm, duke u referuar edhe të dhënave të fundit statistikore për inflacionin.
“Është shumë shqetësuese rritja e çmimeve. Inflacioni vetëm në muajin mars ka arritur në 6.7% krahasuar me vitin paraprak. Kur e shohim në periudhë më të gjatë, shumë produkte janë shtrenjtuar 50, 60 deri në 100 për qind. Ndërkohë, të ardhurat nuk kanë arritur ta përcjellin këtë rritje, duke e bërë jetën më të vështirë për qytetarët”, u shpreh Hamza.
Kryefamiljari Afrim Prekazi tha se familja e tij po përballet me rritje të madhe të shpenzimeve, duke përfshirë energjinë elektrike, ujin dhe shërbimet bazë.
“Janë rritur për 100% nxemja, rryma, uji dhe shumë shpenzime të tjera. Për një familje me një të punësuar, këto janë të papërballueshme. Unë dal në pension pas tre muajsh, ndërsa gruaja pas një viti, dhe brenga jonë më e madhe është si do ta përballojmë këtë situatë me pensionet dhe koston e jetesës”, u shpreh ai.
Edhe Valbona Shala Prekazi ngriti shqetësime për përballimin e shpenzimeve ditore, duke theksuar se rritja e çmimeve po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të familjeve.
“Ne që merremi me mirëmbajtjen e shtëpisë e ndjejmë drejtpërdrejt rritjen e çmimeve. Pagat me rritje minimale nuk e përballojnë jetën e përditshme”, tha ajo.
Hamza theksoi se rritja e çmimeve të energjisë dhe karburanteve ka ndikim zinxhir në gjithë ekonominë, duke shtuar se qytetarët po detyrohen të marrin kredi për të mbuluar shpenzimet mujore.
“Kur shtrenjtohet energjia dhe nafta, rriten të gjitha çmimet e tjera. Fatkeqësisht, edhe kur bie çmimi i naftës, çmimet nuk ulen. Familjet po bartin barrën kryesore të kësaj krize dhe kanë nevojë për politika mbështetëse”, u shpreh ai.
Në fund, Hamza tha se përmirësimi i situatës mund të arrihet përmes politikave të duhura dhe angazhimit institucional, ndërsa familja Prekazi theksoi nevojën për vendime më të drejta dhe efikase në vend. /Telegrafi/




















































