Hajrizi: Peja ka potencial ta fitojë titullin

Peja stinorin vjeshtor e ka mbyllur në pozitën e dytë më 27 pikë të tubuara, aq sa ka edhe lideri i tabelës, Sigal Prishtina.
Pejanët kanë shkëlqyer edhe në Ligën Ballkanike, duke e mbyllur pjesën e parë të garave në krye të tabelës më 10 pikë të tubuara.
Basketbollisti mitrovicas në një intervistë për KosovaPress, mendon se skuadra e tij ka pasur një gjysmësezoni mjaft të mirë si në ETC Superliga e po ashtu edhe në Ligën Ballkanike.
“Jam shumë i kënaqur me pjesën e parë të kampionatit. Kemi luajtur si ekip dhe kemi treguar paraqitje mjaft të mira”, ka thënë Hajrizi.
“Defenitivisht kemi ekip shumë të mirë. Nuk kam informacione se si do të jetë në vazhdim ekipi, a do të ketë ndryshime apo jo. Jam duke e shikuar me vëmendje lëvizjet ekipeve tjera dhe shpresoj se pjesa e dytë e garave, do të sjell basketboll edhe më cilësor”, tha ai.
Ish basketbollist i Trepçës, ka folur edhe për objektivat e Pejës. Sipas tij, pejanët synojnë titullin e kampionit si dhe paraqitje sa më të mirë në Ligën Ballkanike.
“Ambiciet e Pejës janë titulli i kampionit si dhe të jemi sa më të mirë në Ligën Ballkanike. Ne në shumë ndeshje të stinorit vjeshtor, kemi zhvilluar lojëra shumë të mira dhe shpresoj se do të vazhdojmë më ketë formë edhe në pjesën e dytë të garave”, ka theksuar Hajrizi. /KP/Telegrafi/



















































