LAJMI I FUNDIT:

​Hajdari: Kemi nisur reforma serioze për tërheqjen e investimeve të huaja

​Hajdari: Kemi nisur reforma serioze për tërheqjen e investimeve të huaja

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se për të krijuar mjedis më të mirë dhe më të sigurtë për tërheqjen e investimeve të huaja, kanë nisur reforma serioze strukturore.

Këtu ajo ka përmendur reformat në drejtësi me legjislacion të mirë, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, reformat në administratën publike dhe reformat për përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes dhe zhvillimin e konkurrencës në sektorin privat.

Këto deklarata Hajdari i ka bërë pas përfundimit të Forumit Ekonomik Kosovë-Austri, të mbajtur në Prishtinë me temën “Klima ekonomike dhe e investimeve në Kosovë”.

“Në këtë Forum Ekonomik theksova se Qeveria Kurti me parimet e qeverisjes së mirë, me politikat dhe legjislacionet e reja për përkrahjen dhe mbrojtjen e investimeve, me potencialet konkurruese ‘nearshoring’ dhe me bashkëpunimin e afërt dhe transparent, ka rritur besimin për të investuar në Republikën e Kosovës”, ka shkruar ajo në Facebook.

“Gjithashtu, me kënaqësi sjella në pah përparësitë konkurruese për investime ” nearshoring” , fleksibilitetin që ju ofron Kosova kompanive austriake, gjatë operimit të tyre në të njëjtën zonë kohore, por me kosto më të ulët operacionale”.

Tutje, ajo ka thënë se “infrastruktura e zhvilluar rrugore dhe dixhitale dhe afërsia me portin e Durrësit, janë mundësi për rritjen e mundësive tregtare dhe investimeve, rinia kreative e shumëgjuhëshe dhe me aftësi të mira dixhitale, tatimet e ulëta dhe valuta Euro janë përparësi për të ulur kostot e transaksioneve dhe rreziqet e kursit të këmbimit dhe faktorë ideal që afrojnë investitorët austriakë dhe ndërkombëtarë për të investuar në vendin tonë”.

“Republika e Kosovës është përherë falënderuese ndaj Republikës së Austrisë dhe zotohemi për bashkëpunimin e ngushtë bilateral në aspektin politik dhe ekonomik, në të mirën e dy vendeve të renditura së bashku, për paqe e prosperitet dhe të ardhme të ndritur për qytetarët tanë”./Telegrafi/