LAJMI I FUNDIT:

Grupi i PD-së skenar për të rikthyer reformat në pikën zero

Grupi i PD-së skenar për të rikthyer reformat në pikën zero

Thirrja për dialog të nivelit të lartë politik që të mbyllen dy prej çështjeve më të debatueshme përmes “lojës” me ftesa të hapura dhe qëndrimi që duhet të mbajë PD-ja pas acarimit të raporteve, kanë qenë pjesë e diskutimit në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së. Grupi parlamentar demokrat ka përcaktuar 10 deputetët që do të mbrojnë dy iniciativat ligjore në seancën kuvendore që lidhen me dekriminalizimin dhe komisionet hetimore parlamentare dhe, në rast se mazhoranca i refuzon, opozita do të largohet nga kuvendi për t’u rikthyer vetëm për votim.

Kërkesat


Grupi i PD-së, ndër të paktat herë, dje, ka përkrahur unanimisht kërkesën e shtruar prej disa deputetëve që të “kthejë sytë” sërish nga europarlamentarët Eduart Kukan dhe Knut Fleckenstein. E ndërsa janë ezauruar të gjitha hapësirat politike dhe proceduriale që tre kushtet e opozitës të plotësohen, duket se demokratët do të rikthehen te Eduart Kukan dhe Knut Fleckenstein për monitorimin e zbatimit ë marrtëveshjes së dhjetorit 2014 të ndërmjetësuar prej tyre. Pas fjalës së Bashës ka ardhur propozimi i nënkryetarëve Edmond Spaho dhe Edi Paloka, të cilët i kanë kërkuar Grupit që të japin mendimet e tyre në lidhje me ndërprerjen e bisedimeve me pozitën me pretekstin e ezaurimit të të gjitha rrugëve dhe përballjen edhe njëherë me dy europarlamentarët. Paloka ka renditur betejat e opozitës në Parlament duke thënë se nga ato varet ngushtë edhe fati i funksionimit të Parlamentit. Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani ka ironizuar duke thënë se “maxhoranca ka disa pikëpyetje për reformat dhe prandaj bën kthesa të papritura që shoqërohen me pikëpyetje të tjera”.

Pas ironisë së Ristanit, ka marrë fjalën sërish kreu demokrat duke përsëritur kushtet që e kthejnë marrëdhënien e opozitës me parlamentin në normalitet, por edhe e bëjnë atë të ulet në tryezën e reformës në drejtësi. Edhe pse gjendet përballë faktit, ku i janë rrëzuar dy nga 3 kushtet themelore që përcaktojnë sjelljen e saj me kuvendin, Basha ka kërkuar nga demokratët që në seancën kuvendore të së enjtes të bëjnë çdo përpjekje për të bindur mazhorancën t’i pranojë ato. Por pas kësaj, Basha i është rikthyer idesë që hodhën në fillim të mbledhjes me dyer të mbyllura Paloka dhe Spaho, për të riparë marrëveshjen e bërë në dhjetor të vitit 2014 me eurodeputetët Kukan dhe Fleckenstein. “Tre janë problemet që kanë mbetur pezull për shkak të mungesës së vullnetit politik. Është dhunuar rendi kushtetues. Ka disa javë që shumica refuzon zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ka dy vjet që cenohet rendi kushtetues. Kërkojmë që eurodeputetët të monitorojnë marrëveshjen e bërë në dhjetor të vitit 2014”, është shprehur Basha.

Debatet në mbledhjen e grupit

Lulzim Basha: Nëse nuk do të ketë funksionim të parlamentit do të kërkojmë nga garantuesit dhe ndërmjetësuesit e marrëveshjes së 24 dhjetorit, monitorimin e kësaj marrëveshje dhe vendimet e tjera që do të marrim në këtë drejtim.

Edi Paloka: Kjo maxhorancë nuk ka ndërmend të zbatojë asnjë nga marrëveshjet e nënshkruara. Në prani të Kukan dhe Fleckenstein ramë dakord për dekriminalizimin. Çfarë ka bërë nga ajo kohë pozita? E ka zvarritur pa fund procesin. Duhet të njoftojmë eurodeputetët për situatën.

Lulzim Basha: Nuk do të heqim dorë as nesër (sot) në Kuvend nga tre kërkesat. Duhet të vijojmë të kushtëzojmë rikthimin në dialogun politik për reformën në drejtësi edhe pse duket se Rama para reformës në drejtësi ka zgjedhur të jetë avokat i krimit dhe korrupsionit. E nesërmja është një rast tjetër për t’i dhënë fund këtij dhunimi kaq të hapur, kaq flagrant të rendit kushtetues dhe për të rikthyer vendin në kushtet, të paktën formalisht, të kushtetueshmërisë dhe jo në kushtet e xhunglës.

Arben Ristani: Ne të gjithë e kemi parë se maxhoranca ka shfaqur shpesh pikëpyetje për reformat e nisura dhe prandaj bën kthesa të papritura që shoqërohen me pikëpyetje të tjera.

Lulzim Basha: Kjo mazhorancë nuk ka parime. Ndërsa ne mbështetemi pikërisht në parime: Deputetë të cilët janë në proces gjykimi për vepra të rënda penale siç janë tentativa për vrasje, plagosje në kushte të rënduara dhe në prani të armëmbajtjes pa leje nuk kanë vend në seancën plenare deri në përfundim të procesit gjyqësor. Është një parim, i cili nuk mund t’i kishte shkuar askujt ndër mend që do të ishte i nevojshëm që të futej në ligjin për dekriminalizimin, por ja që Edi Rama është në gjendje që të na ofrojë edhe çudira të tilla përmes presionit të drejtpërdrejtë që i bën gjyqësorit dhe Prokurorisë.

Edmond Spaho: Dy nga tre kushtet e opozitës u rrëzuan. Duhet të bëjmë të qartë qëndrimin tonë në Kuvend. Duhet të kemi një plan të qartë. Unë mendoj se duhet të vazhdojmë si në seancën e fundit. Pasi të ezaurojmë tre kushtet që i kemi vënë maxhorancës të bllokojmë seancën. Por në fillim duhet të caktojmë emrat e 10 deputetëve që do të flasin në Kuvend.

Lulzim Basha: Tre janë problemet që kanë mbetur pezull për shkak të mungesës së vullnetit politik. Është dhunuar rendi kushtetues. Ka disa javë që shumica refuzon zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ka dy vite që cenon rendin kushtetues. Kërkojmë që eurodeputetët të monitorojnë marrëveshjen e bërë në dhjetori të vitit 2014.

Kukan: Negociatat nuk hapen pa u kryer reforma në drejtësi

Eurodeputeti Eduard Kukan ka sqaruar se pa përmbylljen e reformës në drejtësi nuk do të ketë datë për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. “Hapi që duhet hedhur tani është marrëveshja midis palëve. Forcat nga jashtë nuk mund të bëjnë më shumë. Reforma e drejtësisë çon në hapjen e negociatave të anëtarësimit. Mos më pyesni, nëse në rast se kjo reformë fillon të zbatohet, atëherë a do të ketë Shqipëria një datë për hapjen e negociatave.

Ajo që mund t’ju them, është se është e qartë që pa këtë reformë, nuk është realiste të flitet për hapin e ardhshëm të integrimit evropian”, ka theksuar Kukan. Ndërsa në lidhje me ngërçin e palëve për reformën ai tha se është i habitur për qëndrimin e dy forcave politike. “Të dyja palët janë dakord për rëndësinë e aprovimit dhe zbatimit të reformës në drejtësi. Secila palë e sheh ndryshe këtë reformë. Ky është problemi, por besoj, se ata janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e reformës.

Tani që kemi rekomandimin e Komisionit të Venecias, që njohim qëndrimin e Komisionit Europian dhe SHBA-ve, nuk mbetet tjetër përveçse dakordësia. Nuk mund ta imagjinoj që kjo reformë të mos aprovohet dhe të mos zbatohet”, është shprehur europarlamentari. Më tej Kukan tha se do të prezantojë një amendamet të ri për rezolutën e integrimit europian të Shqipërisë lidhur me pritshmërinë e BE-së për zgjedhje parlamentare të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Për eurodeputetin, raste si i ai deputetit Armando Prenga janë të papranueshme për BE-në dhe nuk duhen të përsëriten në zgjedhjet e ardhshme.

“Rezoluta për Shqipërinë ka për qëllim inkurajimin e palëve për të vazhduar përgatitjen për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Jam i kënaqur me përmbajtjen e rezolutës dhe besoj, se do ta aprovohet ne seancën plenare javën e ardhshme pa ndryshime”, tha Kukan. Më tej ai sqaroi se rezoluta për Shqipërinë do të diskutohet në 13 prill dhe do të votohet në 14 prill në seancë plenare të PE-së. “Unë do të prezantoj një amendament lidhur me paragrafin për reformën zgjedhore. Ky amendament do të përforcojë gjuhën e përdorur në rezolutë sipas të cilës, institucionet e Bashkimit Europian presin zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri, që të njihen nga të gjithë dhe që të konsolidojnë situatën e brendshme në Shqipëri”, ka saktësuar eurodeputeti Kukan. /Shekulli/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Uji depërtoi në shtëpitë e tyre - banorët e lagjes

Uji depërtoi në shtëpitë e tyre - banorët e lagjes "Prishtina e Re" tregojnë për pasojat pas reshjeve të shiut

Elfije Boletini
Zyrtarja tjetër e DASH-it në Kosovë, Hovenier: Në fokus çështjet kritike për marrëdhëniet tona

Zyrtarja tjetër e DASH-it në Kosovë, Hovenier: Në fokus çështjet kritike për marrëdhëniet tona

Lajme
Dy gra u martuan te Bashkia e Tiranës, Malaj: Kundër veprimeve që e tejkalojnë ligjin

Dy gra u martuan te Bashkia e Tiranës, Malaj: Kundër veprimeve që e tejkalojnë ligjin

Lajme
Aksident i rëndë trafiku në Prishtinë mes një veture dhe dy motoçikletave

Aksident i rëndë trafiku në Prishtinë mes një veture dhe dy motoçikletave

Kronika e Zezë
Martesa e dy vajzave në bashkinë e Tiranës, ligji shqiptar nuk lejon martesa të së njëjtës gjini, reagon Kisha Katolike

Martesa e dy vajzave në bashkinë e Tiranës, ligji shqiptar nuk lejon martesa të së njëjtës gjini, reagon Kisha Katolike

Lajme
Tre të lënduar nga aksidenti që ndodhi te

Tre të lënduar nga aksidenti që ndodhi te "kafet e vogla" në Prishtinë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori