LAJMI I FUNDIT:

Grubi: Ligjet që duhet të miratohen me dy të tretat do të përpilohen me opozitën

Grubi: Ligjet që duhet të miratohen me dy të tretat do të përpilohen me opozitën

Zv. kryeministri Artan Grubi njoftoi se në Qeveri është diskutuar për një praktikë të re të përpilimit të kornizave ligjore që duhet të miratohen më 2/3 e votave dhe e cila do të përfshijë në mënyrë aktive edhe opozitën. Kjo vjen pas vendimit të fundit të opozitës që të mos votojë konfirmimin e vendimeve për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në muajt mars-qershor nga presidenti Pendarovski.

“Te të gjitha ligjet sistemore reformuese të cilat duhet të miratohen me 2/3, opozita duhet të marrë pjesë në mënyrë konstruktive. Madje në mbledhjen e fundit të Qeverisë e ngritëm këtë çështje dhe kërkuam që të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë prej 2/3 paraprakisht të diskutohen me opozitën maqedonase dhe shqiptare dhe të bëhet një grup pune, të konsolidohet teksti që të jetë i pranueshëm për të gjitha palët dhe më pas ta procedojmë në Kuvend”, deklaroi Artan Grubi.


Grubi gjithashtu ka deklaruar se për të është e palogjikshme që kufiri me Kosovën dhe vendet e rajonit të jetë e mbyllur.

Ai thotë se askush në Qeveri nuk po e pengon hapjen e kufijve por se po shohin mundësin e hapjes së kufijve bashkërisht me të gjitha vendet e rajonit dhe se shpreson se dy mbledhjet e ardhshme të Qeverisë të sillet vendim për kufijtë.

“Nuk shoh arsye të logjikshme për t’i pasur kufijtë e mbyllur dhe kërkova që ta adresojmë këtë çështje, Zaev ishte afirmativ ndërsa u vendos që brenda kësaj javë ta shqyrtojmë mundësinë rreth hapjes së kufijve”, ka deklaruar Grubi./Telegrafi/