Një incident i pazakontë dhe tronditës është regjistruar në Redcar Racecourse në Mbretërinë e Bashkuar, ku një grua u godit me forcë nga një kalë gjatë një transmetimi televiziv drejtpërdrejt.

Viktima, 25-vjeçarja Chloe Briody, e cila punon si kryegroom për trajnerin Richard Fahey, po kryente kontrollin e pajisjeve të kalit (stirrupet) të një kali garash trevjeçar të quajtur Kameko Fever, kur kafsha papritur reagoi dhe e goditi me shkelm.


Goditja e fortë e hodhi gruan në ajër, ndërsa momenti u kap drejtpërdrejt nga kamerat televizive, duke shkaktuar reagime të shumta te shikuesit dhe në rrjetet sociale.

Pavarësisht pamjeve dramatike, fatmirësisht Briody ka shpëtuar vetëm me mavijosje dhe lëndime të lehta.

Ajo është duke u rikuperuar dhe, sipas trajnerit të saj Richard Fahey, “do të kthehet së shpejti në punë”.

Autoritetet dhe ekipi i garave nuk kanë raportuar ndonjë problem tjetër në lidhje me incidentin, ndërsa rasti shërben si kujtesë për rreziqet që shoqërojnë punën e stafit në sportin e garave me kuaj. /Telegrafi/