Gruaja që u fut fshehurazi në një anije për të raportuar mbi Ditën D


Në qershor të vitit 1944, gazetarja dhe shkrimtarja amerikane Martha Gellhorn, mashtroi oficerët në mënyrë që të mund të shkruante reportazhe të drejtpërdrejta nga Normandia. Në vitin 1991, ajo i tregoi BBC-së historinë e kësaj dredhie të guximshme.
Nga: Fiona Macdonald / BBC (titulli: 'I locked myself in a toilet until we were afloat': The woman who stowed away on a ship to report on D-Day)
Përkthimi: Telegrafi.com
“Gjithkush ishte jashtëzakonisht i zënë në atë breg të mbushur me njerëz, dhe të rrezikshëm,” shkruan Martha Gellhorn në një reportazh nga zbarkimet e Ditës D [D-Day] në qershor të vitit 1944. “Ecnim me kujdesin më të madh mes vijave të ngushta të shiritave të bardhë që shënonin rrugën e pastruar nga minat ... Pluhuri që ngrihej në dritën gri të natës, dukej si vetë mjegulla e luftës.”
Më pas, ajo kujton diçka që e bën edhe çastin më të zymtë paksa më njerëzor. “Dolëm mbi bar dhe ndoshta ishte befasie më e madhe ndër të gjitha befasitë e asaj dite - të ndjeje aromën e ëmbël të barit veror, aromën e bagëtive, të paqes dhe të diellit që kishte ngrohur tokën në një kohë tjetër, kur vera ishte ende e vërtetë.”
Është vëzhgim çuditërisht i ndjeshëm për zbarkimet aleate në plazhet e Normandisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke zbuluar cilësinë e veçantë të vëzhgimit që e dallonte shkrimin e Gellhornit. Dhuntia e saj ishte të përcillte si brutalitetin ashtu edhe humanitetin e luftës përmes rrëfimeve të gjalla, të përqendruara më shumë te detajet e jetës së përditshme sesa te lëvizjet e trupave apo logjistika ushtarake.
Lexo po ashtu:
- Zbarkimi që solli mposhtjen e Gjermanisë naziste
- Historia e spiunit që siguroi suksesin e zbarkimit në Normandi
- Vrasja e 1 300 marinarëve francezë nga Churchilli ishte e justifikuar - dhe një mësim për udhëheqësit e sotëm
- Meteorologu vendimtar për fitoren e Ditës-D
- Mashtrimi i madh britanik i Luftës së Dytë Botërore: Ushtria e madhe e cila nuk ekzistoi
- “Kam vrarë 500 rusë”: Snajperi i Luftës së Dytë Botërore i njohur si Vdekja e Bardhë
Gjatë një karriere që zgjati 60 vjet, gazetarja dhe shkrimtarja e lindur në Mizuri raportoi nga konfliktet si Lufta Civile në Spanjë, Lufta e Vietnamit, pushtimi i Çekosllovakisë dhe i Finlandës, si dhe çlirimi i kampit të përqendrimit Dahau. Ajo shkroi gjithashtu për revistën Vogue dhe për qeverinë amerikane raportoi mbi Depresionin e Madh duke udhëtuar në Stuhitë e Pluhurit [Dust Bowl] së bashku me fotografen Dorothea Lange.
Rrëfimi i saj i dorës së parë për Ditën D erdhi pas një akti të guximshëm që zbulon forcën e karakterit të saj. “U futa fshehurazi në një anije-spital,” i tha ajo BBC-së në vitin 1991, në moshën 82-vjeçare, gjatë një interviste të rrallë televizive. “Dikush në breg më pyeti ndoshta se çfarë po bëja, dhe unë i thashë: ‘Po hip në këtë anije vetëm për të intervistuar infermieret - një reportazh për gratë.’ Me këtë justifikim gjithmonë mund t’ia dilje. Dukej gjithmonë i padëmshëm dhe paksa i marrë, dhe funksiononte për mrekulli. Mjaftonte të deklaroje: ‘Po bëj këndvështrimin e grave’, dhe askujt nuk i interesonte më. Pastaj thjesht u mbylla në një tualet derisa anija ishte në lundrim.”
Kjo forcë karakteri bëri që Gellhorni të kishte edhe një jetë të jashtëzakonshme personale. Ajo u miqësua me familjen Roosevelt duke qëndruar si mysafire në Shtëpinë e Bardhë; siguroi strehim e mëngjes falas nga H. G. Wells; dhe, u martua me Ernest Hemingwayn, duke refuzuar me vendosmëri të jetonte nën hijen e famës së tij.
Në rivalitet me Hemingwayn
Dhe, gjatë gjithë kësaj kohe, ajo dokumentoi atë që ndodhte në kohët më të errëta, duke u bërë, sipas fjalëve të saj, “një magnetofon ambulant me sy” - duke vënë re detaje që të tjerëve mund t’u kishin shpëtuar në vapën e momentit dhe duke përshkruar fuqishëm se si lufta ndikon në jetën e njerëzve të zakonshëm.
Gellhorni kishte tre vjet që ishte e martuar me Hemingwayn kur vendosi të udhëtonte në Evropë në shtator të vitit 1943. Gjatë kohës që jetonin në fermën Lukaut në Kubë, ndërsa ai përpiqej pa sukses të gjente nëndetëse gjermane me anijen e tij të peshkimit, ajo po bëhej gjithnjë e më e paduruar.

Hemingway ishte arsyeja pse ajo filloi të raportonte për luftën - sipas Gellhornit, “Shkova në Spanjë në mars të vitit 1937 dhe rastësisht u bëra korrespondente lufte.” Biografja e saj, Caroline Moorhead, i tha BBC-së se Gellhorni kishte udhëtuar në Spanjë për të qenë me të. “Kur mbërriti atje, Hemingway i tha: ‘Pse nuk po shkruan për luftën?’ Dhe, ajo tha: ‘Nuk di për armët dhe betejat.’ Atëherë ai i tha: ‘Shkruaj për atë që di, pra për njerëzit.’”
Ajo e financoi udhëtimin e saj në Spanjë, në vitin 1937, me pagesën për një artikull në Vogue me titull Problemet e bukurisë së gruas së moshës së mesme, i cili përfshinte testin e një trajtimi agresiv kimik për lëkurën. Artikulli i saj i ardhshëm i botuar quhej Vetëm predhat vajtojnë, duke përshkruar realitetin e jetës civile nën rrethim në Madrid. Ajo e kishte gjetur vokacionin e saj, duke i thënë një miku se do t’i “qëndronte besnike mjerimit, që është fusha ime ... dhe dreqin le ta hajë mishin tim.”
Megjithatë, pasi u martuan në vitin 1940, Hemingway donte që ajo të qëndronte në shtëpi. Ajo e shoqëroi Ushtrinë e Pestë Amerikane në front në Monte Kazino, në Itali në vitin 1943, gjë që e shtyu atë t’i dërgonte një telegram me pyetjen e zemëruar: “Je korrespondente lufte apo grua në shtratin tim?”
Dhe, kur ajo u kthye në Kubë në vitin 1944, bashkëshortët po konkurronin me njëri-tjetrin. Gellhorni kishte shpresuar të mbulonte pushtimin e Ditës D për revistën javore Collier’s, por Hemingway ia mori detyrën dhe, ndërsa ai fluturoi për në Londër, asaj iu desh të kalonte dy javë duke udhëtuar drejt Evropës me një anije mallrash norvegjeze - të mbushur me eksplozivë.
Ndonëse ushtria amerikane refuzoi t’u jepte gazetareve gra leje për të mbuluar zbarkimet aleate, Gellhorni nuk u tërhoq. “Për mua, të gjithë njerëzit në prapavijë që bëjnë rregulla ekzistojnë për t’u sfiduar,” i tha ajo BBC-së në vitin 1991. Kjo sfidë e saj bëri që ajo të ndodhej në anijen e parë spitalore që arriti në Normandi, duke mbërritur në Bregun Omaha herët në mëngjesin e 7 qershorit dhe duke u bërë e vetmja korrespondente grua në terren gjatë zbarkimeve të Ditës D.
Pamje poetike dhe detaje tronditëse
Ajo u arrestua nga policia ushtarake sapo u kthye në Londër, për shkak se kishte udhëtuar në Normandi pa leje dhe u dërgua në një kamp trajnimi për infermiere. Megjithatë, ajo arriti të siguronte një udhëtim për në Itali, me një pilot britanik, për të mbuluar përparimin aleat nëpër Evropë. “Ajo nuk lejoi që të tjerët - dhe as vetja - ta përcaktonin atë dhe punën e saj përmes gjinisë,” thotë korrespondentja kryesore ndërkombëtare e BBC-së, Lyse Doucet. “Në një profesion që në atë kohë dominohej nga burrat, Gellhorni tregoi se gratë jo vetëm që mund të raportonin për luftën, por mund të shkëlqenin në këtë fushë.”
Ajo beson se Gellhorni ka shumë për të ofruar edhe sot. “Ajo që e shtynte, ajo që e përcaktonte gazetarinë e saj, vazhdon të ketë jehonë edhe sot. Pavarësisht çdo gjëje që ka ndryshuar në gazetari që nga koha e saj, thelbi i gazetarisë së mirë mbetet pothuajse i njëjtë siç e shihte ajo - me guxim dhe qartësi morale, si dhe me besimin e saj këmbëngulës se standardi më i lartë është gazetaria në terren, ballë për ballë, në vapë dhe pluhur, në të ftohtë dhe errësirë.”
Të qenit atje i lejoi Gellhornit të sillte në jetë realitetin e Bregut Omaha në një mënyrë të cilën Hemingway nuk ishte në gjendje ta bënte, pasi ai nuk kishte shkelur në breg (edhe pse reportazhi i tij u botua i pari, në kopertinën e revistës Collier’s, dy javë para shkrimit të saj). Raportimi i saj për Ditën D ndërthuri madhështinë tmerruese të asaj skene me skica poetike të detajeve më të vogla.
Duke përshkruar panoramën më të gjerë të trupave që zbrisnin nga anijet, tankeve që lëviznin me zhurmë në breg dhe “aeroplanëve të padukshëm që fluturonin pas tavanit gri të reve,” ajo veçon gjithashtu detaje befasuese, duke vënë re një litar rrobash të tendosur në një mjet zbarkimi. “Mes shpërthimeve të forta të minave që po detonoheshin në plazh, mund të dëgjohej muzikë vallëzimi që vinte nga radioja e tij. Kishte balona bllokuese, që dukeshin si elefantë lodër, komikë, duke u lëkundur në erën e fortë mbi grumbullin e anijeve.”
Përkushtimi i Gellhornit për të dëshmuar drejtpërdrejt tmerret e konflikteve e shoqëroi gjatë gjithë jetës së saj. Përmbledhja e saj e reportazheve e vitit 1959 u titullua Fytyra e luftës [The Face of War] për të pasqyruar këtë përqendrim te përvoja njerëzore e luftimit. “Lufta u ndodh njerëzve, njërit pas tjetrit,” shkruan ajo në hyrje.
Ajo ishte në gjendje të përcillte pamjet, tingujt - dhe aromat - e kohës së luftës për civilët dhe ushtarët e zakonshëm. “Mund të duket e qartë dhe thelbësore sot, por përqendrimi i Gellhornit te njerëzit në terren dhe jo te të fuqishmit në krye ishte shenja e saj dalluese,” thotë Doucet.
Një fjali veçanërisht goditëse nga reportazhi i saj për Ditën D tregon se si ushtarët e rinj amerikanë u habitën nga sasia e madhe e ushqimit në Normandi, pa e ditur se rajoni ishte një nga zonat më të mëdha prodhuese të ushqimit në Francë. “Gjithçka ishte e ngatërruar dhe mahnitëse: së pari ishin plazhet e zymta dhe vdekjeprurëse, pastaj fshatrat ku ata priteshin me lule dhe biskota - dhe shpesh edhe nga snajperë dhe kurthe shpërthyese.”
Kjo fjali pasqyron nuancat e asaj se si mund të jenë ndier ata që ishin atje, përtej përshkrimeve të strategjive ushtarake apo vendimeve të komandantëve. Po ashtu edhe përshkrimet e saj për shakatë që ndanin njerëzit në plazh. “Njëri nga ushtarët tha se kishin një gropë të mirë mbrojtëse rreth 50 jardë [45.7 metra] në brendësi dhe se ishim shumë të mirëpritur atje kur të fillonte sulmi ajror - nëse nuk na pengonte të hanim rërë,” shkruan ajo. “Shoqëruesi im, një nga transportuesit e të plagosurve nga anija, i falënderoi për ftesën e tyre të sjellshme dhe tha se, nga ana tjetër, ne kishim mysafirë në bordin e LCT-së [mjet zbarkimi për tanke] dhe se do të na duhej të qëndronim në shtëpi këtë mbrëmje.”
Këto çaste humori pasqyrojnë një nga mënyrat se si Gellhorni arriti të përballonte dëshmimin e disa prej tmerreve më të mëdha të shekullit XX - një qasje që ajo e përshkruan në esenë e saj Lufta në Finlandë. “Mendoj se mënyra se si njerëzit arrijnë të ruajnë gjysmën e arsyes së tyre në luftë është duke pezulluar një pjesë të madhe të mendjes së tyre për arsyetim, duke humbur shumicën e ndjeshmërisë së tyre, duke qeshur sa herë që u jepet mundësia më e vogël dhe duke u çmendur pak, por gjithnjë e më shumë.” /Telegrafi/




































