Gramoz Kurtaj, shqiptari që po shkëlqen në Skoci (Foto/Video)


Gramoz Kurtaj është futbollisti më i ri shqiptar, që ka filluar t’i radhisë sukseset në Evropë, dhe tani në një ligë që pak shqiptarë janë aktivizuar më parë.
Mesfushori i talentuar, është transferuar këtë edicion në Hamilton që bënë gara në Ligën Premier të Skocisë, dhe menjëherë ka fituar zemrat e tifozëve të klubit bardh e kuq.
24-vjeçari luan në pozitën e mesfushorit ofensivë dhe në pesë takimet e para në elitën e futbollit skocez ka shkëlqyer duke shënuar një gol dhe duke asistuar në një tjetër.
Sikur mos të mjaftonte kjo, në ndeshjen e fundit në fitoren 3-2 ndaj Heart, Kurtaj pasi shënoi u zgjodh në formacionin më të mirë në Skoci si dhe lojtari më i mirë i javës.
Edhe pse djaloshi prishtinas ka pasaportë gjermane, ai është i gatshëm për ta përfaqësuar kombëtaren shqiptare në futboll, ndërsa shpresojmë që talenti i tij do të vërehet nga krerët e FSHF-së dhe nuk do të shkoj dëm.
Urojmë që Kurtaj të vazhdoj shkëlqimin e tij dhe një ditë të jetë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë që çdo ditë e më shumë po na bënë krenar. /Telegrafi/






































