Një studim me mbi 67 mijë persona sfidon bindjet e deritanishme dhe sugjeron se dëshira seksuale e meshkujve arrin kulmin shumë më vonë nga sa mendohej

Për vite me radhë është besuar se gratë arrijnë kulmin e jetës seksuale në të dyzetat, ndërsa burrat në të njëzetat. Megjithatë, një studim i ri sfidon këtë teori dhe sjell rezultate që mund të befasojnë shumëkënd.


Studiues nga Universiteti i Tartu në Estoni, të cituar nga Daily Mail, analizuan të dhënat e më shumë se 67 mijë të rriturve të moshës 20 deri në 84 vjeç.

Rezultatet treguan se dëshira seksuale e meshkujve rritet gjatë të njëzetave, por nuk arrin kulmin në atë moshë. Përkundrazi, ajo vazhdon të rritet dhe arrin nivelin më të lartë në fillim të të dyzetave, përpara se të fillojë një rënie graduale.

Madje, studimi zbuloi se burrat në të gjashtëdhjetat raportuan nivele të dëshirës seksuale të ngjashme me ato të meshkujve në të njëzetat, transmetonn Telegrafi.

Nga ana tjetër, rezultatet tregojnë se gratë e arrijnë kulmin e dëshirës seksuale në moshën e hershme të rritur, mes të njëzetave dhe fillimit të të tridhjetave. Më pas, dëshira bie gradualisht, ndërsa pas të pesëdhjetave rënia bëhet më e theksuar.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se dëshira seksuale nuk është i vetmi tregues i cilësisë së jetës intime.

Kur merren parasysh edhe faktorë si qëndrueshmëria, vetëbesimi, pjekuria emocionale, komunikimi dhe aftësia për të kuptuar partnerin, tabloja ndryshon ndjeshëm.

Sipas autorëve, në të njëzetat meshkujt kanë më shumë energji dhe nivele të larta testosteroni, por shpesh u mungon përvoja dhe ndikohen nga pritshmëri joreale. Në të tridhjetat fitojnë më shumë vetëbesim, ndërsa në të dyzetat, ata që kanë ndërtuar përvojë dhe kanë mësuar të komunikojnë me partneren, mund të ofrojnë një përvojë seksuale më të kënaqshme sesa në kulmin e tyre fizik. /Telegrafi/