LAJMI I FUNDIT:

GLPS për raportin e DASH: Në linjë me raportimet e mediave dhe shoqërisë civile, aksionet kundër krimit dhe korrupsionit nuk duhet të mbesin vetëm në fokus mediatik

GLPS për raportin e DASH: Në linjë me raportimet e mediave dhe shoqërisë civile, aksionet kundër krimit dhe korrupsionit nuk duhet të mbesin vetëm në fokus mediatik

Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2021 tha se në Kosovë vazhdon ende mosndëshkimi i korrupsionit.

Në raport thuhet se Qeveria e Kosovës ndërmori hapa për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje të të drejtave të njeriut, por nganjëherë nuk kishte qëndrueshmëri në veprime.


“Shumë njerëz në qeveri, opozitë, shoqëri civile dhe media, raportuan raste të zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion ose duke vepruar pa u ndëshkuar. Qeveria ndonjëherë pezulloi, largoi shkelësit nga detyra ose transferoi të akuzuarit, dhe sektori i drejtësisë ndonjëherë ndërmori hapa për të ndjekur penalisht dhe ndëshkuar ata zyrtarë që kryen shkelje dhe krime. Megjithatë, shumë zyrtarë të korruptuar vazhduan të mbajnë poste në sektorin publik”, thuhet në raportin e DASH-it.

Raporti i DASH për Kosovën: Vazhdon mosndëshkimi i korrupsionit
Lexo po ashtu Raporti i DASH për Kosovën: Vazhdon mosndëshkimi i korrupsionit

Nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, kanë thënë për Telegrafin se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) sa i përket luftimit të korrupsionit paraqet linjën e njëjtë nga ajo çfarë del nga ana e raportimit të mediave dhe organizatave të shoqërisë civile që merren me monitorimin sistematik të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Sipas GLPS-së, Kosova ende ka rrugë të gjatë për të bërë në luftën kundër korrupsionit, me theks të veçantë në korrupsionin e nivelit të lartë, ku përfshihen zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë shtetëror në afera korruptive, e që më pas hodhën kallëzimet penale ndaj tyre ose çështja e tyre përfundon me aktgjykim lirues e jo në pak raste edhe me parashkrim të ndjekjes penale.

“Të gjithë këta indikatorë ndikojnë negativisht edhe në besimin e qytetarëve karshi pushtetit, qoftë ekzekutivit por edhe gjyqësorit, se të njëjti janë duke bërë mjaftueshëm për të luftuar dhe ndëshkuar korrupsionin brenda institucioneve”, thuhet në përgjigjen e tyre.

GLPS thekson se nga ana e gjykatave dhe prokurorive ka raste të shumta kur me vite të tëra janë zvarritur e vazhdojnë të zvarriten lëndët ku të akuzuar ka persona me ndikim politik, ndërsa edhe në rastet kur gjykata shpall aktgjykim dënues, dënimi është minimal dhe nuk merren për bazë rrethanat rënduese e as shkalla e dëmit që është shkaktuar nga ana e personit në fjalë.

“Tutje, gjykatat vazhdojnë që të trashëgojnë një numër të madh të lëndëve të korrupsionit nga viti në vit, duke bërë kështu që të njëjtat të mos trajtohen me prioritetin e proklamuar nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe strategjisë përkatëse. Në bazë të të dhënave të monitorimit, gjatë vitit 2021, gjykatat e shkallës së parë kanë pasur në punë 424 lëndë të korrupsionit ndërsa kanë arritur të zgjedhin vetëm 129 prej tyre, ku në 38 raste është shpallur aktgjykim lirues apo refuzues”, kanë deklaruar nga GLPS për Telegrafin.

GLPS thekson se kanë dhënë kritika të vazhdueshme edhe sa i përket mangësive të aktakuzave që kanë, sidomos aktet akuzuese ku të pandehur janë personat zyrtar.

“Në këto raste kemi vërejtur mangësi të tilla si: duke mos e përcaktuar palën e dëmtuar për këto pika nuk ka as përcaktim të vlerës së këtij dëmi; mangësi në kuptim të përmbushjes së elementeve obligative për përcaktimin e veprës penale; përfshirja e të gjithë të akuzuarit në një pikë të dispozitivit dhe dështon të shpjegojë veprimet inkriminuese të të pandehurve veç e veç; mangësi në lidhje me kualifikimin e veprës penale etj. Kësisoj, rastet e tilla konsiderojmë që janë të destinuara të dështojnë dhe e njëjta ka ndodhur në praktikë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Të pyetur rreth asaj se a mendojnë se ka pasur përparim në luftimin e korrupsionit, duke marrë për bazë aksionet e shumta që janë zhvilluar në bashkëpunim me Prokuroritë dhe Policinë e Kosovës, GLPS i sheh këto si një hap pozitiv drejt luftimit të kriminalitetit.

“Aksionet e Policisë së Kosovës së bashku më institucionet e tjera (Inspektorati Policor i Kosovës, Prokuroria Themelore Prishtinë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dogana e Kosovës etj.) paraqesin një hap pozitiv në drejtim të luftimit të kriminalitetit, përkatësisht korrupsionit nëpër institucione. Aksionet e tilla si ‘Pika’, ‘Subvencionet’, ‘Brezovica’ etj, duhet që të trajtohen me seriozitet maksimal dhe me efikasitet të lartë nga ana e institucioneve të drejtësisë ashtu që në secilën fazë të procedurës penale të respektohet legjislacioni në fuqi, të mbledhin të gjitha provat relevante, e që në fund të kemi një gjykim të drejtë dhe meritor ndaj të gjithë të të pandehurve në këto raste”, kanë deklaruar nga GLPS.

GLPS shton se të njëjtat assesi nuk duhet që të shërbejnë vetëm për fokus mediatik, gjë e cila në të kaluarën ka ndodhur, por Prokurori i Shtetit dhe Gjykatat duhet të dëshmojnë seriozitet në trajtimin e këtyre rasteve dhe në luftën kundër korrupsionit, duke vepruar në mënyrë të pavarur, të paanshme, dhe me profesionalizëm të lartë. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Ndërtimi i tunelit në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, në fazën e prokurimit - Rama publikon pamjet

Ndërtimi i tunelit në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, në fazën e prokurimit - Rama publikon pamjet

Komunat
Anulohet orari i barnatoreve në Prishtinë - nuk do të ketë kufizime

Anulohet orari i barnatoreve në Prishtinë - nuk do të ketë kufizime

Komunat
Votoi pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, kërcënohet deputeti boshnjak

Votoi pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, kërcënohet deputeti boshnjak

Lajme
Shumica e vendeve të BE-së, pro heqjes së masave ndaj Kosovës

Shumica e vendeve të BE-së, pro heqjes së masave ndaj Kosovës

Lajme
Numri i serbëve në Kosovë po zvogëlohet, por jo për shkak të “terrorit shqiptar”, Knaus: Pretendimet e tilla të Vuçiqit janë mashtrim

Numri i serbëve në Kosovë po zvogëlohet, por jo për shkak të “terrorit shqiptar”, Knaus: Pretendimet e tilla të Vuçiqit janë mashtrim

Lajme
Dokumentari i televizionit Rai 3, reagon Rama: Sulmohet Meloni duke hedhur baltë mbi Shqipërinë

Dokumentari i televizionit Rai 3, reagon Rama: Sulmohet Meloni duke hedhur baltë mbi Shqipërinë

Lajme
Kalo në kategori