eksperti ad

Oda e Avokatëve e Kosovës njofton opinionin publik se Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, me Aktvendimin P.A.nr.17/2026, ka hedhur poshtë si të palejueshme padinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës – Ministrisë së Drejtësisë, të ushtruar kundër Odës së Avokatëve të Kosovës.

Sipas një njoftimi për media thuhet se me këtë aktvendim, tentativa e Qeverisë për të vënë në diskutim aktet e Odës nuk arriti të kalojë as filtrin fillestar të lejueshmërisë procedurale.


"Gjykata Supreme konstatoi se objekti i padisë nuk hyn në kompetencën e saj, duke e hedhur poshtë padinë si të palejueshme, pa hyrë në shqyrtimin e meritës së pretendimeve. Ky zhvillim është një rikujtim se në një shtet të së drejtës, kompetencat nuk ushtrohen sipas vullnetit politik, por vetëm në bazë të Kushtetutës dhe ligjit. Asnjë institucion nuk mund të zgjerojë kompetencat e veta përtej atyre që i janë dhënë shprehimisht me ligj", thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se Oda e Avokatëve e Kosovës nuk do të njohë dhe nuk do të zbatojë asnjë vendim, akt apo urdhër të nxjerrë nga organe që veprojnë jashtë kompetencave të tyre ligjore.

"Çdo ndërhyrje e tillë është juridikisht e pabazuar dhe nuk prodhon pasoja juridike ndaj Odës së Avokatëve. Përpjekjet e fundit për të ndërhyrë në organizimin e brendshëm dhe ushtrimin e kompetencave të Odës dëshmojnë një keqkuptim serioz të parimeve themelore mbi të cilat ndërtohet shteti demokratik, parimit të ligjshmërisë, ndarjes së pushteteve dhe vetëqeverisjes së profesioneve të lira".

Siç thuhet në njoftim, autonomia e Odës së Avokatëve nuk është privilegj institucional, por garanci kushtetuese për mbrojtjen e pavarësisë së avokatit dhe të së drejtës së qytetarëve për një mbrojtje të lirë e të pavarur.

"Oda e Avokatëve do të vazhdojë të mbrojë pa kompromis kompetencat që i garantohen me Kushtetutë dhe Ligjin për Avokatinë dhe do të kundërshtojë me të gjitha mjetet juridike çdo akt të nxjerrë ultra vires, nga cilido institucion apo autoritet publik. Vendimi i Gjykatës Supreme është përfundimtar dhe ndaj tij nuk lejohet ankesë". /Telegrafi/