LAJMI I FUNDIT:

Gjykata ruse ngrin asetet e Volkswagen në vend

Gjykata ruse ngrin asetet e Volkswagen në vend

Një gjykatë ruse të hënën ngriu të gjitha asetet e Volkswagen në vend, në pengesën më të fundit ndaj përpjekjeve njëvjeçare të prodhuesit gjerman të makinave për të mbyllur operimin e saj në Rusi.

Volkswagen, së bashku me prodhuesit e tjerë të huaj, i ndaluan operimet e tyre në Rusi vitin e kaluar, pasi që shtetet perëndimore vendosen sanksione ndaj Moskës për shkak të konfliktit në Ukrainë.


Prodhuesi gjerman i veturave, ka tentuar që t’i shesë asetet e saj ruse, duke përfshirë edhe fabrikën e saj kryesore në qytetin e Kaluga-s, e cila ka kapacitet të prodhimit të 225 mijë veturave në vit, por që puna në këtë fabrikë është ndalur që nga marsi i vitit 2022, raporton Reuters, përcjell Telegrafi.

GAZ, prodhuesi rus i veturave, që ishte kontraktuar për të prodhuar veturat e Volkswagen në fabrikën e saj në Nizhny Novgorod, kërkoi të ndalonte çdo shitje si pjesë e një padie kundër gjigantit gjerman, për atë që GAZ thotë se është një shkelje e kontratës pasi Volkswagen ndërpreu marrëveshjen e prodhimit në muajin gusht.

Në dosjet gjyqësore, GAZ tha se përpjekjet e Volkswagen për të dalë nga tregu rus vënë në rrezik interesat e veta dhe se po kërkon 187,7 euro (15.6 miliardë rubla – 201.3 milionë dollarë) dëmshpërblim për kontratën e ndërprerë. Një gjykatë ruse të hënën ra dakord të ngrijë të gjitha asetet e Volkswagen në Rusi, ndërkohë që mosmarrëveshja me GAZ-in është në gjykim, treguan dokumentet e gjykatës, duke goditur më tej përpjekjet e VW për të mbyllur operimet e saj në Rusi.

GAZ nuk pranoi të komentojë, ndërsa Volkswagen dhe ministria e industrisë e Rusisë gjithashtu nuk iu përgjigjën kërkesave për të komentuar. Në fillim të kësaj jave, prodhuesi çek i makinave Skoda Auto, pjesë e Volkswagen Group, deklaroi se ishte në fazën përfundimtare të një marrëveshjeje për të shitur asetet e saj në shtetin rus. /Telegrafi/