LAJMI I FUNDIT:

Gjykata Komerciale e hedh poshtë propozimin për pezullim të procedurës përmbarimore ndaj Telekomit

Gjykata Komerciale e hedh poshtë propozimin për pezullim të procedurës përmbarimore ndaj Telekomit

Gjykata Komerciale në seancën e fundit të betejës maratonike ndërmjet “Dardafon.net” dhe Telekomit të Kosovës ka vendosur të hedhë poshtë propozimin e ndëmarrjes publike për pezullim të procedurës përmbarimore të iniciuar ndaj saj.

Kjo seancë e datës 12.04.2024 është mbajtur përkundur mungesës së përfaqësuesit të “Dardafon.net”, kompani e cila në këtë kontest ka cilësinë e kreditorit.


Sipas procesverbalit të siguruar nga Kallxo.com, i autorizuari i “Dardafon.net” avokati Alban Makolli me parashtresën e datës 03.04.2024, e ka njoftuar Gjykatën se nuk mund të prezantojë në seancë për shkak të një seance tjetër në Gjykatën e Prishtinës.

Po ashtu aty thuhet se në parashtresë kreditori ka theksuar se në seancë nuk mund të marrë pjesë as juristi Lekë Sahatçiu, po ashtu i autorizuar i kreditorit.

Ndryshe nga kreditori, për debitorin Telekomi i Kosovës të pranishëm ishin tre përfaqësues, përkatësisht: Feim Kelmendi, Durim Ahmetaj, Lulzim Sokoli.

Feim Kelmendi, sipas procesverbalit, e ka kundërshtuar çfarëdo propozimi për shtyrjen e seancës meqë në rastin përkatës kreditori përfaqësohet nga dy të autorizuar dhe sipas tij nuk ka dëshmi se të dy nga këta nuk mund të përfaqësojnë.

Po ashtu, në deklarimin e tij ka vërejtur se seanca për të cilën avokati Alban Makolli ka kërkuar shtyrjen ka filluar në ora 9:00.

Gjykata si përfundim ka marrë atkvendim për të mos e shtyrë seancën duke konstatuar se janë plotësuar kushtet ligjore.

Në fillim të këtij shqyrtimi, gjyqtari Dren Rugova njoftoi se seanca dëgjimore për shqyrtimin e ankesave në këtë procedurë përmbarimore është caktuar me qëllim të dëgjimit të debitorit rreth pretendimeve se gjatë shqyrtimit në Gjykatën e shkallës së parë debitorit nuk iu ka dhënë mundësia për t’u deklaruar në seancë publike, si dhe rreth pretendimit se Gjykata e shkallës së parë ka refuzuar trajtimin e provave të Telekomit për pagesat e bëra.

Lidhur me këtë gjyqtari i çështjes kërkoi sqarime nga i autorizuari i debitorit se cilat prova të pagesave nuk janë marrë parasysh gjatë shqyrtimit gjyqësor.

“Mbetemi në tërësi pranë ankesës me të gjitha pretendimet ankimore, në veçanti fakti se Gjykata e Shkallës së Parë nuk i ka dhënë mundësinë e trajtimit të provave për pagesat e bëra. Kjo konsiston në mosnxjerrjen e një ekspertize për të zbardhur drejt detyrimin e paguar deri me tani, për shkak se ekspertiza e nxjerrë para përmbaruesit privat nuk i ka përfshirë kompensimet sipas marrëveshjes së vitit 2017” – citohet të ketë thënë pëfaqësuesi i Telekomit, Feim Kelmendi.

Teksa i njëjti ka siguruar se ndërmarrja publike në asnjë rast nuk e konteston vendimin e Arbitrazhit si dokument përmbarimor.

“A mund t’i numëroni cilat detyrime nuk janë marrë parasysh, cilat janë shumat dhe ku i bazoni këto?” – ka pyetur gjyqtari i çështjes, Dren Rugova.

“Bëhet fjalë për kompensimet referuar në ankesë pika 6 A, B, C. Sa i përket pretendimit nga pika A, në vlerë 10,443,038 euro këtë e mbështesim në marrëveshjen e nënshkruar mes palëve më 24.05.2017 në pikën 8.4” – është përgjigjur përfaqësuesi i Telekomit, Feim Kelmendi.

“Në prapësimin e datës 18.07.2019 ju si debitor nuk e keni kundërshtuar shkëputjen e marrëveshjes. A keni ndërmarrë ndonjë veprim juridik për këtë?” – ka pyetur më tutje gjyqtari Dren Rugova.

“është e vërtetë se nuk e kemi kundërshtuar shkëputjen e marrëveshjes sepse njëra palë e ka pasur të drejtën që të dalë nga kjo marrëveshje. Mirëpo, ajo që debitori kërkon është që shuma prej 10,443,038 euro të njihet si kompensim në kryegjë” – citohet të ketë deklaruar Feim Kelmendi.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gjyqtarit, Feim Kelmendi ka treguar se e mbështesin pretendimin që shuma prej 10,443,038 euro të zbritet në kompensimin e dëmit material në pikën VI, 5 të vendimit të Arbitrazhit.

“Në bazë të kësaj pike Telekomi nuk ka pasur obligim që kreditorit t`i jepen numrat sipas marrëveshjes së vitit 2017. Por këtë e kemi bërë me qëllim të kompensimit të detyrimit. Fakti se me vendimin e Gjykatës Komerciale KPPP.nr.1996/22 të dt.27.10.2022 është shfuqizuar pika II (C) e dispozitivit të urdhrit përmbarues, nënkupton se ky detyrim nuk është në fuqi dhe rrjedh se kompensimi prej 10,443,038 euro i takon zbatimit të detyrimeve nga dëmi material. Pra duhet të kuptohet drejtë pika 5 e vendimit përfundimtar të arbitrazhit se Telekomi i Kosovës do të detyrohej të paguajë dënime shtesë përmes dhënies së numrave dhe shërbimeve 3G dhe 4G vetëm kur shuma agregate e këtyre ndëshkime shtesë të tejkalojë vlerën 17,315,000 euro. Pra, sipas një kalkulimi të thjeshtë i bie që kjo shumë nuk do të arrihej për 5 vitet e ardhshme. Pra, Telekomi nuk do të kishte asnjë detyrim shtesë sikur të mos jepte numra dhe shërbime 5 vitet e ardhshme dhe e vetmja arsye që numrat dhe shërbimet e dhëna sipas marrëveshjes së vitit 2017 ishte kompensimi nga borxhi që ka dalë nga vendimi i Arbitrazhit, kompensimet që deri tani nuk janë përfshirë në borxhin kryesor. Vlen të theksohet se këto numra dhe shërbime janë shfrytëzuar nga debitori për 30 muaj, 12 muaj sa formalisht ka qenë në fuqi marrëveshja e vitit 2017 dhe 18 muajt e tjerë pasi që kreditori deklarativisht ka dalë nga marrëveshja por i ka shfrytëzuar shërbimet për 18 muajt e ardhshëm” – citohet të ketë thënë Kelmendi.

“Sa i përket pretendimit për shumën 5,887,076.77 euro si kamatë e ngarkuar paligjshëm, a mund të sqaroni ku e mbështesni këtë pretendim. Pra në cilën dispozitë ligjore e gjeni pretendimin se fillon të rrjedhë kamata?” – ka pyetur gjyqtari Dren Rugova.

Sipas përfaqësuesit të Telekomit, ky pretendim mbështetet në Ligjin për Arbitrazhin i cili kërkon që për t’u ekzekutuar një vendim i Arbitrazhit të huaj duhet të kalojë në procedurën e njohjes.

“Telekomi si kompani publike nuk mund të bëjë pagesa para se një vendim i huaj i Arbitrazhit të njihet në vendin tonë. Ne nuk mund të bartim detyrime për konsumim të periudhave në të cilat nuk kemi ndikim” – ka shtuar më tutje, sipas procesverbalit, Feim Kelmendi.

Më tej, Gjykata i ka parashtruar pyetje Telekomit nëse e kanë të njohur faktin se  vendimi Arbitrazhit është përfundimtar dhe ndaj tij nuk ka mjet ankimor.

“Ne kemi bërë padi për anulim kurse pala tjetër ka bërë kërkesë për njohje, ndërsa me marrëveshje jemi pajtuar që të dy palët të tërhiqemi nga procedurat përkatëse, e tërë kjo me qëllim të zbatimit të vendimit. Kreditori pasi që ka marrë benefitet e marrëveshjes deklarohet se del nga marrëveshja dhe inicion përsëri procedurën e njohjes. Kjo ka mundur të jetë e qëllimshme nga kreditori për t’u rritur kamata. Nuk ka qenë në vullnetin çështja e pagesës sepse ne kemi nënshkruar marrëveshje. Kamata nga pika b) e ankesës në shumën prej 5,887,076.77 euro rrjedh në mënyrë të paligjshme nga data 14.04.2015 si ditë e inicimit të procedurës së Arbitrazhit, siç rrjedh nga vendimi përfundimtar i Arbitrazhit deri në vendimin për njohjen e vendimit të huaj në vitin 2019. Duhet theksuar se për periudhën 12 mujore sa marrëveshja ka qenë në fuqi nuk është llogaritur kamata” –  është përgjigjur në emër të ndërmarrjes publike Feim Kelmendi.

Më tutje, Kelmendi ka arsyetuar se kamata në shumën prej 2,509,731.36 euro rrjedh në mënyrë të paligjshme për periudhën nga data e njohjes së vendimit të huaj deri në fund të vitit 2023 kur Telekomi ka bërë kalkulimin për kamatën e paligjshme.

Në fund Telekomi ka kërkuar që deri në nxjerrjen e një vendimi tjetër procedura përmbarimore të pezullohet.

“Pasi që, në këtë rast me mbajtjen e bllokuar të xhirollogarive bankare është duke u cenuar interesi publik, operacionet ditore si dhe pagesat e ndërsjella që ka Telekomi me operatorët e ndryshëm” – ka arsyetuar Feim Kelmendi.

Por kësaj këkese të Telekomit i është përgjigjur negativisht gjyqtari Dren Rugova duke e hedhur poshtë si të palejuar propozimin e debitorit për pezullimin e procedurës përmbarimore.

“Seanca në këtë çështje përfundoi. Vendimi palëve do t’u dërgohet në formë të shkruar” – përfundon procesverbali i shqyrtimit.

Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon.net) iu drejtua Arbitrazhit pas pretendimit se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Marrëveshja kishte shkuar deri në Tribunalin e Arbitrazhit, i cili kishte vendosur në favor të “Dardafon.net”.

Sipas Telekomit, vendimi i Arbitrazhit ishte mbi 27 milionë euro, kurse Telekomi pretendon se kishte kryer pagesa në emër të vendimit të Arbitrazhit në shumën prej rreth 40 milionë euro ndaj “Dardafon”-it.

Sipas pretendimeve të Telekomit të Kosovës, kompanisë “Dardafon” i janë paguar mbi 13 milionë euro më shumë

Për këtë rast të përmbarimit ishte bërë një ekspertizë financiare, të cilën e kishte përpiluar eksperti financiar Remzi Ismajli, i cili ishte caktuar nga organi përmbarues në bazë të vendimit të Gjykatës Komerciale të datës 27.10.2022 për nxjerrjen e provës me ekspertizë financiare.

’Sipas Konkluzionit të organit përmbarues, si dhe sipas ekspertizës financiare e po ashtu sqarimeve të dhëna të ekspertit financiar në seancën e datës 25.04.2023, gjykata vlerësoi se detyrat për nxjerrje të provës me ekspertizë financiare janë dhënë në mënyrë të duhur dhe në kuadër të kufijve të titullit përmbarimor, në raport me zhvillimet në procedurë përmbarimore si deri më tani’’ – thuhet në vendimin e Gjykatës.

I njëjti në ekspertizë kishte përcaktuar se Telekomi i Kosovës ka mbetur pa i paguar “Dardafon”-it edhe rreth 5,732,871.34 euro.

Tutje, i njëjti kishte deklaruar se nga llogaritja e borxheve të Telekomit ka filluar nga paraqitja e urdhrit për përmbarim, pra nga propozimi për një urdhër të tillë dhe në bazë të marrëveshjes së arritur mes palëve të datës 17.11.2020.

Telekomi i Kosovës kishte propozuar që të bëhet një ekspertizë e re financiare për rastin përmbarimor me kompaninë “Dardafon”.

Gjykata e Prishtinës me konkluzion, më 25.04.2023, kishte refuzuar propozimin e Telekomit të Kosovës për një ekspertizë të re për rastin përmbarimor me kompaninë “Dardafon”.

Sipas vendimit të Gjykatës, debitori – Telekomi i Kosovës Sh.A, e kishte kundërshtuar këtë ekspertizë në vazhdimësi edhe gjatë mbajtjes së seancave dëgjimore në riprocedurë.

Sipas vendimit, Gjykata ia ka falur besimin ekspertizës financiare – plotësimit të saj të datës 31.01.2023 të realizuar në procedurë përmbarimore nga eksperti financiar Remzi Ismajli, raporton Kallxo.