LAJMI I FUNDIT:

​Një muaj paraburgim për Dragisha Milenkoviqin, i dyshuar për krime lufte në Kosovë

​Një muaj paraburgim për Dragisha Milenkoviqin, i dyshuar për krime lufte në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special  ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit kundër Dragisha Milenkoviqit për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ.

Sipas njoftimit, gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.M dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, paraburgimi është caktuar  në harmoni me nenin 184 paragrafi 1 nën-paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 nën-paragrafi 1.3 të KPPRK., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile.


Dragisha Milenkoviqit ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht nga data 24.05.1999 deri me 10.06.1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtar tjerë të burgjeve në fjalë, kishin keqpërdorur autorizimet zyrtare, në atë mënyrë që pasi i kishin transferuar të burgosurit shqiptar nga burgu i Dubravës për në burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit.

Siç njoftohet, gjatë 99-ës kishin formuar kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët ku të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit dhe të dyshuarit kishin filluar që ti godasin me mjete të ndryshme si shkop gome, grushte, shqelma etj, dhe pas kësaj në mënyrë sistematike kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke torturuar në mënyrë ç ‘njerëzore, maltretuar, shkaktuar e lëndime të rënda trupore, dhunë psikike, traumë dhe pasoja në shëndet dhe duke i kanosur seriozisht për jetë, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

Arrestimi i tij është bërë të mërkurën në orët e paradites në zonën e Graçanicës.

Pas arrestimit të tij, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se përgjegjësit e krimeve të luftës në Kosovë duhet të vihen para drejtësisë.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës  Themelore në Prishtinë./Telegrafi/