LAJMI I FUNDIT:

Gjurmëve të biografisë së Ali Podrimjes

Gjurmëve të biografisë së Ali Podrimjes
Ali Podrimja dhe Bashkim Kuçuku

Nga: Bashkim Kuçuku

Një bisedë e pabotuar me Ali Podrimjen


Ulpianë, 22 shkurt 2003

Në botimet e librave të Ali Podrimjes nuk kishte të dhëna biografike, veç datëlindjes, vendlindjes, botimeve dhe çmimeve letrare. Ai rrallë tregonte për jetën e vet. Edhe po ta pyesje, ose, nuk përgjigjej, ose, nuk thoshte më shumë se dy-tri fjalë. Një ditë, në Tiranë, i dhashë një pyetësor dhe i përmenda rëndësinë që kanë të dhënat e jetës dhe të karakterit të shkrimtarit në kuptimin e veprës. Atëherë, pasi i kishte parë pyetjet, të nesërmen, më dha këto përgjigje. Ai fliste dhe unë shkruaja.

– Emri i babait, datëlindja, martesa. Sa jetoi?

– Im atë quhej Hamëz. Datëlindjen e tij nuk e di. Ka vdekur më 1956. Ka qenë ndër luftëtarët e fundit të Bajram Currit. Ka punuar tokën. Tokat i kanë pasë në rrethinat e Gjakovës dhe përgjatë Drinit.

– A kishte motra, vëllezër?

– Im atë kishte tre vëllezër.

– Lidhja me Bajram Currin? (Për lidhjen e të atit me Bajram Currin më fliste shpesh).

– Im atë u martua në moshën 50-vjeçare me këmbënguljen e Bajram Currit, që, siç ia shpjegoi, të krijonte edhe ai familje. U martua me vajzën e shokut të vet, që ka qenë edhe ai luftëtar i Bajram Currit. Kullën Bajram Curri e ka pasë në lagjen “Mulla Isuf”, atje ku ishte dhe kulla jonë.

– Emri, mbiemri i nënës, datëlindja. Nga ishte?

– Nëna quhej Jalldëz, ishte gjakovare.

– A kishte motra, vëllezër?

– Në tërheqjen e parë të Serbisë (ndoshta, Lufta e Parë Botërore dhe Lufta Ballkanike), siç thuhej, familja e mëmës ka humbur katër vëllezër dhe si dhe axhallarët.

– Sa jetoi?

– Mëma ka vdekur më 1962. As mëmën as babën nuk i kam pa kur kanë vdekë. Baba ka vdekë nga zemra, në arë, duke punu.

– Ke motra, vëllezër?

– Kam qenë fëmijë i vetëm. Mëma ka lindë dhe një fëmijë tjetër para kohe. Ai vdiq.

– Ç’lidhje ke pasur me babën?

– Baba më ka furnizu me libra. Mbaj mend që më solli “Lahuta e Malsisë” dhe më tha ta lexoj për një natë, sepse do ta çonte ku e kishte marrë. Ky ishte ballafaqimi i parë me Fishtën.

– Në fëmijëri dhe adoleshencë ke qenë i mbyllur, apo, i hapur, me shokët dhe njerëzit e familjes?

– Kam qenë tip sportiv, kam qenë tip i hapur. Dhe, njëri ndër sportistët më të mirë të Kosovës. Kam kërcyer prej lartësive në ujë (Drin, në det, etj.)

– A e ndjen vetminë?

– Vetminë e ndjej si njeri pa motër dhe pa vëlla. Vetmia nuk të ndahet.

– Kur fillove të shkruaje ndiheshe i sigurt, i pambrojtur, apo i frikësuar?

– Shfaqja ime si poet ishte e befasishme, por isha dhe i pasigurt. I pasigurt isha edhe për shkak të proceseve shoqërore në Kosovë. Pasiguria ishte e madhe, sidomos kur largoheshin kosovarët për në Turqi. Vetëm Gjakova e kundërshtoi emigrimin. Emigrimi ishte më i madh atje ku represioni ishte më i madh.

– Para se të vije për herë të parë (1971) këtej kufirit, në Shqipëri, çfarë mendoje dhe çfarë ndjeje për të?

– Shqipërinë e kisha në fantazinë time, sepse e njihja nga tregimet e babës. Ai e njihte mirë Shqipërinë e Veriut, sidomos Shkodrën, sepse atje kishte qenë shpesh herë. Tërë Rrafshi i Dukagjinit, para Luftës së Parë Botërore dhe më pas, vinin në Shkodër për të blerë, për të bërë pazar. Ajo ishte rrugë e njohur për ta. Baba njihte mirë fshatrat, rrugët etj. Më fliste shpesh për Shqipërinë e këtejme. Për mua këto tregime për Shqipërinë kanë qenë fantastike. Ai ma kishte zbuluar Shqipërinë, kishte hequr perden, velin. Unë kisha filluar ta përfytyroj mjaft Shqipërinë.

– Kur ke vajtur për herë të parë në Shkup?

– Në Shkup kam vajtur shpesh. Për herë të parë kam vajtur si maturant. Më kishte fascinuar ai tip pazari. Gjakova kishte Çarshinë e Vjetër, por Shkupi e ka me hapësirë më të madhe.

– Po në Ulqin kur ke shkuar për herë të parë?

– Në Ulqin kam shku për herë të parë si nxënës i klasë së dytë gjimnaz. Në fillim kam qenë i zhgënjyer me Ulqinin. Shumë pak dëgjoja shqip.

– Pse, trembeshin?

– Me siguri ka qenë droja. Mandej njerëz të shkolluar pak kishte. Shkolla shqipe nuk kishte. Atëherë kanë qenë vite të zymta për Ulqinin. Sllavët bënin ligjin. Ulqinakët shpërnguleshin në Amerikë. Mos të ishin shpërngulur, Ulqini do të ishte sa Durrësi. Por, gradualisht filluan të marrin veten, sidomos kur filluan t’i shkollojnë fëmijët në Universitetin e Prishtinës. Universiteti i Kosovës ka luajtur rol të madh jo vetëm te shqiptarët e Malit të Zi, por edhe të Maqedonisë. Shkollat e Kosovës krijuan besim tek ata, për gjuhën, historinë, kulturën e tyre. Filluan të besojnë, se edhe ata do të kishin shkollat e tyre shqip, do të kishin letërsinë etj.

Tiranë, 15 prill 2003