LAJMI I FUNDIT:

Gjoja Ballisti Morinaj

Gjoja Ballisti Morinaj

Krijimi i historisë së tij, bashkëkombësit të thirrur Ismail, me emrin kaq të njohur mes nesh prej gjestit madhështor të ngritjes së flamurit kuqezi më 28 Nëntor 1912 nga më i shquari i familjes Vlora dhe po ashtu veprës letrare botërore të shkrimtarit Kadare, është tipike e jona.

Tërësisht shqiptare.


Sepse Ismail Morinajn e bëmë ne, e prodhuam ne. Pa ne, pa të paktën masën e madhe që e legjendarizoi, atë do ta kishte përpirë dhe hedhur tej në breg, si lëmyshk, rrjedha e vrullshme e ngjarjeve thelbësore të kombit.

Ja pse shumë prej nesh brenda vetes, thellë në nënndërgjegje apo ndërgjegjshëm në vetëdije, janë nga pak Ismail Morinaj. Këtë e shpallën publikisht jo vetëm thjesht një trajner futbolli prej Kosovës, i cili kumtoi se fitorja historike e ekipit tonë futbollistik nacional qe meritë e të sipërcituarit dronngritës në Beograd, por edhe dy politikanë të fuqishëm, krerë të dy partive politike deri tani më të mëdhatë e të gjitha hapësirave shqiptare: Sali Berisha dhe Edi Rama.

I pari shpërndau në rrjetin social internetik një pamje të tij në zyrën e punës, tek rrinte ulur fare pranë raftit qendror të bibliotekës, në të cilin (që ta shihnin të gjithë), qe vendosur posaçërisht fotoja e Ismail Morinajt me bezen e vizatuar të një Shqipërie etnike.

Kryeministri Rama, jo më pak pëlqyes i teknikave moderne të komunikimit me publikun (ku rrinë edhe zgjedhësit), e projektoi pothuajse të njëjtën pamje, në një mbrëmje, mbi fasadën e selisë, ku si çdo politikan në një shoqëri të hapur, do të jetë i përkohshëm kryeministër, por që për mbarë kombin është simbol i përhershëm i përfaqësimit të shtetit tonë.

I mbërritur deri kaq lart (dhe tepër larg) imazhi i Ismail Morinajt dhe i “flamurit” të tij, edhe pse sot ai ndodhet në burg në pritje të gjykimit në Shkallë të Parë dhe mbi të janë sulur për ta bërë nul mjaft nga ata që në periudhën e fyerjes propagandistike të tij patën heshtur, përbën një dukuri për ta vëzhguar.

Siç po bëjnë edhe të tjerë, autori i këtyre radhëve ka zgjedhur një kënd të vetin: është vërtet ballist Ismail Morinaj?

Sepse, që kur ai ngriti dhe uli dronin e tij në mes të ndeshjes së futbollit në Beograd, pikërisht kur loja fliste për epërsinë e ekipit tonë dhe kur, kush e di për të satën herë, pas tronditjeve ciklike, mes Shqipërisë dhe Serbisë kishte nisur, në emër edhe të mirintegrimit në BE ringrohja e marrëdhënieve, pra që prej çastit kur ne nuk na duhej një lëndim i panevojshëm i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve, emrin e plotë nuk e ka me dy pjesë, por me tre: Ballisti Ismail Morinaj.

Fjala “ballist” i ka zënë vendin e babait (e gjen në shtyp edhe në formën Ismail Ballist Morinaj).

Duke qenë se të famshëm e bëmë ne, sepse po të qemë ndryshe gjestin e tij do ta kishim vlerësuar si provokim ordiner dhe se, po të donte ta shkaktonte xanxën e tij dhe të binte në sy, siç me të vërtetë e ka patologji të brendshme, le të ngrinte dhe të ulte në Beograd, madje në momentin më të pafavorshëm futbollistik për ne, flamurin tonë kombëtar, atë kuqezi, figurativisht shumë karakteristik, madje mjaft sugjestionues dhe i bukur.

Pas kësaj, gjesti i atij lojtari serb që desh ta shqyente, do të ishte ndërkombëtarisht për të dhe vendin e tij një mosaprovim total. Ashtu do ta kishte fatin edhe çdo gjë tjetër më pas, që nga qarqe të caktuara të shtetit apo të shoqërisë serbe, u përpunua për qëllime të ringritjes së tensionit.

Besojmë se, me më pak pasoja ndërshtetërore, flamuri ynë kombëtar, i ulur mes ndeshjes së Beogradit, do ta bënte edhe më shumë të famshëm Ismail Morinajn se kur ngriti bezen.

Mirëpo për të shpjeguar “flamurin” e sajuar të Shqipërisë etnike, ai thotë se është ballist, ka bërë pjesë edhe në një strukturë të tillë partiake në Maqedoni, ku siç edhe vetë pohon, ata e kanë refuzuar si të padisiplinuar.

Por a keni dëgjuar që Ismail Morina të jetë anëtar i ndonjë prej disa partive trashëgimtare të Ballit Kombëtar, organizatë nacionaliste e shpallur publikisht pas fundnëntorit 1942, madje më saktë, me një trakt, në janar 1943?

Po ashtu, a keni dëgjuar, qoftë edhe në formë fjalënaje, që bashkëkombësi ynë i dronit në fushën e futbollit të Beogradit, pas asaj që bëri, i shndërruar në hero për muaj të tërë, të jetë ftuar në ndonjë prej këtyre partive për t’u anëtarësuar apo të jetë shpallur si anëtar nderi i tyre?

Në të vërtetë Ismail Morinaj politikisht, madje edhe ideologjikisht, nuk është ndjekës i traditës së Ballit Kombëtar dhe i dekalogut-program të tij. Është një ballist, sipas mënyrës së vet, më saktë sipas egoizmit të tij për t’u ngulur në histori.

Ne që nuk kemi ndihur të shkojnë në këtë panteon me dhjetëra dijetarë të shquar apo veprimtarë kombëtarë të pafjalë, me Morinajn këtë punë e bëmë me qejf të madh. Në fillim duke e lartësuar dhe tani që është në burg, duke e ulur.

Kështu ai njëlloj bën emër.

Ismail Morinajn e bëmë ne, e prodhuam ne, edhe për shkak se, duke ia pranuar se është “ballist”, modeli me të cilin e gjykuam dhe e sendërtuam si imazh, ishte ajo çfarë na kanë futur në tru, para vitit nëntëdhjetë, për plot një gjysmëshekulli.

Balli Kombëtar e kërkoi Shqipërinë etnike në Mukje si objektiv të bashkimit të Shqipërisë me Kosovën pas lufte, atdhetari që e shfaqën në këtë mbledhje pajtuese (çfarë u mbajt e fshehur për tri breza me radhë), edhe komunistët. Këta e kundërshtuan më së shumti për mënyrën e formulimit. Kur ndodhi gjëma e prishjes së njëanshme të marrëveshjes, siç e provoi hapja e arkivave pas vitit 1990, trysninë e ndarjes me shkak moslënien e Kosovës t’i bashkohej trungut kombëtar, e patën kryer të dërguarit komunistë jugosllavë.

Balli Kombëtar edhe më pas, madje edhe në çastet kur kursin në parim antifashist, e zëvendësoi me një antikomunizëm ideologjik dhe gjatë periudhës së pushtimit gjerman përfundoi në krahë e madje në bisht të këtyre të fundit, asnjëherë nuk ka ngritur mbi krye ndonjë “flamur” bezeje me siluetën e të quajturës Shqipëri etnike, por atë kuqezi. Këtë kusht e vuri që në Konferencën e Pezës, një vit para Mukjes. Sipas dakordësimit të të dyja palëve, çetat komuniste do të mbanin flamurin kuqezi me shenjën e yllit në të, kurse ato balliste vetëm flamurin historik: fushë e kuqe me në mes shqiponjën e zezë.

Madje në ballë, nëpër kasketa, ndërsa çetat e drejtuara nga PKSH-ja do të vendosnin vetëm yllin e kuq, ato të BK-së, vetëm shqiponjën e zezë me dy krerë.

Barazimi i Ismail Morinajt me nacionalistët e Ballit Kombëtar dhe politizimi i rastit të tij për manovra partiake ngjan mbështetje e shëmbëlltyrës djallëzuese që iu bë gjatë së shkuarës së para Lëvizjes së Dhjetorit. Është vazhdim pa dashje i kësaj fushate denigruese.

Mirë është që këtë bashkëkombës ta lëmë në hallin dhe kuturisjen e tij, por tashmë, për humanizëm, edhe pa e braktisur. Mori vrull kot, sepse ia dhamë ne. Tani që është në qeli, sipas policisë, sepse mbante me vete dy pistoleta “Zastava” (dhe nënkuptimi se ato mund t’i përdorte për trazirë dhe rirënie në sy gjatë ndeshjes në Elbasan) dhe sipas kryetarit të Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, se mbante me vete vetëm një pistoletë të vjetër ngaqë druhej mos e vrisnin serbët, kemi një arsye më tepër për të ngulur këmbë se mbi fatin e tij personal, ku po vallëzon politika, ligji nuk ka pse bën përjashtim, por dorën në zemër ta vërë.

Sepse, në të vërtetë, në qeli duhej të qenë me dhjetëra mijëra nga ne.

Në trend

Më shumë
Mbi 1 milion qytetarë të regjistruar deri më tani në Kosovë

Mbi 1 milion qytetarë të regjistruar deri më tani në Kosovë

Lajme
Një grua nga India u ankua se burri i saj po e detyronte të bënte

Një grua nga India u ankua se burri i saj po e detyronte të bënte "seks të panatyrshëm", gjykatësi: Nuk është krim në martesë

Azia
Tragjedia në Shkodër, prokuroria zbulon mesazhet ofenduese dhe tradhtinë në celularin e bashkëshortit të Alma Arrazit

Tragjedia në Shkodër, prokuroria zbulon mesazhet ofenduese dhe tradhtinë në celularin e bashkëshortit të Alma Arrazit

Lajme
Gjendet trupi i fëmijës së tretë të mbytur në Lumin Bunë, vazhdojnë kërkimet për Alma Arrazin

Gjendet trupi i fëmijës së tretë të mbytur në Lumin Bunë, vazhdojnë kërkimet për Alma Arrazin

Lajme
Shkencëtarët zbuluan se sa orë në ditë duhet të ulemi, të flemë, të qëndrojmë në këmbë dhe të ushtrohemi

Shkencëtarët zbuluan se sa orë në ditë duhet të ulemi, të flemë, të qëndrojmë në këmbë dhe të ushtrohemi

Shëndetësi Lajme
Në zyrën ku duhej të mblidhej qeveria polake, u gjetën pajisje përgjimi

Në zyrën ku duhej të mblidhej qeveria polake, u gjetën pajisje përgjimi

Evropa
Kalo në kategori