LAJMI I FUNDIT:

Gjermania do të dërgojë në Kosovë edhe 150 ushtarë shtesë

Gjermania do të dërgojë në Kosovë edhe 150 ushtarë shtesë

Gjermania pritet t’i dërgojë edhe 150 trupa shtesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka bërë të ditur kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock.

Këtë ajo e bëri të ditur pas takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s, duke theksuar se në Ballkan paqja mbetet e brishtë.


“Paqja shpesh varet nga një fije në Ballkanin Perëndimor. Angazhimet e NATO-s dhe të BE-së janë të koordinuara. Kemi EUFOR-in, misioni që siguron stabilitetin në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe KFOR-in në Kosovë. Gjermania do të kontribuojë deri në 150 trupa shtesë për KFOR-in”, thuhet në njoftim.

Diskutimet në nivel të ministrave të NATO-s rreth situatës në rajon ajo i cilësoi si tejet të rëndësishme. Sipas ministres Annalena Baerbock, perspektiva e anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE është e rëndësishme sepse ky paraqet “sigurim jetësor”.

Shefi i NATO-s: 93 ushtarë tanë u lënduan në Kosovë, do ta ruajmë stabilitetin në rajon
Lexo po ashtu Shefi i NATO-s: 93 ushtarë tanë u lënduan në Kosovë, do ta ruajmë stabilitetin në rajon

Edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu shqetësimin për rritjen e tensioneve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, teksa premtoi se aleanca veri-atlantike do të bëjë gjithçka në mënyrë që të ruajë stabilitetin në rajon.

“Ajo që shohim atje është se tensionet po rriten. Po shoh rritje të tensioneve dhe retorikë nxitëse në Bosnje e Hercegovinë. Kemi parë incidente të rënda dhune në Kosovë duke përfshirë sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s. Janë lënduar 93 ushtarë të NATO-s, nga të cilët disa shumë rëndë. Gjithashtu kishim sulmin në Banjskë”, deklaroi shefi i aleancës veri-atlantike para takimit të ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të martën.

Shefat e diplomacive të 31 shteteve anëtare të NATO-s në takimin që po mbahet në Bruksel më 28 nëntor kanë diskutuar ndër tjerash edhe lidhur me situatën e sigurisë në rajon.

Takimet do të vazhdojnë edhe më 29 nëntor./Telegrafi/