LAJMI I FUNDIT:

Gjermania, me strategjinë e parë të sigurisë kombëtare

Gjermania, me strategjinë e parë të sigurisë kombëtare
Ilustrim

Javën e kaluar, më 14 qershor, Qeveria federale gjermane shpalli për herë të parë, në historinë e saj, Strategjinë e Sigurisë Kombëtare. Ajo ka mbi një vit që ka punuar mbi këtë dokument tërësor, me rreth 50 faqe. Natyrisht, Gjermania ka pasur dhe më parë plane veprimi dhe masa sigurie, por jo tërësore, të copëzuar nëpër dikastere dhe në të 16 landet veç e veç. Këto mangësi, mbi të gjitha agresioni rus kundër Ukrainës më 24 shkurt 2022, përshkallëzimi i rrezikut kinez, dhe zhvillimet e tjera të rëndësishme në skenën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe brenda Gjermanisë, e bënë hartimin dhe miratimin e kësaj strategjie një “MUSS” të vërtetë, ose domosdoshmëri jetike për shtetin më të madh në Evropë.

Siç e theksoi kancelari Scholz gjatë prezantimit të kësaj strategjie në Berlin, siguria e jetës së qytetarëve është detyra kryesore e qeverisë dhe shtetit, mbasi “pa siguri nuk ka liri, stabilitet dhe liri”. Nga ana tjetër, ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në botë, diktojnë qasje dhe masa të reja të ndryshme dhe cilësore, si në nivelin e shteteve gjermane ashtu dhe në atë federal.


Siç ditët e fundit pohoi gazetari analisti i njohur gjerman, Thorsten Benner, në të përditshmen gjermane “Tagespiegel”, kjo strategji përfshin disa thekse të reja gjeopolitike intriguese, të cilat shënojnë risi cilësore dhe në politikën e jashtme gjermane.

Karakteristika e parë kryesore e kësaj strategjie është zgjerimi i ndjeshëm i konceptit dhe praktikave të sigurisë federale, e cila tashmë rrok një katalog shumë më të madh, sfidues dhe të larmishëm me rreziqe/kërcënime të reja, të brendshme dhe të jashtme. Krahas rreziqeve ushtarake të të gjitha llojeve, deri në ato atomike, strategjia i kushton rëndësi të veçantë sulmeve kibernetike, goditjeve ndaj objekteve të rëndësishme jetike infrastrukturore, ndryshimeve klimatike dhe mjedisit, sigurisë ekonomike, rezervave ushqimore, mbrojtjes civile, politikave të zhvillimit, modernizimit të armatimit, luftës kundër spiunazhit dhe dezinformacionit, hapësirës kozmike dhe komponentëve të tjerë strategjikë.

Ashtu siç pritej, pjesën qendrore të kësaj strategjie e zë “Ndryshimi historik” (Zeitenwende) i shpallur më 27 shkurt 2022 nga qeveria gjermane; rikujtojmë se ajo përfshin arritjen dhe tejkalimin brenda pak viteve të kuotës monetare prej dy për qind të GDP-së për shpenzimet mbrojtëse të NATO-s; krijimin e fondit të garancisë së mbrojtjes prej 100 miliardë euro; livrimin e armatimeve dhe municioneve Ukrainës, vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe heqjen dorë nga pacifizimi tradicional gjerman, në emër të paqes, stabilitetit dhe demokracisë.

Në aspektin e jashtëm, kërcënimi kryesor konsiderohet në të gjitha planet ai që vjen nga Rusia dhe nga Kina. Koncepti i sigurisë, ndonëse për Kinën ende jo i detajuar dhe në pritje për një përpunim të mëtejshëm, përfshin një gamë të gjerë sfidash dhe problematikash serioze.

Në këtë strategji, sipas shembullit amerikan përmendet për herë të parë koncepti i ri strategjik “siguria ekonomike”. Thelbi dhe synimi madhor i sigurisë ekonomike, të cilin e shpalosi ditët e fundit më të plotë dhe Komisioni Evropian, është pakësimi në minimum i varësisë ekonomike nga Rusia dhe nga Kina lidhur me importet e mallrave strategjike, sidomos naftës, gazit, drithërave dhe mallrave të tjera jetike. Pjesa tjetër dhe më e rëndësishme e “sigurisë ekonomike” ka të bëjë me diversifikimin ekonomik dhe tregtar, ose shqip shtimi i shumëllojshmërisë së mallrave, shpërndarja gjeografike dhe depërtimi gjerman në shumë tregje të tjera të huaja. Natyrisht, kjo kërkon vlerësim shumë më të madh, sidomos nga Gjermania, për siguri ekonomike në të gjitha format dhe formatet, duke hequr dorë përfundimisht nga globalizmi naiv, nga besimi i verbër se me bashkëpunim ekonomik do të shmanget agresiviteti dhe lufta prej vendeve autoritare, forcimi e zgjerimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ekonomik me vende partnere me të cilat na ndajnë të njëjtat vlera dhe parime.

Kjo është një prirje e përgjithshme që po forcohet kudo në vendet perëndimore mbas agresionit rus. Besueshmëria politike, përkatësia ndaj vlerave dhe parimeve të njëjta themelore, do të jenë kriteri bazë dhe udhërrëfyes në të gjithë optikën e bashkëpunimit ekonomik, tregtar, financiar dhe investimeve gjermane në botë. Këto prirje të reja pala gjermane i shprehu qartë dhe gjatë Konsultimeve qeveritare me Kinën në nivel kryeministror, që u zhvilluan në Berlin më 19-20 qershor. Shënojmë se Kina është partneri më i madh ekonomik i Gjermanisë, me një vëllim tregtar prej 300 miliardë euro.

Një risi tjetër e rëndësishme në këtë strategji është qëndrimi gjerman ndaj karakterit të botës së sotme. Si kudo dhe brenda klasës politike qeverisëse gjermane, ka dy këndvështrime të ndryshme: Kancelari Scholz, lideri i SPD-së i cili anon nga ekzistenca e një bote dypolare, d.m.th. ShBA-të dhe vendet demokratike nga njëra anë dhe Kina, Rusia dhe vendet autoritare nga ana tjetër.

Por, ndryshe mendon ministrja e Jashtme, lidere e Partisë së Gjelbër, Annalena Baerbock. Sipas saj, “ ne nuk jetojmë në një botë të ndarë më dysh, por në një botë shumëpolare”. Duket se ideja e saj është më afër realitetit dhe gëzon mbështetje më të gjerë brenda dhe jashtë vendit. Kjo për faktin se krahas shteteve të mëdha që u përkasin dy sistemeve të kundërta politike – ShBA-së, BE-së, Japonisë, Koresë së Jugut, Kanadasë, Australisë etj., si përfaqësuese të demokracisë pluraliste, si dhe vendeve autoritare si Kina, Rusia etj. – ka dhe një grup tjetër shtetesh të mëdha dhe me ndikim në politikën botërore, të cilat po shfaqen përherë e më shumë si grupim me vete. Këtu kemi parasysh Brazilin, Indinë, Afrikën e Jugut, Indonezinë dhe vende të tjera në hemisferën jugore ose “Jugu Global”, siç njihet. Qëndrimet më të fundit të këtyre vendeve tregojnë se ato nuk duan të jenë as me ShBA-në dhe as me Kinën, për të shmangur sipas tyre një “Luftë të re të Ftohtë” e me pasoja. Ndaj, mesa duket ato parapëlqejnë të jenë si një bllok i lirë dhe i pavarur në një sistem shumëpolar anti-hegjemonist.

Më konkretisht, Kina, Rusia, India, Brazili dhe Afrika e Jugut kanë krijuar qysh më 2009 Grupimin politiko-ekonomik BRICS, i cili jep një të katërtën e GDP-së dhe ka 40 për qind të popullsisë botërore. Këto vende jo vetëm po kërkojnë më shumë, por ato janë të zhgënjyera nga Perëndimi dhe të distancuar nga demokracia liberale, duke denoncuar, sipas tyre, privilegjet e tij në organizatat ndërkombëtare, “pabararazinë dhe padrejtësinë”, si dhe moralin e dyfishtë. Ato nuk i janë bashkuar as koalicionit perëndimor për Ukrainën dhe s’kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Vetë ministrja e Jashtme Baerbock, ditë e fundit ka pohuar se në takimet e shumta në këto vende, liderët e saj i kanë thënë troç “OK tani, por ku ishit ju kur ne kishim nevojë”? Nga ana tjetër, për këto vende agresioni rus është problem i Evropës, ku nuk kanë pse përfshihen ato, sepse dhe Evropa nuk ka treguar të njëjtin interes për konfliktet dhe luftërat jashtë saj.

Ndaj, kohët e fundit, Gjermania, por dhe ShBA-ja dhe BE-ja kanë nisur një ofensivë të gjerë diplomatike në këto vende me synime dhe alternativa konkurruese në fushën ekonomike dhe tregtare. Kështu, po bëhen përpjekje për përfundimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë MERCOSUR, e cila ka 20 vjet që zvarritet. Nga ana tjetër, Gjermania në strategjinë e sigurisë kombëtare duket se po heq dorë dhe nga synimi i saj i kahershëm për t’u zgjedhur anëtare e përhershme e KS-së në një OKB të ardhshme të reformuar.

Gjithashtu, ajo duket se nuk do të “këmbëngulë më si mushka” me Kinën dhe aleatët e saj lidhur me shtetin e të drejtës, demokracinë apo “diplomacinë etike dhe misionare”, siç njihet në zhargonin diplomatik. Kjo lloj diplomacie me këtë narrativë nuk ka më shans të funksionojë në këto vende, madje edhe në shtetet e BE-së. Berlini do të flasë dhe mbështetet me to duke iu referuar Kartës së OKB-së. Ca më tepër në këto 20 vjetët e fundit, demokracia liberale dhe vlerat që Perëndimi i ka promovuar,, kanë humbur shumë nga fuqia e tyre joshëse, tërheqëse dhe frymëzuese në favor të demokracisë joliberale, populizmit, ekstremizmit dhe “ izmave” të tjerë. Ndaj, sipas strategjisë së re, Berlini do të flasë dhe mbështetet me to duke iu referuar Kartës së OKB-së.

Për pasojë, në planin e Realpolitikës, Gjermania është më shumë në favor të një “rendi të ri botëror të bazuar në rregulla të qarta”. Ky përbën një ndryshim të madh cilësor në strategjinë dhe politikën e jashtme të Gjermanisë, por dhe vendeve të tjera perendimore që e dikton koha dhe rrethanat e tanishme të lartpërmendura.

Krahas evidentimit të risive të kësaj Strategjie, në politikën gjermane po bëhen si zakonisht dhe kritikat e rastit nga opozita, sindikatat e policisë, shoqëria civile etj.

Mangësia më e madhe sipas kritikëve është se nuk u ra dakord siç kishte propozuar Partia Liberale në koalicionin qeveritar për krijimin e Këshillit Federal të Sigurisë pranë Kancelarisë. Ky Këshill do të bënte drejtimin dhe bashkërendimin e zbatimit të kësaj stategjije në të gjitha nivelet.

Kritikët e tjerë shprehen se kjo strategji është një grumbull dëshirash dhe objektivash, por askush nuk e di se si dhe me çfarë burimesh njerëzore dhe financiare do të vihen në zbatim. Ndonëse u ra dakord në parim, nuk janë përcaktuar burimet njerëzore dhe financiare për të zbatuar këtë strategji, ndaj dhe mungojnë instancat dhe strukturat përkatëse.

Për pasojë, siguria kombëtare gjermane me strategjinë e re do të vijojë të trajtohet e ndarë si deri tani ndërmjet Kancelarisë, MPJ-së dhe 16 landeve. Ndaj, në median gjermane nënvizohet se kjo strategji “është pak Scholz dhe pak Baerbock” dhe “secili për vete, por askush për të gjithë”!

Mungesa tjetër që evidentohet është moskonsultimi i gjerë me 16 shtetet ose landet, siç njihen në Gjermani. Lidhur me këtë, kryeministri i Landit të Hesen Boris Reinit thotë se “siguria federale pa landet është si NATO pa ShBA-në”. Sepse sipas tij, vendimtare në përballimin dhe kapërcimin e të gjithë sfidave të sigurisë kombëtare, sidomos ato lidhur me klimën, krimin, katastrofat natyrore, shëndetësinë etj. janë landet dhe qeveritë e tyre me mekanizmat përkatëse.

Në përfundim, në përgjithësi, miratimi më në fund i strategjisë së parë kombëtare gjermane është rezultante e punës në ekip; ndaj, pavarësisht nga mungesat dhe mangësitë, pranohet gjerësisht se ajo përbën sukses për koalicionin qeveritar gjerman. Këtë e konfirmoi ditët e fundit dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili theksoi se kjo strategji do të ketë ndikim madhor pozitiv në sigurinë kolektive për gjithë Evropën dhe më gjerë.

Në trend

Më shumë
Harry Kane i përgjigjet incidentit të penalltisë me Jude Bellingham me një përgjigje të qartë

Harry Kane i përgjigjet incidentit të penalltisë me Jude Bellingham me një përgjigje të qartë

Liga e Kampionëve
Shtetasi turk iu vërsul me thikë policëve izraelitë në Jerusalem, qëllohet për vdekje – publikohen pamjet e momentit rrëqethës

Shtetasi turk iu vërsul me thikë policëve izraelitë në Jerusalem, qëllohet për vdekje – publikohen pamjet e momentit rrëqethës

Azia
Ilnisa dhe Meritoni takohen pas shumë kohe - puthje, lot dhe emocione mes çiftit në Big Brother VIP Albania

Ilnisa dhe Meritoni takohen pas shumë kohe - puthje, lot dhe emocione mes çiftit në Big Brother VIP Albania

Magazina
Ancelotti tregohet i sinqertë për lojën që bëri Bayerni përballë Realit

Ancelotti tregohet i sinqertë për lojën që bëri Bayerni përballë Realit

Liga e Kampionëve
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
Ancelotti tallet keq me Tuchelin pasi ky i fundit tha se Gnabry do shënojë ndaj Real Madridit

Ancelotti tallet keq me Tuchelin pasi ky i fundit tha se Gnabry do shënojë ndaj Real Madridit

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori