LAJMI I FUNDIT:

Gjermania paralajmëron se do të ketë mungesa lokale të naftës

Gjermania paralajmëron se do të ketë mungesa lokale të naftës
Foto: Ilustrim

Gjermania ka paralajmëruar se do të ketë mungesa lokale të naftës kur të hyjë në fuqi ndalimi në mbarë BE-në për naftën ruse në muajin janar 2023. Kjo është një tjetër shenjë e problemeve madhore që po shkakton kriza energjetike e Evropës në ekonominë më të madhe të kontinentit.

Paralajmërimi erdhi gjatë një përgjigjeje ndaj një pyetjeje që u bë nga deputetët e opozitës Kristian Demokrate (CDU) në lidhje me sigurinë energjetike në Gjermaninë lindore, ku ndodhen dy rafineri të mëdha të cilat kanë varësi të lartë nga nafta e papërpunuar ruse.


Në përgjigjen e saj, qeveria detajoi përpjekjet për të diversifikuar naftën dhe për ta bërë atë më pak të varur ndaj importeve të naftës ruse, por pranoi se embargoja mund të shkaktonte probleme për ekonominë e Gjermanisë Lindore.

Qeveria i krahasoi këto mungesa me bllokimet që u shfaqën në Gjermaninë jugore gjatë verës, kur temperaturat tepër të larta shkaktuan një rënie drastike të niveleve të ujit në lumin e Rinit, duke ndërprerë transportin nëpërmjet anijeve dhe duke rritur kështu kostot e transportit në rrugët kryesore ujore tregtare të Evropës.

Sanksionet e BE-së ndaj eksporteve të naftës ruse nëpërmjet anijeve hyjnë në fuqi më 5 dhjetor dhe përbëjnë një pjesë kryesore të përpjekjeve të bllokut për të privuar presidentin rus Vladimir Putin nga miliarda dollarë të ardhura që do të financonin luftën e tij kundër Ukrainës.

Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke negociuan për përjashtime të përkohshme nga kjo embargo, duke u bazuar te mungesa e alternativave të tyre ndaj naftës ruse.

Qeveria tha se tubacioni Rostock-Schwedt “është dhe mbetet një shtyllë e rëndësishme e furnizimit me naftë bruto jo-ruse për rafinerinë Schwedt”.

Aktualisht ai mund të dërgojë 5 deri në 6.8 milionë tonelata naftë në vit në Schwedt, por punët shtesë që po bëhen do të rrisin kapacitetin deri në rreth 9 milion ton në vit. Qeveria njoftoi në shtator se do të siguronte 400 milion € për të financuar këto punë shtesë. /Telegrafi/