Aksion i përbashkët inspektues në Prizren dhe Suharekë, kontrollohen 26 auto-parkingje

Inspektorati Qendror i Punës ka zhvilluar një aksion të përbashkët inspektues në komunat e Prizrenit dhe Suharekës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Inspektoratin Qendror të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (IQMINT), si dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren.
Sipas njoftimit, aksioni është realizuar në gjithsej 26 auto-parkingje, me qëllim të verifikimit të respektimit të legjislacionit në fuqi dhe evidentimit të parregullsive në ushtrimin e veprimtarisë së këtyre subjekteve.
"Gjatë inspektimeve janë konstatuar shkelje të ndryshme, për të cilat institucionet pjesëmarrëse kanë ndërmarrë veprimet përkatëse, secila në përputhje me kompetencat, mandatin dhe përgjegjësitë e saj ligjore", thuhet në njoftim.
Në aksion kanë marrë pjesë Inspektorati Qendror i Punës, Policia e Kosovës – Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Inspektorati Qendror i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Inspektorati Qendror i Punës theksoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet e tjera për të siguruar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve.
"Inspektorati Qendror i Punës mbetet i përkushtuar në bashkëpunimin ndërinstitucional për forcimin e zbatimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve dhe krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të ligjshëm të punës", thuhet në njoftim. /Telegrafi/


































