LAJMI I FUNDIT:

Gjermania jep 8 milionë euro grant për projektin e mënjanimit të ujërave të zeza në tri komuna të Kosovës

Gjermania jep 8 milionë euro grant për projektin e mënjanimit të ujërave të zeza në tri komuna të Kosovës

Qeveria e Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeveria e Gjermanisë e përfaqësuar nga Banka Zhvillimore Gjermane (KfW), sot nënshkruan Marrëveshjen Financiare të grantit për projektin “Mënjanimi i ujërave të zeza në Kosovën Jugperëndimore – FAZA V”.

Në prezencën e ambasadorit gjermna në Kosovë, Christian Heldt, marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave, Bedri Hamza dhe nga udhëheqësi i zyrës së KfW-së, René Eschemann, ku gjithashtu prezentë në këtë takim ishin edhe kryeshefat e Kompanive Regjionale të Ujësjellësve të Prizrenit, Pejës dhe Gjakovës.


Ministri Hamza gjatë takimit tha se “Gjermania ka dhënë për Kosovën 86 milionë euro, ku 50 për qind e tyre janë në formë të granteve, ndërsa kjo është marrëveshje e cila e ngrit shumën e marrëveshjeve që janë në formë të grantit, kontribut financiar pa kthim, pra para falë. Nga këto 86 milionë 50% me marrëveshjen që nënshkruam sot janë grante, donacione të institucioneve të Gjermanisë, gjë për të cilat e falënderojmë ambasadorin, institucionet gjermane dhe taksapaguesit gjerman që po kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës”.

Ndërsa, ambasadori Christian Heldt, tha se të gjitha fondet e dhëna nga Gjermania për trajtimin e ujërave të zeza janë në formë të granteve dhe se Gjermania do vazhdojë të mbështesë Kosovën në këtë sektor.

“Mbetemi të angazhuar dhe do të vazhdojmë me mbështetjen për trajtimin e ujërave të zeza në shumën prej 8 milionë euro sepse këto projekte kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe për ambientin dhe natyrën. Të gjitha fondet e dhëna nga Gjermania për trajtimin e ujërave të zeza janë në formë të granteve dhe zbatohen nëpërmjet KfW-së”, tha ai.

Kurse udhëheqësi i zyrës së KfW, René Eschemann, tha se ky projekt ka ndikim më të madh për qytetarët sesa furnizimi me ujë.

“Kemi investimet që kanë mbërri në 41 milionë euro, në tri qytetet fabrikat për trajtimin e ujërave të zeza janë në proces të zbatimit dhe këto 8 milionë do të përdoren për rehabilitime tjera shtesë. Ndikimi i këtyre projekteve duket më pak për qytetarët por ndikimi real është më i madh sesa furnizimi me ujë”, tha ai.

Kjo marrëveshje ka të bëjë me vendosjen e kamerave nëpër rrjete për këto komuna [Prizren, Pejë dhe Gjakovë] për identifikimin e nevojave për investime, dhe pastaj këto të dhëna vendosen në sistemin GIS (Sistemin Informativ Gjeografik), ku në të ardhmen, me investim tashmë të zotuar të Qeverisë Gjermane, do të mundësohet edhe ndarja e ujërave të zeza nga ujërat atmosferikë. /Telegrafi/