LAJMI I FUNDIT:

Gjermania e re e Angela Merkelit

Gjermania e re e Angela Merkelit

Marcel Fatzscher

Bashkimi Demokratik Kristian (CDU) i kancelares gjermane Angela Merkel, mund të ketë fituar shumicën në zgjedhjet federale të shtatorit, por kjo nuk do të thotë që e ardhmja e vendit është e qartë. Ajo që del ndërsa Merkel kërkon të formojë një koalicion të ri me të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë nuk do të formësojë vetëm trajektoren ekonomike të Gjermanisë gjatë katër viteve të ardhshme. Ajo do të përcaktojë gjithashtu fatin e transformimit të vendit në një shoqëri vërtet të hapur.


Në më pak se një brez, Gjermania, dikur burri i sëmurë i Evropës, është shfaqur si një central elektrik ekonomik botëror. Por, e vërteta është se suksesi i tanishëm ekonomik i Gjermanisë është më pak rezultat i politikave të mira sesa i kushteve të favorshme të jashtme, sidomos në Evropë, gjë që siguroi një kërkesë të fortë për eksportet gjermane.

Për të qenë të sigurt, reformat e rëndësishme ekonomike në vend bënë të mundur që Gjermania të përfitonte nga kërkesa e jashtme. Por ato ishin ndërmarrë shumë kohë para se Merkel të vinte në pushtet dhe pak reforma ekonomike kuptimplotë u vunë në zbatim gjatë mandatit të saj 12-vjeçar. Për shembull, investimi privat vendas mbetet i dobët, pjesërisht për shkak të shërbimeve të mbingarkuara dhe barrëve të rënda burokratike.

Për më tepër, meqenëse qeveria gjermane ka predikuar masat shtrënguese ndaj fqinjëve të saj, ajo ka rritur shpenzimet sociale për pensionet dhe transfertat, gjithçka duke lejuar që investimet publike neto të kthehen negative. Shqyrtimi shumë i nevojshëm i sistemit të taksave, i cili dikur u hoq nga CDU, nuk ka arritur të materializohet. Dhe, edhe pse punësimi është rritur gjatë mandatit të Merkelit, krijimi i vendeve të punës nuk ka arritur të ulë segmentin e të ardhurave të ulëta të tregut të punës.

Partitë që ka më shumë gjasa të formojnë qeverinë e ardhshme – CDU (dhe partia e saj simotër bavareze, Bashkimi Social Kristian), të Gjelbërit dhe Demokratët e Lirë – tani po luftojnë për mënyrën më të mirë për të përdorur suficitet e mëdha fiskale të Gjermanisë për t’i shërbyer zgjedhësve të tyre përkatës . Çfarëdo vendimi që ara marrin, performanca ekonomike e Gjermanisë ka gjasa të mbetet e fortë, të paktën në aspektin e tregtisë dhe një buxheti të ekuilibruar.

Prova e vërtetë e të ashtuquajturit koalicion i Xhamajkës (i quajtur kështu për shkak të ngjyrave të partive) qëndron diku tjetër. Atë që Merkelit i ka munguar në arritjet e politikës ekonomike, ajo e ka shlyer duke sjellë ndryshime sociale. Nën udhëheqjen e saj, Gjermania është bërë shoqëria e hapur që është sot. Por kjo është gjithashtu një shoqëri shumë e ndarë.

Siç është, rreth 20 për qind e popullsisë së Gjermanisë prej 82 milionë banorësh ka një sfond migrues dhe rreth pesë milionë janë myslimanë. Ky multikulturalizëm reflektohet në ndryshimin e perspektivave nga ana e të gjithë gjermanëve. Katër në pesë gjermanë tani mendojnë se Islami dhe homoseksualiteti janë pjesë e shoqërisë gjermane. Tre nga katër thonë të njëjtën gjë për emigrantët dhe refugjatët. Dhe Gjermania ka një nga popullsitë më pro-europiane në kontinent.

Tre qeveritë e fundit, të gjitha të udhëhequr nga Merkeli, kanë kontribuar fuqishëm në këtë transformim. Kritikët e quajnë Merkelin kancelaren e parë social demokrate nga një parti konservatore, sepse ajo ka përqafuar shumë politika progresiste, ndërkohë që predikon stabilitet dhe vlera tradicionale. Ndoshta vendimi i saj më i rëndësishëm – i cili pothuajse i kushtoi asaj postin, por mund të formësojë trashëgiminë e saj – ishte vendimi i saj i vitit 2015 për të pranuar, pavarësisht kundërshtimit të ashpër nga shumë anëtarë të partisë së saj, të pothuajse 1.5 milion azilkërkues dhe për të nxitur integrimin e tyre në shoqërinë gjermane.

Qeveritë e Gjermanisë të udhëhequra nga Merkeli kanë mbështetur gjithashtu arsimimin e hershëm të fëmijëve dhe të drejtat e tyre, duke mbikëqyrur progresin substancial në barazinë gjinore. Qarja e gjerë dhe më fleksible në tregun e punës, zgjerimi i hapësirës së fëmijërisë së hershme dhe stimujt financiarë kanë nxitur një rritje në pjesëmarrjen e fuqisë punëtore të femrave në më shumë se 70 për qind, një nga më të lartat në botën e industrializuar. Qeveria aktuale gjermane gjithashtu zbatoi një kuotë prej 30 për qind pjesëmarrje të grave në bordet mbikëqyrëse të kompanive të mëdha, si dhe një ligj mbi transparencën e pagave që synon zvogëlimin e hendekut të pagave me bazë gjinore, që është ende në 21 për qind.

Ndërkohë që Merkel nuk i drejtoi këto reforma – sepse ajo duhet të shmangte alienimin me ata në partinë e saj që i shikonin ato negativisht – ajo ofroi mbështetje të heshtur. Në mënyrë të ngjashme, edhe pse vetë Merkel votoi këtë vit kundër legalizimit të martesës së homoseksualëve, gjë të cilën shumë nga partia e saj nuk e mbështesin, ajo pranoi me dashamirësi vendimin e Bundestagut, duke deklaruar se ajo shpresonte se votimi do të promovonte jo vetëm “respektin midis opinioneve të ndryshme”, por “do të sillte edhe më shumë kohezion social dhe paqe”.

Së fundmi, është talenti i Merkelit në tejkalimin e ndarjeve sociale dhe politike që e ka bërë t mundur transformimin e Gjermanisë në një shoqëri të hapur. Dhe kjo, jo politika ekonomike, në fund të fundit mund të bëhet arritja më e madhe e kancelarisë së saj. Në disa mënyra, Gjermania ka arritur tashmë në një pikë që s’ka më kthim pas në rrugën e saj drejt të qenit e hapur, për shkak të politikës së refugjatëve të Merkelit të vitit 2015.

E megjithatë para ka sfida shumë të mëdha. Përtej sfidave teknike dhe sociale të lidhura me integrimin e suksesshëm të refugjatëve, ekziston një nevojë për tolerancë më të madhe ndaj Islamit dhe diversitetit në përgjithësi nga ana e të gjithë gjermanëve. Gjithashtu do të nevojiten ndryshime të mëtejshme në politikat familjare dhe gjinore, si edhe një rishikim i sistemit arsimor.

Ndërsa Gjermania vazhdon të debatojë se ç’do të thotë të jesh gjerman, rezultati i negociatave aktuale të koalicionit do të përcaktojë nëse qeveria e ardhshme e Merkelit përballet me efikasitet me këto sfida. Nëse është kështu, Merkeli do të mbahet mend si arkitektja e një shoqërie të re gjermane. /Project Syndicate/reporter.al/