LAJMI I FUNDIT:

Gjatë viti 2017 u asgjësuan 500 mijë kilogramë produkte ushqimore

Gjatë viti 2017 u asgjësuan 500 mijë kilogramë produkte ushqimore

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, gjatë vitit 2017, ka asgjësuar 50 mijë kilogramë produkte të ndryshme ushqimore të cilat nuk i kanë plotësuar kriteret për konsumë.

Kryeshefi i AUV-it, Valdet Gjinovci në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se AUV gjatë vitit 2017, ka pasur një varg angazhimesh dhe gjithë stafi i Agjencisë ka qenë i përkushtuar për realizimin e objektivave të punës sa i përket kontrollit të produkteve ushqimore, në të njëjtën kohë edhe të ruajtjes së shëndetit kafshëve në kuadër të aktiviteteve që janë realizuar në terren.


Gjinovci ka shtuar se AUV është fokusuar në realizmin e kontrollit të produkteve ushqimore qoftë të atyre të importit dhe atyre që prodhohen në Kosovë.

“Kemi kontrolluar dhe asgjësuar produkte ushqimore të cilat nuk i kanë plotësuar kriteret për përdorim nga an e konsumatorëve dhe tryezat e familjeve në përgjithësi. Në këtë drejtim gjatë vitit 2017, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka arritur falë inspektimeve dhe kontrolleve të vazhdueshme vetëm produkte ushqimore të asgjësoi afër gjysmë milioni ose 499 mijë kilogram produkte ushqimore me origjinë bimore dhe shtazore. Nga kjo rreth 226 mijë kilogram produkte të ndryshme pijeve dhe lëngjeve, të cilat nuk i kanë plotësuar kriteret për përdorim nga ana e konsumatorëve dhe qytetarëve të vendit”, ka thënë Gjinovci.

Kryeshefi i AUV ka thënë se si Agjenci kanë arritur që të parandalojë edhe kontrabandën e të gjitha atyre produkte ushqimore të cilat kanë tentuar subjekte të ndryshme t’i futin në Kosovë, përfshirë këtu edhe kafshët e gjalla.

“Falë bashkëpunimit të mirë që AUV ka me Policinë e Kosovës dhe me Doganën, që jemi edhe pjesë e menaxhimit të integruar të kufirit, kemi arritur edhe në parandalimin e produkteve të ndryshme për të cilat kanë tentuar subjekte të ndryshme që ato t’i kontrabandojnë dhe ato produkte ushqimore janë asgjësuar dhe nuk është lejuar që të përdoren nga ana e konsumatorit”, ka thënë ai.

Ai thotë se si sfidë që është përballur AUV gjatë këtij viti ka qenë rasti me sëmundjen gungore të lëkurës së kafshëve, ku krahasuar me vitin 2016, në vitin 2017, AUV ka qenë më e përgatitur dhe është arritur që të realizohen aktivitetet me kohë.

Mirëpo, sipas tij, AUV është në proces të finalizimit të kompensimit për të gjitha kafshët e ngordhura në fermat e fermerëve.

“Të gjithë fermerët e vendit të cilët kanë humbur kafshët e tyre nga sëmundja gungore falë edhe vendimit të qeverisë, të cilin e ka marr në këtë vit, të gjithë ata janë në proces të kompensimit për të gjitha kafshët e ngordhura në fermat e tyre… Asnjë nuk do të mbetet pa u kompensuar për kafshët e tyre të humbura. Vendimi i qeverisë do të thotë që për të gjitha kategoritë e kafshëve. 1,200 euro për krerë (lope), për viça 500 euro dhe dema e mëshqerra 800 euro”, ka theksuar Gjinovci.

Ai ka shtuar se edhe në vitin 2018, do të vazhdojnë të jenë të përkushtuar që çdo konsumator dhe çdo familje kosovare në sofrat e tyre të kenë produkte cilësore./Telegrafi/