LAJMI I FUNDIT:

Gerhard Schroder – kancelari i kohës së bombardimeve të NATO-s më 1999, sot i besuar i Kremlinit

Gerhard Schroder – kancelari i kohës së bombardimeve të NATO-s më 1999, sot i besuar i Kremlinit

Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroder, pritet të zgjidhet anëtar i bordit drejtues të gjigandit rus të naftës dhe gazit – Rosneft.

Koncerni Rosneft i përket me rreth 70 për qind shtetit rus. Kancelarja Angela Merkel e quajti angazhimin e Schroderit në kryesinë e këtij koncerni si diçka jo të mirë.


Rosnefti bën pjesë në radhët e atyre sipërmarrjeve që janë ngarkuar me sanksione nga BE-ja për shkak të pushtimit të Krimesë nga Rusia.

Politikanë të tjerë gjermanë u shprehën edhe më ashpër se kancelarja Merjkel. Sekretari i përgjithshëm i CSU-së, Andreas Scheuer, e quajti Shrëderin “mercenar rus”. Kurse euro-deputeti i të Gjelbërve, Reinhard Bütikofer , e quajti atë “shërbëtor me pagesë të politikës së Putinit”.

Schroder. që prej përfundimit të karrierës së tij politike, ishte kryetar i bordit të aksionerëve të konsorciumit të gazsjellësit Nord Stream, shumicën e aksioneve të cilit i ka në zotërim koncerni shtetëror rus Gazprom.

Ish-kancelari 73-vjeçar u mbrojt me forcë ndaj kritikave dhe tha se “bëhet fjalë për jetën time dhe për të vendos unë dhe jo shtypi gjerman.”

Partia Socialdemokrate, së cilës i përket kancelari, mendon ndryshe. Martin Schulz u distancua në një intervistë prej tij duke thënë se “çfarë bën një ish-kancelar është jo tërësisht çështje private”, sidomos kur ai vazhdon të përzihet në jetën politike gjermane, gjë që Shrëderi e bën me kënaqësi.

Schroder ishte kancelar i Gjermanisë gjatë bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake dhe policore serbe. Në kohën e tij e me rastin e Kosovës, pas disa dekadash Ushtria gjermane angazhohet jashtë vendit. Por, më vonë ishte kundër pavarësisë së Kosovës, ndërsa aneksimin e Krimesë nga Rusia e barazoi me luftën e NATO-s më 1999, si “shkelje të ligjeve ndërkombëtare”. Kështu, çdo veprim të liderit rus, Vladimir Putin e justifikon si mbrojtje ndaj kërcënimeve që i vijnë atij nga Perëndimi. /DW/Telegrafi/