LAJMI I FUNDIT:

George Tames, fotografi shqiptar i dhjetë presidentëve amerikanë

George Tames, fotografi shqiptar i dhjetë presidentëve amerikanë

Nga: Kristaq Balli

George Tames (Xhorxh Tejms) 1919-1994, ishte pinjoll i një familjeje emigrantësh të brezit të parë të shqiptarëve në ShBA. Si për koincidencë, ai lindi në Washington D.C., në një shtëpi që ndodhej nën hijen e Capitol Dom-it, pikërisht aty ku ai do të punonte thuajse për gjysmë shekulli për gazetat “Life-Time”, “The New York Times” e revistën e saj Sunday Magazine (Revista e së Dielës), etj.


Ai ishte më i madhi i shtatë fëmijëve të familjes patriarkale që lindën njeri pas tjetrit dhe po t’i shtosh kësaj edhe faktin se vëllezërit e motrat e tij erdhën në jetë gjatë kohës së Depresionit të Madh, Georgesi duhej të mos e vazhdonte rregullisht shkollën e të ndihmonte babain e tij Kristo si çirak në punën e tij për të përballuar situatat e vështira ekonomike familjare, që kur ishte 8-9 vjeç. Midis të tjerash ai e përhin të atin kështu: “… babai im ishte një shitës ambulant me një karrocë dore dhe unë e lashë shkollën e lartë për të punuar… Ai ishte një njeri i mirë. Ishte i fortë e i vrazhdë, ndaj ai nuk e kuptoi kurrë këtu lirinë pasi vinte nga një shoqëri pothuaj feudale në Shqipëri…”.

Më pas ai punoi ilegalisht si kamerier në kazinon “Hot Shoppes”.

Më 1938, pra kur George ishte 19 vjeç, u bë për të një vit vendimtar në jetën e tij. Ai ia dedikon këtë një njeriu të quajtur Harold J. T. Horan, i cili sapo kishte hapur një zyrë për revistën “Time” Inc. dhe me iniciativën e vet mori Georgen si korrier zyre. Me këtë rast, ai hyri për herë të parë brenda Capitol Hill-it, ku u magjeps sa u harrua e qëndroi aty gjithë ditën e u kthye në zyrë vonë pasdite. “Ky ishte fillimi. Një botë e tërë e re hapej përpara”.

Në vitin 1936, kompania “Times” kishte blerë edhe aksionet e revistës “Life” dhe njihej tashmë si “Time-Life” (Revista “Life” ishte krijuar e botohej qysh ne vitin 1883. Për koinçidencë, në vitin 1939, në revistën “Life” kishte filluar punë edhe fotografi i shquar shqiptar Gjon Mili, i cili shpejt do të konsiderohej si një prej fotografëve ekselentë botërorë).

George kishte blerë një aparat fotografik “Leica” dhe fotografonte çmundte, punonjësit e zyrës, ashtu si edhe poshtë e lart. Sigurisht pa asnjë mësim profesional, vetëm nëpërmjet provave praktike dhe gabimeve, madje duke hyrë edhe në dhomën e errët laboratorike për të realizuar printimet e fotove të tij nëpërmjet vëzhgimeve e intuitës.

Kështu, shumë shpejt, kishte filluar një erë e re në punën profesionale e krijuese të George Tamesit. Fotografitë e para të tij ishin ato të njerëzve të ndryshëm, të administratës presidenciale të asaj kohe, senatorë, kongresmenë dhe figura të njohura të politikës e jetës administrative në Capitol Hill, të realizuara fillimisht me ndruajtje, por që shpejt do të përcaktonin fushën e veprimtarisë së tij të mëtejshme.

George Tames mësoi fotografinë ashtu siç mësoi edhe historinë, politikën, psikologjinë dhe diplomacinë: përmes kuriozitetit, energjisë së pashtershme dhe mundësisë direkte ndaj burimeve më të mira që askush nuk mund t’i imagjinojë. Auditorët e tij ishin korridoret, zyrat, dhomat e konferencave dhe mjediset e fshehta të Capitol-it dhe mësuesit e tij ishin politikanët të cilët bënin ligjet, si dhe gazetarët që shkruanin për ta.

Fillimet e punës së tij koinciduan gjithashtu, me angazhimin amerikan në Luftën e Dytë Botërore. Për shkak të saj shumë fotografë e reporterë të njohur amerikanë shkuan në Evropë, Azi e Lindjen e Largët, në terren ku zhvillohej lufta, për ta pasqyruar atë direkt. Pra, një brezi më të ri fotografësh, midis të cilëve edhe George Tames, iu krijua një mundësi më shumë për të gjetur hapësira pune mediatike në Shtetet e Bashkuara.

Deri në vitin 1945 ai, falë edhe disa cilësive e aftësive humane për t’u bërë shpejt i shoqërueshëm me çdo njeri, pavarësisht nga pozita e tij, për të krijuar lidhje e afinitet miqësor, për të qënë inteligjent, i hapur, i komunikueshëm e i besueshëm, për t’u përshtatur shpejt e natyrshëm me njerëzit e mjedisin, për sensin sipëror të humorit dhe të të shprehurit intuitiv ndaj personazhit apo situatës konkrete, për të guxuar e sfiduar, por edhe duke qëndruar e punuar shumë gjatë gjithë ditës së punës për të fiksuar çdo situatë politike ditore, si dhe duke mbajtur konspirative ato që dëgjonte e nuk duhej të merreshin vesh, ai shpejt krijoi pozicionin e vet komod midis fotogazetarëve të tjerë të shumtë.

Gjatë viteve që punoi për “Time-Life” ai fotografoi dhe shkroi për shumë ngjarje, grupe njerëzish, individësh politikë, bëmash e faktesh të bujshme, skandalesh, rrymash, marrëdhëniesh e konfliktesh “djathtas, a majtas” duke krijuar një imazh interesant të profilit të tij profesional dhe duke qenë i mirëpritur e i vlerësuar nga qarqet politike të Washingtonit e sidomos të drejtuesve të kompanisë mediatike “Time-Life”. Fotot e kësaj periudhe i kushtoheshin kryesisht presidentit Franklin D. Rusvelt dhe administratës së tij. (Franklin D. Roosvelt 1882-1945, presidenti XXXII për katër mandate rresht 1933-1945). Rusvelti ishte presidenti i parë që ai fotografoi.

Në “Time-Life” ai konsolidoi vendin e tij të punës dhe krijoi në mjedisin politik të Capitol Hill-it personalitetin e tij intelektual e profesional dhe u kompletua me atmosferën e jetës së vërtetë politike që gëlonte në sallat e korridoret më të rëndësishme të politikës globale. “Unë bëhesha shumë miqësor me individë. Unë isha i aftë të punoja me ta, madje shumë herët. Bëja miq lehtësisht, dhe kështu krijoja konfidencën e tyre. Më e rëndësishmja, ata e shfaqnin këtë kur unë isha duke i fotografuar ata, sidoqoftë nuk u përmendja asgjë të të tjerëve. Si rezultat unë kisha konfidencën e anëtarëve”.

Në vitin 1945, atij i ofrohet një vend pune në gazetën “The New York Times”. Ai jo vetëm që nuk e refuzoi, por e pranoi atë me kushtin e një page më të lartë, kërkesë të cilën ia pranuan. Fillonte një kapitull i ri, më i rëndësishmi, më i gjati dhe më vendimtari në jetën e tij profesionale, sociale e intelektuale, ngjarjet e të cilit do të zhvilloheshin, gjithsesi, në të njëjtin sfond, në të njëjtën arenë politike, por tashmë në favor të një tjetër organi mediatik, politikisht e social më prestigjoz, “The New York Times”. Puna si fotograf lajmesh e tërhiqte, megjithëse në atë kohë fotografët nuk lejoheshin të qarkullonin në korridoret e Kongresit. Por, shpejt, ai u lejua të bënte foto individuale të anëtarëve të Kongresit dhe, nga fundi i Luftës II Botërore, ai ishte nga të paktit fotografë që u lejuan të fotografonin presidentin Rusvelt.

Presidenca moderne amerikane fillon pikërisht me presidentin Franklin D. Rusvelt, i cili i admironte dhe i shfrytëzoi shumë fotografitë dhe mediat e shkruara e radiofonike dhe, për më tepër, sepse ai konsiderohej si njeriu që fitoi Luftën e Dytë Botërore. Ai fitoi katër mandate rresht dhe e ushtroi detyrën e presidentit për 12.5 vjet, deri sa u nda nga jeta duke lënë në mes mandatin e katërt. Për shkak të sëmundjes së tij paralitike, aksesi fotografik ndaj tij ishte e kufizuar dhe e parapërgatitur me kujdes, që ai të mos reflektonte në foto sadopak nga sëmundja e tij. Kështu “censura” fotografike ndaj tij ishte një marrëveshje etiko-morale me fotografët për të mos e fotografuar atë kur lëvizte me karrigen e invalidit. Për herë të parë ai e fotografoi Rusveltin më 1941 gjatë paradës së tij inauguruese dhe për të fundit herë kur arkivoli i tij kthehej në Washington nga Georgia, në prill të vitit 1945. Kishte filluar kësisoj për George Tames pa e menduar “maratona” 50 vjeçare e fotografimit të 10 presidentëve rresht, një rekord Gines dhe destinacion i pamundur për asnjë prej fotografëve të tjerë të integruar në Shtëpinë e Bardhë.

George Tames jo vetëm i ka fotografuar ata, por ka penetruar në botën e tyre të brendshme, i ka qëmtuar psikologjikisht të gjithë në momentet e tyre të punës, të vështirësive dhe situatave të mprehta politike, por edhe në momente shplodhëse, familjare, intime, bisedash personale me ta gjatë procesit të fotografimit, veçanërisht ka interpretuar raportet e tyre me mediat, fotografët, reporterët dhe i ka shkruar e botuar të gjitha këto mbresa me një mjeshtëri e pathos të admirueshëm objektiv letrar, profesional e human, jo si fotoreporter, por si shkrimtar i thekur, në librin e tij autobiografik “An Eye on Washington” (Sy mbi Washingtonin) (1980), ku lexuesi mund të mësojë detaje të shumta nga individualiteti, personaliteti, pikat e përbashkëta e të veçanta të presidentëve, ngjarjet pikante historike, politike, ekonomike të një gjysmë shekulli shumë turbulent, pra një lloj enciklopedie të shkruar me fjalë por edhe me foto respektive.

Kështu, pas vdekjes së Rusveltit, zëvendësi i tij Harri Truman (Harry S. Truman, 1884-1972 presidenti XXXIII (1945-1953) i ShBA-ve) mori presidencën. Ajo ç’ka, veç të tjerash, George Tamesit i ka mbetur në kujtesë mbi marrëdhëniet e Trumanit në raport me gazetarët e fotografët ka të bëjë me faktin se si njeri i hapur e i lirshëm ai nuk hezitonte të takohej me gazetarët dhe, ndër të tjera të bënte edhe humor me ta.

Ai ishte lehtësisht i komunikueshëm edhe për punën e fotoreporterëve dhe mbante me ta raporte të veçanta respekti e afeksioni profesional, por edhe human. Midis të tjerash, Presidenti Truman krijoi “One More Club” dhe e konsideroi veten si president të tij… Ai ishte krenar me të. Kur në Shtëpinë e Bardhë vinin vizitorë ai i uronte ata formalisht dhe paskëtaj rrotullohej në mënyrë që t’ju krijonte mundësinë fotografëve për të bërë një foto të mirë. Ai ju thoshte vizitorëve: Këta janë miqtë e mi; janë anëtarë të “One More Club” dhe përveç se unë jam president i Shteteve të Bashkuara, jam edhe president i “One More Club”… dhe shtonte: edhe pse unë jam president i Shteteve të Bashkuara dhe kryekomandant i kombit më të fuqishëm në botë, unë nuk marr urdhra nga asnjë, përveç fotografëve… pas mbarimit të mandateve presidenciale ndodhte që kur ai takohej me mua, më thosh: Si ia kalon, George? Si janë djemtë e mi? Si janë miqtë e “One More Club”?… “Ky president ishte i pari që i kushtoi interes problemeve teknike e personale të fotoreporterëve. Zëri i tij hundor, i butë, i thatë dhe i ngadaltë, veprimet e gjestet e panxituara synonin t’i vendosnin fotografët në lehtësi e shkujdesje, të cilat ishin një çelës modestie. Ne punonim me një dijeni se ky burrë mund të bënte lëshime ndaj vetes për të na bërë të mundur ne realizimin e fotove”.

…Presidenti Truman ishte pa dyshim i preferuari i Georgesit, pasi ai ishte i pari që i trajtoi fotografët me respekt e kujdes të veçantë. Tames pëlqen të kujtojë faktin që Truman “i bëri fotografët e Shtëpisë së Bardhë qytetarë të klasit të parë” nga zhvendosja e tyre prej dhomës së vogël në krahun perëndimor e quajtur “stela e qenit” në të drejtën për të qëndruar në dhomën e shtypit.

Trumani i admironte mediat dhe ju besonte fotografëve… Sipas vetë Tames: “Presidenti Truman relaksohej lehtësisht, qeshte kollaj, jetonte pa teklif përballë kamerës. Ai ishte vetvetja, miqësor, llafazan, por i vetëdijshëm.)”

Megjithatë, 28-30 vjeçar, Tames reflektonte një karakter dhe një personalitet të pjekur intelektual e profesional, një talent e maturi mjeshtërore, ai u bë qysh atëhere një prej fotografëve e fotoreporterëve më të afërt e protagonist të Shtëpisë së Bardhë, akumuloi një përvojë politike, kulturore e etike të lakmueshme, të cilat, së bashku i krijuan edhe një dhunti humane, atë të krijimit të një bagazhi të madh kujtimesh e reflektimesh profesionale, politike, intelektuale e humane, të cilat ai do t’i përgjithësonte më vonë në kujtimet e tij të vyera.

Një tjetër ndjeshmëri e qëndrim mbajti presidenti pasardhës, Ajzenauer (David Dwight Eisenhower, (1890-1969). Presidenti XXXIV i ShBA-ve, dy mandate 1953-1961) ndaj fotografëve dhe reporterëve. Ai është konsideruar jo aq i hapur e dashamirës me fotografët, mbasi fillimisht i konsideronte ata si njerëz të pakultivuar denjësisht dhe ndërmori një veprim disi radikal duke mbyllur kontaktin e drejtpërdrejtë me ta e duke vendosur midis tij dhe tyre një barrierë institucionale, atë të sekretarit të shtypit që kufizonte kontaktet dhe mundësitë e fotografëve për më shumë liri komunikimi. “…Politika e Shtëpisë së Bardhë për t’i bërë të shurdhër fotografët në zyrën e presidentit u formalizua nga Ajzenaueri. Ҫdo fjalë ishte e privilegjuar, duke përfshirë edhe bashkëbisedimet me ne”. Megjithatë, George Tames krijoi marrëdhënie korrekte e mqësore me Ajzenauer-in, i cili e vlerësoi gjithashtu fotografin si një nga më të mirët e Shtëpisë së Bardhë. Nga të katër fotoportretet zyrtare të presidentit, tre prej tyre ishin realizime të George Tames, madje me njerën prej tyre (ajo e vitit 1953) u printua më 1970 emisioni i pullës respektive për nder të tij. Po ashtu foto të rëndësishme u konsideruan ato të “panikut të drithit në Kansas”, si dhe ato që lidheshin me armatimet me rreze të gjatë veprimi, që konfirmonin ashpërsimin e Luftës së Ftohtë.

Presidenca e Xhon Kenedit (John Fitzgerald “Jack” Kennedy (1917-1963 XXXV i SHBA) u konsiderua si ajo e një brezi të ri amerikanësh). Xhon Kenedi u bë për amerikanët simboli i një bote dhe shprese të re humane, sidomos i brezave të rinj. Tames kujton se e lidhnin me Kenedin ndjenja të veçanta afeksioni. Kenedi ishte vetëm dy vjet më i madh se ai, ndaj shpesh diskutonin për shpresën dhe të ardhmen e tyre, ashtu si edhe, kryesisht, ndanin të njëjtën filozofi politike e ëndrra… George Tames kujton se “Roli im në mbretërinë e politikës ishte jozyrtar, e një shakaxhiu dhe reporteri thashethemaxhi i vërtetë, pasi unë fotografoja Kenedin si dhe stafin e tij të ri, të etur, efiçient e luajal. Ata, unë dhe miliona amerikanë të tjerë besonin në magjinë e një njeriu të bekuar me një hir të veçantë mendjeje e veprimi”.

Aksioni politik i Kenedit kundrejt Luftës së Ftohtë, ngjarjet delikate në marrëdhëniet me Kubën e ish Bashkimin Sovjetik i dhanë fotografit Tames terrenin për një aktivizim të ngjeshur profesional pasi mbulimi i shtypit nga Kenedi ishte i favorshëm. Shumë reporterë dhe fotografë e kishin njohur atë si kongresmen e senator duke krijuar marrëdhënie të cilat vijuan gjatë presidencës së tij, kështu ishte e lehtë të flisje me të, të bëje shaka dhe të konkludoje se Shtëpia e Bardhë ishte një vend i përshtatshëm. Presidenti Kenedi ishte i ndjeshëm ndaj sugjerimeve të reporterëve ose fotografëve mbi historitë e mundshme të Shtëpisë së Bardhë. Kërkesat e filtruara nëpërmjet Zyrës së Shtypit, e obligonin atë të ftonte reporterin apo fotografin, ideja e të cilëve i pëlqente dhe më tej e diskutonin atë më thellë, apo e vinin në zbatim.

Për George Tames kjo periudhë shënon kulmin e suksesin më të madh në veprimtarinë e tij si fotogazetar, kur ai u bë botërisht edhe më i famshëm. Vajza e tij, Stephanie, thotë se në shtëpinë tonë kishte aq shumë foto të Kenedit të varura në mure, sa neve na dukej sikur ishim pjesëtarë të familjes së tij. Mbulimi i shtypit nga Kenedi ishte i favorshëm. Shumë reporterë dhe fotografë e kishin njohur atë si kongresmen e senator duke krijuar marrëdhënie të cilat vijuan gjatë presidencës së tij, kështu ishte e lehtë të flisje me të, të bëje shaka dhe të konkludoje se Shtëpia e Bardhë ishte një vend i lumtur.

Obsesioni i presidentit Kenedi me vendosjen e një imazhi rinor mbeti me të gjithmonë. Një nga gëzimet e fotografëve të shoqërimit me Kenedin ishte kaosi i dukshëm që pasonte. Qëndrimet e paplanifikuara dhe ngjarjet e paparashikuara iu dhanë fotografëve disa nga fotot më të bukura.

Presidenti Kenedi ishte i ndjeshëm ndaj sugjerimeve të reporterëve ose fotografëve mbi historitë e mundshme të Shtëpisë së Bardhë. Kërkesat e filtruara nëpërmjet Zyrës së Shtypit, e obligonin atë të ftonte reporterin apo fotografin, ideja e të cilëve i pëlqente dhe më tej e diskutonin atë më thellë, apo e vinin në zbatim.

Po, mbi të gjitha, një foto e pazakontë, unike, origjinale, e papërsëritshme, sensacionale, që ka thyer çdo skemë imagjinate dhe “kanune” fotografike ndaj një presidenti, por edhe sepse ajo do të ngjallte dhe shumë e diskutueshme, komente, interpretime, që kumboi fort e u bë simbol e përgjithësim i vlerave, përgjegjësive, rëndësisë, fuqisë, solemnitetit e humanizmit të çdo presidenti amerikan është ajo me titull “Puna më e vetmuar në botë” (1961). Kjo foto u popullarizua në mënyrë eksponenciale në Amerikë dhe në shumë vende të botës jo vetëm për vlerat e saj politike e humane, por edhe për ato profesionale, artistike e estetike. Është bërë tashmë një rregull i pashkruar që kjo foto qëndron e varur në zyrën ovale dhe çdo president e “imiton” atë me një shkrepje speciale gjatë mandatit të vet. Gjithashtu, Tames pati marrëdhënie miqësore me gruan e Kenedit, Zhaklinën dhe e konsiduar si shumë inteligjente, “magjepsëse” e fotozhenike, por edhe sepse ajo rikonstruktoi sipas shijeve të saj një pjesë të shtëpisë së Bardhë dhe organizonte eventet sociale, ai i ka rezervuar foto të shumta, kryesisht jozyrtare. Miqësinë me të ai e mbajti edhe pas tragjedisë së Kenedit.

Lindon Xhonson (Lyndon Baines Johnson , 27 Gusht 1908 -22 Janar 1973, presidenti XXXVI i ShBA-ve, 1963-1969) kishte një afeksion të veçantë për fotografitë, sidomos për ato që lidheshin me staturën e tij politike e humane, por edhe me një pamje sa më fotozhenike e imponuese. Në këtë kontekst George Tames e kishte studiuar e zhbiruar thellë Xhonsonin shumë kohë më parë, pasi ai ishte i vetmi që i kishte kaluar të gjitha pozicionet politike në Capitol Hill dhe Shtëpinë e Bardhë. Madje George Tames thosh se e kishte mik Xhonsonin. “Mund të bëja shaka me të apo t’i tregoja ndonjë skandal që dëgjoja ose mblidhja rreth Capitol Hill-it dhe t’i tregoja anekdota dhe ai do të qeshte.” George e përcakton Xhonsonin si humorist të thekur e të referuar si “i shthurur Teksasi”; shakatë seksiste nuk mund të përsëriteshën më mirë jashtë qarqeve të mbyllura që i dëgjonin ato. Në të vërtetë, sensi i tij i humorit nuk kishte limit. Por, kur vinte puna për fotot e botuara në New York Times, ai i kritikonte dhe e fajësonte fotografin nëse ato nuk i pëlqenin. Përse nuk më bëjnë foto të mira si Kenedit, ankohej ai dhe i hidhte në dysheme fotot qi i vinin përpara në tavolinë.

Xhonsoni kishte obsesionin e të pëlqyerit të fotove që e paraqitnin atë nga ana e majtë e fytyrës dhe sa herë fotografohej përpiqej që, me marifet, të pozicionohej nga ajo anë, madje edhe kur fotografohej me persona të tjerë.

Ai shprehte interes të veçantë për t’u paraqitur në New York Times sa më mirë, kështu ai u përpoq që t’u sugjeronte e kultivonte fotografëve dhe reporterëve këtë syninm estetik të tij. Ndërkaq Georgen e kishte caktuar si përgjegjës për të gjitha fotot që botoheshin në New York Times, pavarësisht se kush i kishte realizuar. Nuk falej edhe nëse ato ishin të të tjerëve. “George, i thosh ai, ti je miku im. Ti duhet të kujdesesh që fotot e mia të jenë të mira.” Ai ishte i pari që krijoi stafin e fotografëve në Hill kundrejt dëshirës së madhe të tij për t’u fotografuar. Ai ishte i vetëdijshëm për fotografitë.

Xhonson i la autografin e tij në një foto personale të realizuar nga G. Tames: “George Tames, i cili më mësoi gjithçka unë njoha rreth modestisë”

“George ishte i ndryshëm”, thosh Jim Mones-drejtor i fotoarkivës së New York Times. “Ai ishte një shakaxhi, i madh në thashetheme, tregimin e historive, një qeshje e madhe. Ai mund të ishte jeta e një feste, ai mund të zinte miqësi me ata senatorë që u bënë presidentë. Ata të gjithë e njihnin dhe e donin. George ishte i aftë të bëhej i afërt me njerëzit, politikanët, sidomos presidentët”.

Vitet e mëtejshme karakterizohen nga zhvillimi marramendës i televizionit, i cili ndryshoi shumë “kanune” tradicionale të fofogazetarisë. I zbatuar në mënyrë eksperimentale por shumë të shpejtë që në mesin e viteve 1950 kjo teknologji elektronike shumë komode për të ofruar informacion direkt në çdo shtëpi amerikane konkuroi me shumë sukses, por edhe ashpërsisht mbi masmediat e tjera të shkruara që i pasqyronin ngjarjet politike, ekonomike e sociale relativisht me vonesë. Miliona amerikanë kishin mundësinë e një aparati televiziv që të servirte në pëllëmbë të dorës gjithë zhvillimet e freskëta amerikane e botërore. Në këtë kontekst interesi për mediat e shkruara u zvogëlua dhe, për këtë arsye, shumë prej tyre falimentuan apo ishin në prag falimentimi. Sidoqoftë, në këtë larushani kaotike informacioni, fotogazetaria e organeve mediatike të famshme në botë, siç ishte edhe The New York Times, e ndodhur nën presionin elektronik, iu nënështrua strategjive bashkëkohore të reformimit dhe nuk u asimilua. U shfrytëzuan të tjera hapësira të pa përdorura deri atëhere, sidomos të fotoportretit e esesë interpretuese që, jo vetëm pasqyronin saktësisht ngjarjet, personazhet, jetën politike e ekonomike, por bënin interpretime e analiza rreth tyre. Nga ana tjetër teknologjia televizive ishte ende “një mollë e ndaluar” për shumicën e njerëzimit jashtë Amerikës dhe mediat e shkruara kishin ende treg konsumi në këtë pjesë tjetër të Botës.

Mbërrijmë, kështu, në vitin 1969, vit në të cilin zyrën ovale do ta zotëronte për rreth 5 vjet Riçard Nikson (Richard Milhous Nixon, 1913-1994, president XXXVII i SHBA-ve, i pari dhe i vetmi president amerikan që ka dhënë dorëheqjen në fillim të mandatit të dytë, 1974). Mbrritja e njeriut në Hënë, përshkallëzimi dhe më pas kufizimi i konfliktit në Vietnam, vizita në Kinë e BRSS në tentative për të qetësuar e stabilizuar luftën e ftohtë, kriza në Lindjen e Mesme, skandali i Watergate, i cili e detyroi të jepte dorëheqjen ishin disa prej ngjarjeve ndërkombëtare me të cilat do të përballej Niksoni.

Fotografikisht, ai, më shumë se çdo president tjetër aplikoi “photo opp” (photo opportunity – mundësi fotografimi)

“Për ndjekjen e fushatës (për zv.president të R. Niksonit, më 1953 New York Times kishte angazhuar 5 reporterë si dhe fotografin George Tames, i cili do të bëhej më vonë i famshëm me portretin siluetë të presidentit Kenedi)73)

Rreth një interviste dhe disa fotove që George Tames i ka bërë Richard Nikson-it në Çikago (kur ai ende ishte senator) gjatë fushatës së tij elektorale për zv.president, njihemi me ngjarjen se si Nikson e ka ftuar Georgen për të ngrënë bashkë mëngjesin e të bisedonin më gjatë e miqësisht rreth situatës dhe të tatimit të parashikimeve të mundshme rreth kandidatëve. Për herë të parë George e kishte takuar Niksonin si anëtar i Shtëpisë së Përfaqësuesve, i kishte bërë herët disa foto duke shëtitur me biçikletë me gruan e tij rreth basenit Tidal në pranverën e vitit 1947, kur kishin çelur qershitë. “Ai ndaloi duke më thënë se më njihte qysh nga Kapitol Hill. Unë ndihesha i kënaqur, sidomos kur ai më ftoi në zyrën e tij për të më shprehur mirënjohjen e njohjes në Hill, të cilën unë duhej ta pranoja, e vlerësuar shumë pak gjatë asaj kohe. Ai më impresionoi atëhere si një kongresmen shumë punëtor, energjik, konservativ i klasit të parë të asaj kohe në qendër djathtas, me politika që evokonin pozicionet standarde Republikane në favor të më pak burokracie dhe më shumë të drejta individuale shtetërore. Dhe kur ai mbrriti në çështjet e jashtme, spektri ogurzi i komunizmit ndërkombëtar ishte në qendër të vëmendjes së tij…

Prirja e Georges për humor e befasonte Niksonin, madje kur George bënte ndonjë konstatim sarkastik për ndonjë figurë politike, Niksoni ia besonte fjalët si prej ungjilli, ndaj George detyrohej t’i spjegonte se ajo ishte një shaka, apo ishte diçka për të qeshur që ai e kishte dëgjuar poshtë e lart në Hill atë ditë.

Nikson ishte një njeri zhbirues dhe fotoreporterët ndjenin se ai kishte qejf të fotografohej dhe krijonte mundësinë që t’i joshte ata.

George e ka shoqëruar Niksonin si zv. President me 1954 në fushatën mbarëkombëtare për formimin e një Kongresi Republikan, fushatë e cila dështoi e gjatë së cilës George realizoi mjaft ‘foto opp’ për të.

Viteve që Niksoni punoi në Capitol Hill, si kongresmen dhe, më pas, si senator, ai kishte lidhje të përzemërta me reporterët dhe akoma më të ngrohta e më personale me fotografët. Mundësia dhe dashamirësia për të akomoduar fotografët rezultoi me një publicitet të gjerë personal sidomos gjatë shqyrtimit të Komitetit të Aktiviteteteve Kundër Amerikane.

Gjatë periudhës së tij si senator dhe zv.president ai i ftonte fotografët në shtëpi për raste shoqërore e familiare… Marrëdhëniet e përzemërta me fotografët vazhduan edhe gjatë fushatës së tij të pasuksesshme për president me 1960 dhe më pas, deri sa ai u bë krejt i izoluar nga shtypi kundërshtar.

Në kujtimet e tij, G. Tames tregon: “Niksoni i vitit 1947 ishte më koherent me botën dhe me veten. Niksoni i Watergate-it ishte një njeri i izoluar nga realiteti, kontradiktor me shtypin gjatë ditëve të betejës me administratën dhe revanshin e Watergat-it dhe u maskua… Në dy vitet e fundit para dorëheqjes së turpshme, atmosfera përreth Shtëpisë së Bardhë të Niksonit ishte ajo e një kampi ushtarak në rrethim. Zyra e shtypit ishte një enklavë e rrethuar nga një territor kundërshtar…, vetëm me një zonë neutrale kalimi që e bënin të pamundur veprimtarinë e shtypit. Rregullat e jashtzakonshme u përforcuan me roje që raportonin ndonjë devijim nga shtigjet e presidentit prej ndonjë anëtari të shtypit. Kontakti me stafin e Shtëpisë së Bardhë u kufizua, shpesh nuk ekzistonte… Nuk jam i sigurt, psh, në se dikush nga mediat ftohej natën të takonte Niksonin apo bashkëpunëtorët e tij në ndonjë tavolinë të rrumbullakët informale për ngjarjet e ditës, siç ndodhte me presidentin Kenedi dhe Xhonson. Kur ai u gjend në vështirësi, nuk kishte asnjë nga media që të njihte Niksonin e vërtetë, qënien e tij humane. Izolimi i tij dhe mënyra noprane e çoi në keqinterpretimin dhe keqkuptimin më të madh”.

George Tames i përshkruan me përpikmëri dhe objektivitet nga pikpamja e fotoreporterit me barometrin e tij profesional e politik, tashmë të bërë mjaft të ndjeshëm e diktueshëm në atmosferën presidenciale të Shtëpisë së Bardhë të Niksonit, se e ardhmja dhe fundi i Niksonit ishte çështje kohe dhe se ai e vërtetonte këtë edhe me sjelljen e tij ndaj shtypit, veçanërisht me revistën The new York Times, ku G. Tames ishte protagonist i saj edhe në zyrën presidenciale.

George Tames ka realizuar një galeri të tërë fotosh e shkrimesh për më se 25 vjet në të cilat ai e kishte njohur Niksonin. Fotot e fundit ai i shkrepi ditën e dorëheqjes publike dhe largimit të tij me helikopter, po ashtu edhe të stafit të tij të madh në verandën e Shtëpisë së Bardhë.

Një nga fotot më të paharruara të Niksonit, realizuar nga G.Tames, ishte ajo kur Nikson ishte zv.president i Ajzenauerit, dhe ku ai shfaqej me udhëheqësin sovjetik Nikita Hrushov “në debatin” ku u ngrinë kredencialet e politikës së jashtme. Tames kujton gjithashtu se si ndjenja dramatike e bëri atë subjekt të admirueshëm. Më herët, fotografët e kishin ndier që Nikson e dëshironte bërjen e fotove dhe “ai gjeti një mënyrë për të na obliguar ne më tej”. Si përfundim, Tames realizoi shumë fotografi kujtimore të Niksonit gjatë karierave të gjata që ata patën.

Gerald Ford (Gerald Ford , 1913-2006, presidenti i XXXVIII i SHBA-ve, 1974-1977, kishte shërbyer paraprakisht si Zv.president XXXX më 1969-1974. Si president Fordi firmosi “Marrëveshjen e Helsinkit” që shënoi zbutjen e Luftës së Ftohtë. Ndërhyrja në Vietnam pothuajse u ndërpre. Këmbënguli për forcimin e rolit të Kongresit ndaj politikës së jashtme dhe respektivisht të rolit të presidentit në këtë fushë. Ford udhëhoqi gjithashtu ndërhyrjet në ngjarjet dhe konfliktet rajonale të Lindjes së Mesme dhe Lindjes së Largët.), si zv. president i Niksonit, mori detyrën e presidentit pasardhës, menjëherë pas dorëheqjes së Niksonit, të cilin e përcolli në fluturimin e largimit të tij.

Menjëherë pas emërimit të tij si president edhe situata mediatike, midis të tjerash, ndryshoi dhe liria e atmosfera e ushtrimit të profesionit dhe lëvizjeve brenda Shtëpisë së Bardhë dhe sidomos në Zyrën e Shtypit u çliruan nga terri dhe kaosi më se dyvjeçar që kishte krijuar Skandali i Watergate-it.

Xherëlld Ford kishte qenë gjithashtu kongresmen dhe kryetar i grupit të minorancës republikane dhe ishte i njohur nga Tames thuajse prej më se 25 vitesh. Sipas vetë Tamesit, ai nuk e imagjinonte se një ditë ai do t’i adresohej atij “Zoti President”.

Herët George u bë i njohur me Fordin kur atë e caktuan të përshkruante “Një ditë në jetën e Gerald Ford”, udhëheqësi i minorancës në Shtëpinë e Bardhë. Regjimi i tij ditor fillonte në orën 6 të mëngjesit me gjysëm ore ushtrime fizike dhe, pastaj not në pishinën e tij të ngrohtë, bashkë me qenin. Lexonte shtypin e ditës dhe para orës tetë ndodhej në Zyrën Ovale. Tames e fotografoi për çdo veprim. Si gjithë presidentët, edhe Fordi do të bëhej “viktimë” e fotografimit.

Në muajin prill 1975 The New York Times botoi një artikull prej 21 faqesh rreth presidentit Ford. “Ai bënte 20 ulje-ngritje(pompa) dhe 20 ulje-ngritje të torsit të tij, lexohet prapa fotos që i ka bërë George Tames. “Ai (Gerald Ford) thotë se e zinte gjumi për 10 sekonda, bënte 5 orë gjumë të thellë dhe çohej shumë i freskët.”

Edhe marrëdhëniet fotografike të Georges me gruan e tij Beti ishin shumë të ngrohta e njerëzore, pasi ajo ishte një zonjë me një natyrë të dashur, të gjallë, e këndshme, zemërbardhë. George i bëri asaj mjaft foto shoqërore.

Dy javë para përfundimit të detyrës, George realizoi disa foto të Fordit në Rose Garden. Sipas kujtimeve të vetë G. Tames: “Unë nuk mund ta ndihmoja dot që ai të zgjidhej për një mandat presidencial të tijin. Dy vjet e gjysëm janë një kohë tepër e shkurtër për të bërë një vlerësim përfundimtar presidencial. Ne kemi qenë miq për më se 30 vjet dhe unë e rendit atë së bashku me Xhon Kenedin dhe Harri Truman-in, si një nga tre presidentët e mi të preferuar.

Xhimi Karter (Jimmy Carter, 1924, president XXXIX i ShBA -ve (1977-1981), ishte po ashtu i njohur i vjetër i Georges. Ai e kujton me këtë rast një pasdite vizite në shtëpinë e nënës së kandidatit për president në shtetin Georgia, ku piqej peshk i sapogjuajtur në liqenin e vogël të shtëpisë së saj e ku u realizua një seri fotografish lirike e familiare. Përshtypjet e Tames-it për këtë kandidat e president ishin të mira dhe mbetën po ashtu. Një njeri i kthjellët, i matur, i ndershëm dhe konsiderues ndaj të tjerëve, ai dukej edhe me influencë fetare. Por, midis të tjerash, ai e konsideronte fotografinë si një gjë të tepërt, të tejkaluar. Dukej se nuk ishte i dashuruar pas pamjes fizike, pas imazhit fotografik, por më tepër pas fjalëve të shkruara rreth karrierës së tij politike.

Kështu, ilustrimi viziv i Karterit në momente të veçanta psikologjikisht të bukura, të natyrës së tij të dashur, të thellësisë në mendime, të besimit të tij, por sidomos të momenteve të rënda e të vështira gjatë detyrës së tij, sidomos gjatë dështimeve të tij si ajo e lirimit të pengjeve në Iran, nuk u realizua plotësisht. Ai trishtohej privatisht, kur i nevojitej simpati publike.

George Tames ka qenë dëshmitar okular dhe fotograf shoqërues i natës së shpalljes së fitores së Karterit kundër Fordit, e cila është shoqëruar me një festë të vërtetë dhe në një festival fotosh, ashtu si kundër ka qenë edhe dëshmitar i ditës së humbjes së tij për mandatin e dytë më 1980, kur perëndoi edhe dielli i karierës presidenciale të Xhimi Karterit.

George Tames ka realizuar për këtë personalitet të madh amerikan një album të madh fotosh zyrtare, mediatike e familiare.

Ekspozita e Bibliotekës “Henderson” u çel (1-28 Shkurt 2013) për nder të fjalimit të fundit të ish presidentit Xhimi Karter dhe zonjës së parë Rozalin Karter, si dhe në respektim të Ditës së Presidentëve që celebrohet çdo vit të Hënën e tretë të muajit shkurt. Eksponatet e Artikujve e Letrave të presidentëve, kujtimet presidenciale, fotot presidenciale nga fotografi i famshëm presidencial George Tames (përfshirë edhe fotografinë shumë të njohur “Puna më e Vetmuar” të Xhon Kenedit), një përzgjedhje të librave të Xhimi Karterit dhe botimet e Xhorxhias Jugore që dokumentonin vizitat e mëparshme të Karterit në Xhorxhian Jugore dhe puna e rëndësishme ndaj drejtësisë sociale ishin objekte të ekspozitës.

Ronald Regan (Ronald Reagan, 1911-2004, presidenti XXXX i ShBA-ve me dy mandate 1981-1989. Ka qenë guvernator dhe aktor hollivudian filmash e televizioni. Presidenca e tij shoqërohet me implementimin e iniciativave politike e ekonomike gjithëpërfshirëse, rritjen ekonomike, uljen e inflancionit, reduktimin e taksave, uljen e shpenzimeve qeveritare,etj. Në mandatine tij të dytë kundrejt politikës së jashtme shënoi mbarimin e Luftës së Ftohtë, bombardimin e Libisë(1986), hakmarrjen kundër Iranit. Duke e quajtur Bashkimin Sovjetik si Perandori të Djallit, mbështeti lëvizjet antikomuniste në mbarë botën. Iu atribua meritë e veçantë për gjenerimin e një rilindjeje ideologjike mbi të drejtën politike amerikane.”)

Por, ka mbërritur një etapë që, përsëri e përgjithmonë, fotografët të mos kenë akses të pakufizuar tek presidentët. Shumëllojshmëria e fotografëve të Shtëpisë së Bardhë, gazetave, revistave, rrjetet televizive dhe stacionet private e kanë bërë shumë të vështirë e të pamundur realizimin e fotove, madje edhe kur bëhet marrëveshje për të marrë nga koha e presidentit qoftë edhe 5 minuta për këtë qëllim. “Ky është një show fantastik” thosh George Tames në atë kohë.

Regan, sidoqoftë, ndjehej jo fort komod me këtë lloj fotografie. Fotografët me vështirësi mund të bënin vetëm një shkrepje, e mirë, apo e dobët; e botueshme apo jo.

Regan e shprehte hapur se fotografia ishte një çast i ngrirë, një shtirje, apo spontanitet ku nuk mund të shfaqje gjithçka nga ndjenjat e bota jote e brendshme. Filmi dhe televizioni, sipas tij ishin më komodë, më komunikativë, pasi shoqëroheshin me lëvizje por edhe me fjalë e ku njeriu mund të shprehte mirë vetveten, pamjen e brendinë e tij.

Në kujtesën e tij profesionale e humane George Tames e vendos presidentin Regan në tipat e personaliteteve që nuk i vlerësonte objektivisht, ishte irracional, nënvleftësues, inert, alergjik, mospërfillës. Si produkt i fushës kinematografike, ai konsideronte superior televizionin dhe filmin. Andaj ai realizonte fjalimet direkte në TV që të shihej e të dëgjohej nga votuesit në dhomat e ndenjes. Dhe kjo u bë një lojë politike. Të gjitha këto George i përhin me shembuj në disa raste, madje edhe me humor kur ai dërgohej nga revista e tij, apo nga organ tjetër për seanca fotografimi si në rastin e rubrikës tradicionale “The Mind of President” (Kujtesa e Presidentit) që bazohej, si për çdo president tjetër, në dhjetë librat më të preferuar të presidentit e që, për rastin e Reganit, George dyshonte me humor se personazhi i tij nuk kishte lexuar gjatë jetës së tij dhjetë libra, apo në rastn kur fotografi dërgohej për një foto zyrtare e klienti i tij me shumë kundërshtim e refuzonte një shkrepje të tillë, derisa shfaqte pakënaqësinë dhe bezdinë ndaj fotografit…

Foton më të mirë George ia kish bërë Reganit në një ikje të tillë dëshpëruese, nga jashtë derës së hapur të Zyrës Ovale, rastësisht me një lente 85 mm që u botua në një faqe të plotë të revistës The New York Times të së Dielës, foto që u bë shumë e kërkuar, sepse u konsiderua si një nga më të sinqertat e më të realizuarat e këtij presidenti.

Gjithashtu, një mbresë e pashlyeshme e Georges përbënte fakti që Regani ishte presidenti që vishej shumë bukur, shik, i përpiktë në modë e estetikisht, i ndërronte dy herë në ditë kostumet e tij dhe mbetej, pa dyshim, presidenti i veshur më mirë gjatë gjithë historisë presidenciale amerikane.

Regani mishëroi parashikimin e presidentit Truman që një kandidat i suksesshënm duhet të jetë 70% aktor dhe vetëm 30% i zoti.

Mundësia më e mirë për të fotografuar presidentin ishte gjatë udhëtimeve e vizitave në ngjarje të ndryshme. Por edhe aty, “kur ne arrinim, çdo spot televiziv ishte realizuar. Ne gjithmonë përpiqeshim dhe “luftonim” minutën e fundit dhe nuk mund të pretendoje të bëje dot ndonjë foto të mirë…”.

Një punësim në Shtëpinë e Bardhë bëhet një sfidë “më pak fotografike” ndaj durimit të fotografëve. Një fotograf mund të rrijë e të presë në Shtëpinë e Bardhë për ditë të tëra që të thirret për të bërë një foto, e cila zgjat vetëm disa minuta.

Fotot dhe videoklipet për presidentin Regan janë më shumë rezultat i një “foto opp” i ekipit të Shtëpisë së Bardhë. Një shpurë fotografësh ftohen në praninë e presidentit Regan dhe, më pas, dalin përsëri me kujdes për të mos tejkaluar kohën e fotografimit. Fotografët të cilët vijnë vërdallë për një apo dy poza ekstra ballafaqohen me shërbimin sekret që zor se i lejon ta kryejnë atë. Sidoqoftë detyra duhej bërë, pasioni ishte edhe më mbizotërues. Këtij qëllimi i shërbeu formimi nga G. Tames dhe Michael Evans (fotograf i Shtëpisë së Bardhë) i një grupi fotografësh të cilësuar si “Turfbuilders”. Qëllimi i këtij grupi të themeluar me “bekimin” e presidentit Regan ishte mbulimi i udhëtimeve presidenciale jashtë shtetit nga fotografë me rrotacion.

Xhorxh H. W. Bush (George H.W. Bush 1924-2018 është presidenti XXXXI i ShBA-ve 1989-1993. Ishte aviatori më i ri i ushtrisë amerikane gjatë Luftës II Botërore, ku ai u rreshtua deri në fundin e saj dhe milioner nafte në moshën 40 vjeçare. Ka qenë anëtar i Shtëpisë së Përfaqësuesve, senator dhe drejtor i Central Inteligence (Inteligjencës Qendrore). Politika e jashtme përfshiu aksionet e Panamasë dhe të Gjirit Persik, rënien e murit të Berlinit(1989) dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dy vjet më vonë. Në politikën e brendshme ekonomike, për shkak të ekonomisë së paqëndrueshme, defiçitit të madh buxhetor e recesionit ai rriti taksat dhe kjo u bë shkaku kryesor për humbjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 1992.

Sipas George Tames, presidenti Bush ishte i ngjashëm me presidentin Truman; të dy patën impakte të ngjashme në mjediset e tyre presidenciale e personale.

Të dy e konsideronin Shtëpinë e Bardhë si shtëpi, me stafin dhe shtypin si anëtarë të një familjeje të madhe që përfshinte gjithë kombin.

Për fotografët puna me Trumanin dhe Bushin ishin gëzim. Bushi nuk kishte probleme vizuale. Madje edhe kur reporterët e pashpirt e cinikë e gjenin në një gjendje të vështirë për të qenë objektiv i problemmeve të Shtëpisë së Bardhë, ai i thërriste ata me emrin e parë dhe i pyeste për familjet tyre. Ai ishte shumë miqësor me shumicën e fotografëve por, më e rëndësishmja, ai ishte edhe i vetëdijshëm për gjithë punën e tyre fisnike. Ai komplimentonte fotografë të veçantë edhe për fotot e tyre të bukura që nuk kishin lidhje me politikën ose tensioneve në Shtëpinë e Bardhë. “Unë e konsideroja atë si një stil natyral, që pasqyronte faktin që ai ishte i lirë të ishte qënja e tij pas tetë vitesh njollë të presidentit Regan… Përshtypjet e mia paraprake ishin se ai do të ishte një president i mirë për kohrat dhe se kishte potencial për madhështi. Me zvogëlimin e tensioneve të Luftës së Ftohtë vjen një mundësi e rrallë për të bërë përshtypje të gjatë dhe një shenjë për paqeje”.

Gjatë drekës vjetore për nder të tij presidenti Bush theksonte se ai po iu referohej fotografëve me “epitetin” si “Photo Dogs” pasi ai kishte dëgjuar protestën e humorit me lehje qensh të fotografëve prapa litarëve, gjatë foto-ops-eve në Rose Garden. Shumë herë kishte ndodhur që lëvizjet e mediave të kufizoheshin, apo ndaloheshin gjoja për arsye sigurie apo turmash. Bushi bëri të kundërtën duke qenë shumë i hapur e i drejtpërdrejtë jo vetëm me mediat e fotografët, por edhe me njerëzit e thjeshtë në rrugë, dyqane, peshkim, shëtitje…

Gjatë gjithë jetës së tij politike presidenti Bush besonte në kontaktet personale. Ai ka qenë një shkrues lakmitar e prodhimtar shënimesh. Nëse, ashtu të shkruara, ato do të mbeten trashëgimi e vyer personale e kombëtare, kështu mund të konsiderohet edhe një prej tyre që i drejtohej George Tames: “Me admirim për profesionalizmin tuaj dhe vlerësimin për mirësjelljen e vërtetë. Patshi fat, George Bush”.

Fotot e realizuara nga George Tames për presidentin Bush shënojnë përfundimin zyrtar të karierës së tij profesionale dhe janë bërë nën trysninë e një “privimi” dhe censure të rreptë proceduriale, për arsye të sigurisë fizike dhe rrethanave politike të kohës.

Dhjetra ballina të revistës “The New York Times” dhe revista e organe të tjera mbajnë firmën e George Tames.

Dhe kështu, pas një pune të gjatë e intensive, por edhe shumë produktive e gjurmëlënëse, në vitin 1986, George Tames, zyrtarisht, del në pension. Dekada të tëra pune gjeneroze, pasionante, përkushtuese, protagonizmi profesional, inovativ, artistik, që do t’i linin kapitujve të historisë politike të Capitol Hill dhe Shtëpisë së Bardhë, por edhe asaj botërore dëshmi autentike të panumërta pamore të 10 gjeneratave presidenciale rresht, përmbylleshin nga ligjet natyrale të jetës humane, të cilat edhe aq ishin treguar shumë bujare ndaj soliditetit e energjive të tij fizike e shpirtërore. Kjo ngjarje u shoqërua me aktivitete të panumurta festive, takimesh e celebrimesh zyrtare e private, në shenjë vlerësimi e mirënjohjeje ndaj kontributit të tij të gjatë në fotogazetarinë kontemporane amerikane. Në këto tubime përshëndetëse ishte sërish karakteri i zhdërvjellët, shpirti i tij human i ripërtërirë, stoik, çiltërsia dhe humori i tij origjinal, aftësia për të krijuar situata të ngrohta e plot humor me dhjetra e dhjetra kolegë, miq e politikanë të lartë, epiqendra e krijimit të një atmosfere të paharrueshme miqësore, që u pasqyruan gjerësisht në shtypin e kohës dhe kujtohen edhe sot me nostalgji si një model i tipareve të tij njerëzore.

Por, edhe pas daljes në pension, ai nuk heshti. Ai vijoi të punojë si fotograf i lirë, kryesisht për revistën “Times”95), si dhe kudo ku e thërrisnin dhe e ftonin, qoftë edhe për pasionin e jetës së tij. Edhe nga kjo kohë ai ka lënë shumë foto emocionuese të karakterit privat e familiar, veçanërisht me miqtë e familiarët e vet. Në pinakotekën e tij zenë vend edhe shumë foto objektesh e permendoresh monumentale, artistësh, shkencëtarësh, sportistësh, si dhe shumë peizazhe, natyra të qeta, fotografi familjare, intime lirike, etj.

Ai kishte një konstrukt vibrues dhe gjithmonë kërkonte të ish në lëvizje nëpër qytetin që ai e dashuronte. Ai ishte një rrëfimtar i palodhur, duke treguar anekdoda ai i përcillte ato me zemërgjerësi, duke i mbuluar me një qeshje të thellë. Ai ishte një pjesë e atij karakteri të kultivuar që e bëri atë popullor jo vetëm me politikanët, por edhe me kolegët e vet. Shakatë dhe qyfyret që ai tregonte për presidentët, sidoqoftë, synonin të konfirmonin vizionin popullor të çdo presidenti me mendjemprehtësi.

Ai ishte shpirti dhe jeta e një feste. “Ai ishte kampioni”- thoshte Cornell Capa, ish fotograf i revistës “Life”. “Ai i ‘mposhtte’ të gjithë” (From the New York Times, Feb. 24, 1994)

George ishte një njeri interesant kur e shihje dhe kur e dëgjoje. Me siguri duhej ta dëgjonit sepse ai e zinte dashin për brirësh. Ai kishte një ego dhe sy artisti për ta mundur atë.

“George ish ndryshe”, thosh Jim Mones, drejtor i fotoarkivës së New York Times. “Ai ishte një shakaxhi, i madh në thashetheme, në tregimin e historive, një qeshje e madhe. Ai mund të bëhej gjallëria e një takimi dhe u miqësua me senatorët që u bënë presidentë. Ata të gjithë e njihnin dhe e deshin atë, dhe George ishte i aftë të miqësohej fort me njerëzit, politikanët, veçanërisht me presidentët.”

George Tames do të ishte sot 100 vjet. Veprimtaria jashtzakonisht e madhe, e gjerë cilësore në fushën fotografike të Kapitol Hill dhe Shtëpisë së Bardhë e vendos atë midis elites të historianëve vizivë e artistëve të fotografisë botërore, pasi ajo konsiderohet si historia në fotografi e një gjysëm shekulli.

Ai botoi në disa gazeta e revista, por shumica e tyre i takon gazetës “The New York Times” dhe suplementit të saj “Sunday Magazine”. Ato që nuk janë botuar ndodhen në arkivin e madh “Lively Morgue” (Morgu i Gjallë), i cili është hapur dhe po promovon në internet fotot e panjohura të George Tames.

”Si gjithë fotografët e rradhës së parë, George kishte syrin e një artisti dhe reflekset e një sportisti…, ai ishte i aftë të fiksonte ndjesinë e një ngjarjeje dhe jo vetëm identitetin e subjekteve të tij.”(Howell Raines – shkrimtar). “Tames e pranonte që ai pati sukses në gazetën për të cilën punonte. Duke e konsideruar veten si ‘anije akullthyese’ me peshën e The New York Times-it prapa tij, ai lëvizte nëpër Capitol si një pjesëmarrës aktiv në procesin politik.

Një pjesë e fotove të tij ndodhen në muzeume, biblioteka presidenciale, institucione e fototeka të shumta. Me fotot e tij janë hapur gjithashtu dhjetra ekspozita brenda dhe jashtë SHBA, midis të cilave e fundit është çelur në Shqipëri në vitin 2015. Ai, gjithashtu ka fituar shumë çmime presidenciale, organesh e shoqatash mediatike, artistike,etj., si dhe vlerësime e dedikime kritike, profesionale e artistike të panumërta, por të merituara të cilat i qëndrojnë si një brerore rrezatimi human, që do ta mbajnë ndezur kujtimin e jetës dhe veprës së tij.

Vetë George Tames mbetet një foto e gjallë kujtimi e veprës së tij dëshmitare e rikrijuese, që do të përcillet e do të admirohet përjetësisht. Amerikanët dhe shqiptarët kanë një arsye më shumë për t’u krenuar me qytetarin e përkatësisë së tyre. /Koha Jonë/