LAJMI I FUNDIT:

Gashi: Fitorja e VLEN është kthim shprese për shqiptarët

Gashi: Fitorja e VLEN është kthim shprese për shqiptarët

Kemi biseduar me kryetarin e Alternativa, Afrim Gashi për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, por edhe për pyetje personale.

Çfarë rezultati prisni mes Taravarit dhe kundërkandidatit Osmani në zgjedhjet presidenciale?
Gashi: Dallimi mes kandidatit të koalicionit shqiptar VLEN dhe kandidatit të koalicionit multietnik, i a.q. Fronti Europian, është substancial. Së pari, në kohën që BDI-ja kalkulonte që ta mbështesë Stevo Pendarovskin, ne bëmë thirrje që të kemi kandidat konsensual shqiptar, sepse, si asnjëherë më parë, për shkak të matematikave elektorale, në këto zgjedhje ka gjasa reale që kandidati shqiptar të shkojë në raundin e dytë dhe pse jo të zgjidhet president i Maqedonisë së Veriut. Dhe, kur nga BDI-ja kishte heshtje, ne e kandiduam Dr. Arben Taravarin, të cilit kohë më parë edhe vetë Ali Ahmeti i kishte shfaqur gatishmëri për mbështetje. Megjithatë, pasi që ne e propozuam, BDI-ja vendosi ta sabotojë kandidatin shqiptar, duke e kandiduar Bujar Osmanin dhe duke kërkuar mbështetje nga komunitetet joshumicë. Dhe, ky sabotim nuk ka të bëjë personalisht me Arben Taravarin, por ka të bëjë drejtpërdrejt me mundësinë që një kandidat shqiptar të futet në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Me fjalë të tjera, për ne Arben Taravari nuk është në garë me Bujar Osmanin, por ai garon me krejt kandidatët e tjerë për të kaluar në raudin e dytë. Ky është dallimi themelor mes Arben Taravarit dhe Bujar Osmanit. I pari është kandidat i shqiptarëve, i dyti është kandidat i mbështetur nga komunitetet joshumicë. I pari është kandidat për ta bërë betejën që shqiptari të bëhet president, i dyti është kandidat që ta sabotojë mundësinë që shqiptari të bëhet president, duke i bërë shërbim një kandidati maqedonas. I pari është kandidat pa asnjë aferë dhe me plot suksese në detyrat që i ka pasur, i dyti, si ministër i Jashtëm dhe kryesues i OSBE-së, është kandidat të cilit e kaluara i flet keq në relacion me kauzën shqiptare, veçmas në raport me Kosovën. Prandaj, është evidente se fitues i këtyre zgjedhjeve në kampin shqiptar do të jetë Dr. Arben Taravari, ndërsa humbës jo vetëm elektoral, por edhe kombëtar, do të jetë kandidati i koalicionit të a.q. Fronti Europian.


Mes politikës dhe personales, Taravari tregon gjithçka rreth familjes, garës dhe karrierës
Lexo po ashtu Mes politikës dhe personales, Taravari tregon gjithçka rreth familjes, garës dhe karrierës

Po tek pala maqedone, mes kandidatëve Pendarovskit dhe Gordana Siljanovska?
Në sondazhe del se kandidatja Siljanovska është në epërsi, aq më shumë që Pendarovski është i dëmtuar nga ish bashkëpartiaku i tij, Dimitrievski, por kjo garë është jashtë fokusit tonë. Ne e bëjmë betejën që në raundin e dytë të kalojë Arben Taravari dhe nuk e kemi me rëndësi se cili nga kandidatët maqedonas kalon në raundin e dytë. Natyrisht, nëse nuk do të ishte sabotimi i Ali Ahmetit, kjo do të ishte e sigurt, por ne as në këso rrethana nuk kemi hequr dorë nga ky synim. Arben Taravari duhet të kalojë në raundin e dytë.

Për karrierën tuaj, sa është e rëndësishme fitorja e VLEN në këto zgjedhje?
Sivjet unë i bëj dhjetë vjet aktive në politikë dhe ky vit për mua është jashtëzakonisht i rëndësishëm përtej suksesit personal. Në kohën kur ne ia kemi dalë të ndërtojmë një bllok kaq të gjerë opozitar, fitorja e koalicionit VLEN është bërë temë që nuk vihet më në dyshim. Fakti që Ali Ahmeti kërkon shpëtim në votat e komuniteteve joshumicë, të cilët deri dje i përbuzte dhe i poshtëronte, flet se ai e ka humbur mbështetjen e votave shqiptare dhe i duhen shporta të tjera me vota për ta plotësuar këtë humbje. Kur jemi te komunitetet joshumicë, më duhet të them se BDI-ja ka 20 vjet që është në pushtet dhe kurrë nuk ka shfaqur as kujdes e as empati për ata, ndërsa tash, kur ka nevojë për vota, shkon derë më derë duke i lutur. Ky është mesazh për ata se për Ali Ahmetin romët, turqit e boshnjakët nuk kanë pasur vlerë derisa nuk i dolën si numra në kalkulator si plotësim për votat e humbura shqiptare.

Tjetër. Kjo fitore ka shumë rëndësi në kohën kur na ka degraduar kaq shumë përfaqësimi politik dhe në kohën që BDI-ja na ka kthyer në komb simbolik pa përmbajtje. Ke ministër të Financave dhe të Ekonomisë me emra shqiptarësh, ndërsa në anë tjetër ke varfëri dhe mungesë zhvillimi pikërisht te shqiptarët. Ke ministër Arsimi me emër shqiptari, ndërsa arsimi shqip është buzë greminës, madje nxënësve shqiptarë në disa shkolla nuk u lejohet as të mësojnë shqip. Ke ministër të Jashtëm me emër shqiptari, i cili ishte edhe kryesues i OSBE-së, por ai flet për Kosovës gati si me gjuhën e Serbisë. Ose, ke kryeministër teknik me emër shqiptari, i cili pushtetin e tij e dëshmon nëpër zyra të administratës ose duke shkarkuar shqiptarë nga pozicione ekzekutive, por që nuk guxon të prekë në asnjë të temë që i avancon shqiptarët ose që ua turbullon ujin maqedonasve. Prandaj neve na duhet kjo fitore, që shqiptari të dalë nga vetëkaqësia e përfaqësimit simbolik në përfaqësimin përmbajtjesor dhe kuptimplotë politik.

Kjo për ne është një betejë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe unë jam fort i bindur se kjo fitore është një kthesë dhe një shpresë për të ndryshuar kursi i kauzës shqiptare në RMV, por edhe që të ruhet kursi europian i këtij shteti. Çdo opsion tjetër do të ishte fatal për shqiptarët dhe, në përgjithësi, për vendin.

Kur jemi tek karriera juaj, kur mendoni se do të largoheni nga politika?
Ndonëse për nga mosha dhe mundësitë e mia mund të mbetem akoma në politikë, megjithatë nuk mund t’ju them se kur mund ta përfundoj këtë angazhim. Meqë jam i prirë që politikën ta shoh si veprimtari mbi disa premisa etike, kjo nuk ma bën shumë të këndshëm rolin e politikanit. Për mua politika është shërbim për qytetarin, duke shfaqur vetëmohim dhe sakrificë nga jeta personale, familjare e profesionale. Prandaj, në çastin që do ta gjykoj vetë ose partia ime se misioni im ka shteruar ose se janë krijuar figura që mund ta përmbushin më mirë këtë detyrim, unë me shumë kënaqësi do të isha tërhequr nga politika, për t’iu përkushtuar planeve të mia jetësore në kuptimin profesional e akademik.

Na tregoni momentin më të mirë në jetën personale dhe politike?
Detyra dhe morali im politik nuk ma lejon që t’i personalizoj gjërat, andaj do të duhet t’ju flas megjithatë në numrin shumës. Më vjen mirë dhe mburrem që më 7 dhjetor 2013 isha në ballë të protestës kundër vendosjes së përmendores së Car Dushanit në Shkup nga pushteti VMRO-BDI, që pastaj u bë shtegu i futjes sime në politikë. Ndërkaq, në angazhimin politik ka pasur dhjetëra, të mos them qindra momente, që i thua vetes se ia vlen politika. E nëse më duhet ta veçoj vetëm një, po e përmend aktin e votimit të ndryshimeve kushtetuese më 2018 për ndërrimin e emrit të shtetit, me çka Maqedonia e Veriut u bë anëtaja e 30-të e NATO-s. Ky akt paraqet një kthesë të rëndësishme jo vetëm për shtetin, por edhe për interesat shqiptare në Ballkan. Natyrisht, po e ritheksoj, këto nuk i shoh si merita personale të Afrim Gashi, por si suksese në të cilat kam pasur mundësi ta jap kontributin tim.

Protestat kundër përmendores së Car Dushanit në Shkup, 2013 Foto: REL

Po momenti më i keq?
Sigurisht që ka pasur edhe momente të këqija, por edhe ato nuk mund t’i gjykoj vetëm me peshore personale. Për mua moment i rëndë ka qenë ndarja e Lëvizjes BESA. Unë kam qenë njëri ndër themeluesit e asaj partie, madje – veç për informacion – kam qenë autor i platformës politike të saj. Andaj, pas suksesit të saj në zgjedhjet e vitit 2016-të, kur ishte evidente se ajo parti do të ishte e ardhmja politike e shqiptarëve të Maqedonisë, ndodhi përçarja, që nga kjo perspektive ishte e evitueshme dhe e dëmshme, por për fat të keq kishte shumë ndërhyrje nga jashtë që e luftonin suksesin e atij subjekti.

Nëse do të shkruanit një libër për karrierën tuaj politike, si do ta titullonit?
Nuk e shoh veten me nota megalomanie që të bëj libër për karrierën time politike, por nëse do të duhej një fjali për ta përshkruar angazhimin tim politik, këta do ta thjeshtëzoja në fjalinë “Nga protesta kundër Car Dushanit deri te fitorja e 8 majit 2024”

Nëse do të kishe mundësi të takoje Afrimin e para 20 viteve, si do të ja përshkruanit me një fjali rrugëtimim tuaj deri tani?
Njeriu në jetë duhet ta bëjë vetëm atë në të cilën beson se është e drejtë, e dobishme në kuptimin kolektiv dhe moralshme ne kuptimin vleror. Jam përpjekur që rrugën time jetësore ta zhvilloj në këto binarë. Se sa i kam dalë, për këtë mund të jem subjektiv. Megjithatë, jam i qetë në shpirtin tim se nuk kam qenë as indiferent ndaj përgjegjësisë publike, as cinik ndaj realitetit, por as grykës e lakmitar kundrejt mundësive që i ofron politika. Fundja, siç kanë thënë pleqtë tanë, me rëndësi është që në fund me dalë faqebardhë e mos me u korit.

Nëse do të ishte dhënë mundësia të jeni kryeministër në Maqedoni në qeverinë e ardhshme, cilat do të ishin tre gjërat që do t’i ndryshonit në 100 ditët e para?
Në Maqedoninë Veriut nuk është se gjërat varen vetëm nga kryeministri, por nëse më duhet të them se çfarë janë tri gjërat që janë urgjente në këtë shtet, ato janë, së pari, reforma të thella në sistemin arsimor, me çka do të sigurohej e ardhmja e mirë e brezave të këtij vendi, së dyti janë reformat substanciale të ligjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e familjes dhe së treti janë reformat e menjëhershme që do të mundësonin zhvillim ekonomik sa më të shpejtë dhe mirëqenie për qytetarët.

Me LSDM apo me OBRM-PDUKM-në në qeverinë e ardhshme? Cilën do ta preferonit si partner koalicioni? 
Për neve partitë maqedonase janë të njëjta dhe ne nuk kemi preferenca për njërën apo tjetrën. Cilado që të fitojë, ne jemi të gatshëm të bashkëqeverisim, natyrisht duke u mbështetur në fuqinë tonë dhe në vizionin tonë për bashkëqeverisje. Partneriteti i suksesshëm varet nga gatishmëria e palëve për të bashkëpunuar mbi parime dhe kondita që mundësojnë bashkëpunim të suksesshëm.

*Telegrafi Maqedoni gjatë fushatës do të vazhdojë të realizojë intervista me kandidatët për presidentë dhe politikanë tjerë në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale dhe kuvendare. /Telegrafi/