LAJMI I FUNDIT:

Frika nga vetingu, 10% e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të dorëhiqen

Frika nga vetingu, 10% e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të dorëhiqen

Bashkimi Europian ka parashikuar se nga procesi i vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët, 10% e tyre do të japin dorëheqje, duke mos pranuar t’i nënshtrohen rivlerësimit të pasurive, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale.

Për këtë arsye, drejtuesi i misionit të EURALIUS ka propozuar dhe më pas vendosur në projektligjin e ri “për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, që te Shkolla e Magjistraturës të hapë kurse jashtë radhe për magjistratët e rinj.


Në një debat të zhvilluar më dyer të mbyllura, Rainer Deville, drejtori i misionit të EURALIUS, ka argumentuar faktin se Shkolla e Magjistraturës duhet të jetë e gatshme për të plotësuar vakumin e sistemit të Drejtësisë, si pasojë e dorëheqjeve, shkruan Panorama.

Në projektligjin e ri të vetingut është reflektuar fakti se për vitin 2016-2017 do të hapen vende për 25 magjistratë të rinj në Shkollën e Magjistraturës, ndërkohë që më parë ishin parashikuar vetëm 5 studentë të rinj.

“Shkolla e Magjistraturës në shtator fillon vetëm me 5 vende që janë kërkuar. Pra, kursi nuk do të jetë i plotë, duhet të fillojë me të paktën 25 vende, sepse si rezultat i procesit të vlerësimit, disa njerëz, 10 njerëz, mund të japin dorëheqjen dhe në vitet në vijim do të na duhen ata 10 njerëz që të na plotësojnë këto vende bosh. Pra, në ligj na duhet numri 25, sepse ndryshe Shkolla e Magjistraturës dhe legjislacioni aktual nuk do të kenë mundësi të mbushin vendet bosh dhe duam të fillojmë që në shtator me këtë gjë. Pra, ky ligj kalon menjëherë për kursin e radhës. Do të keni dhe një tjetër në prill, nuk e kemi marrë parasysh këtu, edhe tjetrin që do të jetë në shtator të 2017-s, bëjeni po kështu”, është shprehur Rainer Deville gjatë debatit me dyer të mbyllura në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi.

Ai ka dhënë dhe shembujt se si ky proces është zbatuar në Kosovë, ku, sipas tij, u larguan 10% e gjyqtarëve. Për Shqipërinë, zyrtari i BE-së ka parashikuar të njëjtin skenar, nga 800 magjistratë, 80 prej tyre do të dorëhiqen.

“Edhe në Kosovë 10% dhanë dorëheqjen. Nëse marrim me mend që edhe në sistemin tonë numri i të dorëhequrve do të jetë 10%, atëherë 10% do të largohen, pra nga 800 njerëz do të largohen 80, të cilët do të na duhet t’i zëvendësojmë. Pra, 3×25 do të jetë numri i cili do të na plotësojë kapacitetet që do të na mungojnë”, është shprehur Deville. /Tema/Telegrafi/