LAJMI I FUNDIT:

Friedrich Durrenmatt dhe mesazhet e tij letrare e filozofike

Friedrich Durrenmatt dhe mesazhet e tij letrare e filozofike

Nga: Albert Habazaj

Prozës modern evropiane i mungon një gjeni vetëm fizikisht, sepse më 14 dhjetor 1990 përfundoi fryma e Fridrih Dyrrenmatit (Friedrich Dürrenmatt), i cili radhitet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të gjuhës gjermane të shekullit të pasluftës së Dytë Botërore. Vendlindja e tij, Zvicra përrallore, me pena të tilla të rralla, fiton një status të ri të lartë gjysmën e dytë të shekullit XX, që e ka zili dhe e admiron tërë planeti i letrave.

Lindur më 5 janar 1921, me një pjekuri jetësore, filozofike dhe artistike të spikatur, Dyrrenmat na shfaqet në disa plane: si dramaturg, si shkrimtar, si piktor, si filozof, një autor i jashtëzakonshëm, një misionar i palëkundur në betejën universale të së mirës ndaj të keqes. Me një imazh shenjtori, mbetet një 69-vjeçar që plotëson njerëzit me urtësinë e tij dhe me modelin shembullor bëhet shkollë për letrarët seriozë jo vetëm të Evropës Qendrore, por edhe të Ballkanit, pse jo dhe të Shqipërisë apo vlorës sonë deri në çdo kënd të kontinentit plak.

Dramaturgu zviceran eksploron suksesshëm edhe si autor tregimesh policeske me tone ironike. I joshur pas absurdit dhe groteskut, Dyrrenmati përdor në komeditë e tij të hidhura “Vizita” (1956) dhe “Fizikanët” (1962) situata dhe dialogë me humor, për të qenë më i qartë nëpërmjet tyre në mënyrë serioze, se problemet morale që ngre nuk janë për të qeshur, por për t’u dhënë zgjidhje qytetare.

Teksti i Dyrrenmatit ofron disa mundësi për të vënë në pah një dukuri të pranishme edhe në jetët tona, sepse letërsia e tij mendoj se aktualizohet me ç’ka ngjarë e ngjan ndër ne. Mesazhi i veprës së tij është i qartë: “Që njerëzit të përpiqen për jetën e tyre, t’i përkushtohen vetes, të mos shikojnë përtej, të jenë të sinqertë së pari ndaj vetvetes dhe se është e nevojshme të ketë secili përkushtimin human për njerëzit”.

Shkrimtari i dramave teatrale, me një frymëzim të pastër gëtian shfaqet në tregimet e shkurtra me një ironi kafkiane befasuese. Lessing dhe Brecht ishin artistët të cilëve u referohej; mori nga ata modelin për një denoncim të vrullshëm moral prej grotesku, paturpësisë dhe makabritetit si plagë sociale.

Dyrrenmat ishte autor i njohur i prozës, i aftë të përdorte dendur metaforat tragjike, të përdorte simbolikën fine, të përdorte edhe provokimet dramatike (“Është e shkruar”, “Vizita e zonjës plakë”, “Një ëngjëll zbret në Babiloni” janë disa nga veprat që e bënë të famshëm në skenat evropiane dhe amerikane). Në fushën e gjerë të romanit, i çliruar nga rregullat skematike që shpesh karakterizojnë këtë gjini, ai vetë e ka pranuar se ishte “i prapambetur”, por me raste as ai vetë nuk ishte i ndërgjegjshëm për vlerën artistike të projekteve të tij narrative. Më shumë se tablotë ambicioze imagjinare, rezultoi më i pëlqyeshëm një lloj i shkruari, që në dukje ishte më i lehtë: romani i verdhë policesk.

Dyrrenmat, në faza të ndryshme të krijimtarisë, synoi në kufijtë e letërsisë së lartë. Herë pas here e braktiste këtë ambicie për të kaluar një kohë të lirë me pushime, duke praktikuar hobitë, thënë më shkurt – të kalonte kohën prej pensionisti. Në fakt, gjatë kësaj periudhe ka lënë një kryevepër të papërfunduar, postum, që shtëpia botuese “Casagrande di Bellinzona” e hodhi në tregun Italian para me rastin e 20 vjetorit të vdekjes së gjeniut. Në fakt, nuk është gjë tjetër veçse skicimi i një trileri “Fragment eisnes criminal romans”, por sërish mbetet një nga tekstet më domethënëse dhe përfaqësuese të tij.

Ka gjithçka nga Dyrrenmat inë ato faqe. Aty gjen humoristin shpotitës, nihilistin e shkëlqyer, prozatorin verbues, rrëfimtarin e dorëzuar. Nuk është rastësi që përpara tavolinës së punës së tij të mbuluar me hartën e ndritshme të botës, me fotografi e fletë të plotësuara me atë shkrimin e tij kaligraik, gjendej edhe një teleskop me të cilin shikonte yjet për orë të tëra. Qysh i vogël, i magjepsur nga tregimet brilante të të atit, një pastor protestant, Dyrrenmati ngjitej në majë të pemëve për t’iu afruar yjeve… Dhe, sot ai bën dritë të shkëlqyeshme në yjësinë e letrave.

Në librat e tij ndeshen kriminelë e policë, përballen torturuesit dhe viktimat, sepse i biri i pastorit protestant, edhe pse deklarohej ateist, e quante Zotin si “shpikjen” më të madhe njerëzore; ishte i fiksuar pas luftës mes të mirës dhe të keqes. Plaku i malit, siç e quanin zviceranët apo Plaku i Yjeve të Letrave, Dyrrenmati vigan e quante botën një fuçi baroti ku nuk ndalohet duhani; vendet fasadiste si burgje, ku të burgosurit ndihen të lirë, sepse bëjnë edhe rolin e atyre që burgosin dhe nuk i trembej syri e nuk i dridhej zëri nga këto cilësime, por shpirti i tij prej artisti shpërthente pa u tutur si liberator i fjalës dhe i mendimit të lirë e të mirë. Të marrim vetëm dramën “Vizita e zonjës plakë”, e cila është një dramë klasike e teatrit bashkëkohor, temat e së cilës janë ato të hidhërimit, korrupsionit, drejtësisë dhe demokracisë. E shkruar më 1956, kjo tragjikomedi e dimensioneve epike tregon rrëfimin e banorëve të një qyteti të shkatërruar evropian, të një heroi të thyer dhe të një zonje të vjetër e cila është kthyer në shtëpi në kërkim të hakmarrjes. Është e hatashme në kuptimin më të lartë të fjalës dhe e papërsëritshme simbolika tek shprehja e tij (më falni, por do ta citoj): “Virgjëresha bën para në bordello dhe kërkon të mbetet e pastër”. Si në pikturat me motive mitologjike dhe religjioze e sidomos në letërsinë e tij të famshme ka prezencë humori i zi dhe prêt si shpatë kritika e tij për hipokrizinë në lokalitete, në komunitete, në shoqëri.

Janë 38 libra me tregime, nëntë me drama, katër romane etj., që plotësojnë një profil të rrallë të shkrimtarit të letërsisë së re evropiane e, më tej, të prozatorit të vërtetë që të vërtetën e sheh me sy, drejtpërdrejtë, jo me syze. Dhe, puna e tij letrare është e pasur me elemente makabër, të errët që degjenerojnë me vrasje, me tortura e vdekje që kanë ndodhur e ndodhin. Temë kryesore e prodhimtarisë së autorit është edhe koncepti nga drejtësia. Kompleksi policesko-juridik për të, në mekanizmin e vet është indinjues nga paaftësia e treguar që këpusin sensin më autentik të profesionit: të vërtetën njerëzore.

Vetëm tre vjet pas vdekjes së Dyrrenmatit, më 1993, me përkthimin e Nasi Lerës, lexuesi ynë kishte në dorë një libër të vogël në faqe, por margaritar në vlerat artistike, filozofike, jetësore, morale, të ngarkuar me dashurinë për të vërtetën, për jetën, për njeriun. Është fjala pikërisht për romanin “Premtimi”. Është rrëfimi i një shkrimtari me shtysë nga një konferencë mbi artin e romanit policor… Rrëfehet në vetën e parë, njëjës. Ndihet sinqeriteti i rrëfimit, qysh në faqet e para, qysh në fjalitë e para, ato të fillimit. Të dikton për lexim me materialin e ngjeshur, dhënë bukur, pastër siç është, me lakonizëm, me personazhet sa simpatike, aq antipatike. Terminologjia e pasur, ushtrimi për krijim të togfjalëshave përcaktues e shprehjeve të ndritura frazeologjike janë garniture e nevojshme në dorën e mjeshtrit të madh që, në pak faqe na japë lëndë të përmasave shekspiriane. Ky libër na njeh me doke e zakone, me mënyrën e jetesës së banorëve të kantoneve të Zvicrës; njohim komunitete, pëlqejmë njerëz, krijojmë antipati për të tjerët, sipas rastit të mbartjes që ata kanë me virtyte apo vese. Personazhet si Mateu na mësojnë se komunikimi me njerëzit është çelës i suksesit të profesionistit. Tema e romanit është një çështje morali: përdhunimi i një të miture 14-vjeçare me torturë e përfundim i jetës. Personazhe si Mateu më krijojnë imazhin e humanistit, engjëllit mbrojtës të fëmijëve, detaje për një sy të sprovuar të specialistit që më kujton të përndritshmin e paharruar Llazi Plaku, këtu, në këtë Vlorën tonë, që përherë më shfaqet si kanton i Cyrihut, pse jo si Berna, por ngelet Vlorë me kulturën e malit, të fushës dhe të detit, me dritëhije mesdhetare…