Franco Foda flet për mungesën e “senatorëve” për ndeshjet miqësore

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka folur në konferencë për media rreth situatës së disa futbollistëve që nuk janë grumbulluar me ekipin kombëtar për ndeshjet miqësore të ditëve të ardhshme. Ai theksoi se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me lojtarët dhe se mungesat e tyre lidhen kryesisht me lodhjen dhe problemet fizike.
Trajneri gjerman u ndal veçanërisht te situata e Vedat Muriqit, duke bërë të ditur se sulmuesi ka pasur një sezon të gjatë me klubin e tij dhe për momentin ka vendosur të pushojë. Foda shtoi se pas verës ai do të rikthehet sërish në Kombëtare.
Po ashtu, ai foli edhe për Milot Rashicën, Fidan Alitin dhe Florent Hadergjonajn, duke konfirmuar se lojtarët kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar me Kosovën dhe pritet të jenë të gatshëm për grumbullimet e ardhshme.
“Fillimisht, urime Kurban Bajrami të gjithëve. Kam pasur kontakte me Vedat Muriqin. Siç e keni parë edhe ju, ai ka luajtur shumë ndeshje me skuadrën e tij, RCD Mallorca. Ai ka pasur një sezon shumë të gjatë dhe për momentin ka vendosur të pushojë. Pas verës, ai do të rikthehet në Kombëtare”, ka thënë fillimisht Foda në konferencë.
“Po ashtu, kam qenë në kontakt edhe me futbollistët tjerë që nuk janë të grumbulluar këtë herë: Milot Rashica, Fidan Aliti dhe Florent Hadergjonaj. Miloti ka kohë që është i lënduar, ndërsa Aliti është lënduar në ndeshjen e kaluar. Ata e kanë konfirmuar se nuk dëshirojnë të largohen nga ekipi kombëtar dhe në shtator do t’i kemi në dispozicion”, përfundoi gjermani.
Ndryshe, Dardanët do të luajnë më 31 maj ndaj Çekisë në udhëtim, derisa një javë më vonë presin Andorrën në 'Fadil Vokrri'. /Telegrafi/









































