ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Para nisjes së Kupës së Botës 2026, shumë pikëpyetje rrethonin kombëtaren e Francës. Një nga dilemat kryesore ishte mënyra se si Didier Deschamps do të arrinte të krijonte ekuilibrin e duhur mes kaq shumë yjeve ofensivë.

Pyetja tjetër, që shqetësonte më shumë tifozët, lidhej me Kylian Mbappen.


Disa muaj para turneut, rrjetet sociale u mbushën me kritika dhe meme ndaj kapitenit francez, ku disa e etiketonin si një figurë “dominuese” në dhomën e zhveshjes.

Madje, kishte tifozë që pyesnin: “Pse Deschamps vazhdon ta grumbullojë Mbappen, nëse ai është një person toksik që mund të prishë harmoninë e ekipit?”

Por gjatë Kupës së Botës është shfaqur një tjetër realitet. Franca ka treguar një imazh krejt ndryshe: një skuadër të bashkuar, të qetë dhe plot energji pozitive. Ndërkohë, Mbappe është shfaqur pikërisht si lideri që tifozët prisnin të shihnin.

Jeta jashtë fushës, çelësi i harmonisë së Francës

Kombëtarja franceze ka ndarë vazhdimisht momente nga jeta e përditshme në Boston përmes rrjeteve sociale.

Rayan Cherki ka provuar veten si kuzhinier, Michael Olise është parë duke vozitur një karrocë brenda kampit dhe nuk i lejon të tjerët ta marrin timonin, ndërsa videot nga stërvitjet, ku lojtarët shfaqin aftësitë e tyre teknike, kanë fituar zemrat e tifozëve.

Këto janë vetëm disa fragmente të vogla nga përditshmëria e “Les Bleus”, por mjaftojnë për të kuptuar atmosferën pozitive që mbizotëron në ekip.

Hoteli “Four Seasons” në Boston nuk është aq madhështor sa baza ku Franca qëndroi në Katar në vitin 2022 dhe as aq i izoluar sa do të preferonin francezët.

Megjithatë, skuadra e ka kthyer atë në një strehë të qetë, ku rutina e përditshme kombinohet me momente argëtimi.

Bashkimi i Francës nuk është thjesht një perceptim nga jashtë. Brenda ekipit ekziston një ndjenjë e fortë familjare. Lojtarët kalojnë shumë kohë së bashku dhe kjo nuk kufizohet vetëm në grupe të vogla miqsh, por përfshin të gjithë skuadrën.

Një nga vendet më të frekuentuara është “Sottovento Coffee”, ku lojtarët mblidhen çdo ditë për një kafe, një latte apo një kapuçino, duke diskutuar dhe shkëmbyer mendime.

Edhe dhoma e përbashkët e ekipit mbetet një pikë takimi. Në mbrëmje, futbollistët luajnë poker, Uno apo lojëra tavoline, ndërsa këto gara vazhdojnë edhe gjatë udhëtimeve me avion.

“Brenda ekipit të gjithë shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin. Nuk ka sekrete. Pikërisht kjo na bën më të fortë dhe na ndihmon të largojmë presionin gjatë turneve të mëdha. Kemi shumë djem me humor dhe të gjithë kalojnë mirë kur nuk janë në fushë”, ka thënë William Saliba.

Ndërkohë, Mbappe dhe Ousmane Dembele kanë kthyer dhomat e tyre në ambiente si kinema, ku lojtarët mblidhen për të parë ndeshje të Kupës së Botës, filma apo NBA.

Mbappe, lideri që nuk shihet vetëm në fushë

Si kapiten, Mbappe ka marrë përsipër shumë më tepër përgjegjësi sesa thjesht rolin sportiv. Ai kujdeset që rregullat e vendosura nga Deschamps të respektohen, zgjidh problemet e vogla brenda grupit dhe mban trajnerin të informuar për çdo shqetësim.

“Njerëzit e portretizojnë si diktator, por imazhi i Kylianit nuk përputhet aspak me realitetin. Kur ai flet, flet në emër të gjithë ekipit. Ai më përcjell shqetësimet e lojtarëve, edhe kur ato nuk janë domosdoshmërisht mendimet e tij personale”.

“Nëse dëshiron të kujdesesh për të tjerët, duhet të jesh vetë pa probleme. Dhe nëse ka një lojtar pa probleme, ai është Kyliani. Të gjithë e ndjekin”, ka deklaruar Deschamps.

Sigurisht, ekzistojnë edhe miqësi më të afërta brenda grupit. Desire Doue dhe Bradley Barcola kalojnë shumë kohë së bashku, pavarësisht konkurrencës për një vend në formacion.

Cherki dhe Olise kanë krijuar një lidhje të veçantë, ndërsa Mbappe dhe Dembele mbeten pothuajse të pandarë.

Edhe lojtarët që nuk kanë shumë minuta marrin vëmendje të veçantë. Yjet e ekipit përpiqen që askush të mos ndihet i lënë pas dore.

Robin Risser, i grumbulluar për herë të parë me Francën gjatë këtij Botërori, është një nga lojtarët që është përfshirë me kujdes të veçantë në grup.

Në Kupën e Botës 2026, mosha mesatare e Francës është 26.4 vjeç, pothuajse e njëjtë me atë të skuadrës së Katarit (26.5). Megjithatë, diferenca mes brezave është zvogëluar dhe 12 nga 26 lojtarët po luajnë për herë të parë në një Botëror.

“Ky është ndoshta ekipi më i ri në historinë tonë. Diferenca e moshës mes nesh është e vogël dhe kjo na ndihmon ta kuptojmë më mirë njëri-tjetrin”, ka thënë Jules Kounde.

Por sekreti i harmonisë së Francës nuk lidhet vetëm me moshën. Një rol vendimtar ka pasur edhe Didier Deschamps.

Deschamps, arkitekti i kulturës së re të Francës

Nëse kujtohet Botërori i vitit 2018, shumëkush kujton edhe historinë e alarmit të zjarrit në hotel, kur Deschamps u detyrua të dilte nga dhoma me pizhame.

Trajneri francez është i njohur për disiplinën e tij, por njëkohësisht është personi tek i cili lojtarët drejtohen kur kanë probleme.

Para Botërorit 2018, ai vendosi një parim të pashkruar: “Respekto fanellën”.

Ky mesazh nuk lidhet vetëm me futbollin, por me mënyrën se si lojtarët përfaqësojnë Francën jashtë fushës.

Deschamps, 57-vjeçar, është më i madh se shumica e lojtarëve të tij dhe për këtë arsye është dashur të kuptojë një brez të ri futbollistësh.

Ai ka pranuar se ka studiuar interesat e tyre, muzikën që dëgjojnë dhe mënyrën e tyre të komunikimit.

“Duhet të përshtatesh. Ish-lojtarët më thonë se në kohën e tyre gjithçka ishte ndryshe, dhe kanë të drejtë. Rregullat kanë ndryshuar. Duhet të kuptosh brezin e ri”, ka thënë trajneri francez.

Përtej taktikave, Deschamps beson se një turne madhor fitohet edhe në dhomën e zhveshjes.

“Shpirti i ekipit nuk fiton ndeshje, por mund të ndihmojë që t’i mos i humbasësh ato. Forca kolektive është mbi të gjitha”, është një nga thëniet e tij më të njohura.

Për stafin e tij, objektivi kryesor në turne të mëdha është i qartë: “Të mos humbasim asnjë lojtar”.

Kjo nuk ka të bëjë vetëm me dëmtimet, por me gjendjen psikologjike të futbollistëve. Jo të gjithë do të kenë minuta në fushë, por të gjithë duhet të ndihen pjesë e suksesit.

Pikërisht për këtë arsye Deschamps zhvillon biseda individuale me lojtarët, shpjegon vendimet e tij dhe përpiqet të shmangë pakënaqësitë që mund të ndikojnë te grupi.

“Deschamps flet shumë me lojtarët, si me të gjithë ekipin ashtu edhe individualisht. Ai na ka bërë të kuptojmë se kemi nevojë për njëri-tjetrin dhe ka vendosur themelet e kësaj force kolektive”, ka thënë ish-mbrojtësi francez Raphael Varane.

Besimi mbi kontrollin


Një tjetër element i rëndësishëm i filozofisë së Deschamps është besimi.

Ai nuk beson në një sistem të bazuar vetëm në ndalime dhe kontroll ekstrem.

“Nuk rri në rrjete sociale duke kontrolluar se çfarë bëjnë të gjithë. Nuk ua ndaloj telefonat, për sa kohë që kjo nuk dëmton shpirtin e ekipit. Ka rregulla jetese që vlejnë njësoj për të gjithë”, ka deklaruar ai.

Pas fitores së parë në Botëror, Deschamps u dha lojtarëve mundësinë të kalonin kohë me familjet, të dilnin në qytet dhe të hanin jashtë bazës së ekipit. Kushti i vetëm ishte kthimi në hotel gjatë natës.

Ky është ekuilibri që ai kërkon: liri për lojtarët, por pa humbur ndjenjën e përgjegjësisë ndaj grupit.

“Nuk jam babai, vëllai apo shoku i tyre. Jam trajneri, personi që merr vendimet. Mund të bëj shaka me ta, sepse të jetosh mirë së bashku është shumë e rëndësishme. Por ka momente kur duhet të jem serioz”, ka thënë Deschamps.

Në 14 vite në krye të Francës, ai ka krijuar një kulturë ku mbështetja reciproke është bërë normë.

Kur Mbappe u përball me presion politik, Deschamps doli publikisht në mbrojtje të tij. Kur vetë trajneri humbi nënën gjatë një turneu, skuadra u bashkua rreth tij.

Sot Franca nuk duket më si një grup yjesh individualë, por si një skuadër e vërtetë, ku çdo lojtar pranon rolin e tij për një objektiv të përbashkët.

Dhe pas këtij uniteti qëndron një figurë kryesore: Didier Deschamps, trajneri që ka mësuar se për të fituar një Botëror nuk mjaftojnë vetëm talenti dhe taktika, duhet edhe një grup që beson te njëri-tjetri. /Telegrafi/

telegrafi sport app