LAJMI I FUNDIT:

Formimi i Komisionit hetimor për dëbimin turqve në seancën e 17 majit 

Formimi i Komisionit hetimor për dëbimin turqve në seancën e 17 majit 

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që seancat e radhës të mbahen më 17 maj, 23 dhe 24 maj.

Në seancën e 17 majit në rend dite do të jetë Projektligji për Prishtinën si dhe formimi i Komisionit hetimor për rastin e deportimit të gjashtë turqve.


Në këtë seancë po ashtu do të diskutohet edhe për heqjen e roaming-ut ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë , ndërsa po ashtu temë do të jetë çështja e largimit të pikave doganore Kosovë-Shqipëri.

Ndërkaq, më 23 maj do të jetë vazhdimi i seancës me pikat e mbetura nga seancat e kaluara, e që pritet të jenë edhe interpelancat ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj.

Interpelanca e parë do të jetë sipas kërkesës së LDK-së, në lidhje me vendimin e Qeverisë për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej një milion euro për KOSTT-in për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave në veri të Kosovës.

Haradinaj në interpelancë do të jetë edhe në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes komerciale ndërmjet kompanisë “Contour Global” dhe Qeverisë së Kosovës për projektin e Termocentralit “Kosova e Re”. Kryeministri do të jetë para deputetëve edhe në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Foto: Arkiv