Në bazë të rezultateve preliminare të zgjedhjeve, sipas Evropës së Lirë, PDK-ja dhe mandatari i saj për kryeministër, Hashim Thaçi, fillimisht do të marrin nismën për formimin e një koalicioni të ri qeverisës. Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, thotë se prioritetet e tij dhe të qeverisë së ardhshme, nëse do të ishte në krye të saj, do të jenë vazhdimi i reformave demokratike dhe agjenda evropiane e Kosovës.

Ndryshe nga Thaçi, i cili beson në ndërtimin e institucioneve të reja mbi bazën dhe rezultatin e zgjedhjeve të 12 dhjetorit, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, beson se vendi duhet të krijojë një qeveri të përkohshme dhe të organizojë zgjedhje të reja. Mustafa thotë se zgjedhjet e fundit ishin të manipuluara dhe se ato nuk prodhojnë legjitimitet për formimin e një qeverie të re.


Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se gjatë vitit 2011 Kosova duhet të fillojë të përballet me probleme të shumta, të cilat nuk janë zgjidhur asnjëherë, por vetëm se janë bartur nga një vit në tjetrin. Sipas Kurtit, një trend i tillë rrezikon që Kosova të shihet si një shtet i dështuar.

Në bazë të Kushtetutës, presidenti në detyrë është ai i cili do të iniciojë formimin e qeverisë, duke i dhënë rastin fillimisht partisë fituese të zgjedhjeve.

Presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, thotë se formimi i institucioneve të reja do të jetë prioriteti numër një i punës së tij gjatë vitit 2011.

Përderisa Kosova të mos i ketë të formuara institucionet e reja, prioritetet tjera, si: zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, veriu i Kosovës dhe çështjet që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave e integrimet evropiane, mbase do të presin përgjigjen që do t’iu japë qeveria e re.

Aktualisht ka disa opsione, por tri konsiderohen si më reale - fillimisht formimi i një qeverie që del si rezultat i zgjedhjeve, opsion i dytë është qeveria teknike, ndërsa si opsion i tretë ndërtimi i një qeverie mbi bazat e një koalicioni të gjerë.