LAJMI I FUNDIT:

Fondi i shpëlarjes së parave…

Fondi i shpëlarjes së parave…

Dy qeveritë shqiptare takohen më 11 janar në Prizren. Pjesë e këtyre bisedimeve do të jetë akordimi i një Fondi për Luginën e Preshevës. Kjo iniciativë është e qëlluar dhe për tu përshëndetur, por përcaktimi i destinacionit të parakohshëm të këtij Fondi, nuk është i arsyeshëm dhe parimor.

Pushtetet lokale në rajonin e Luginës së Preshevës, janë pjesë të buxhetit republikan të Serbisë. Ato subvencionohen nga shteti edhe për projektet kapitale, siç është infrastruktura, ngritja e objekteve shkollore, spitalore… që janë obligim i shtetit për të cilat qytetarët paguajnë taksa dhe mbushin arkën shtetërore.


Fondi zhvillimor për Luginën e Preshevës nuk duhet të orientohet për projekte të tilla, të cilat janë në kompetencë të komunave dhe Qeverisë së Serbisë.

Materniteti në Preshevë, i cili po proklamohet se do të jetë pjesë e këtij Fondi, ka filluar dhe është në fazën përfundimtare nga paratë e siguruara nga Trupi Koordinues i Beogradit, nga Komuna e Preshevës dhe nga organizatat ndërkombëtare. Prandaj, çdo përpjekje që këto mjete të Fondit të derdhen për këtë projekt, apo për ndërtimin e ndonjë shkolle, janë të pakuptimta dhe manipuluese në emër të shpëlarjes së parave.

Lugina e Preshevës ka nevojë për një Fond zhvillimor, ku do të hapeshin vende të reja pune, të zbutet varfëria ekonomike dhe të nxiten veprimtaritë me interes shoqëror e kombëtar. Para së gjithash, autoritete shqiptare duhet të formojnë një bord menaxhues me këtë Fond, nga i cili do të shpalleshin konkurse për projekte, te të cilat përparësi duhej t’ju jepeshin shoqërisë civile e jo institucioneve dhe Këshillit Nacional që administrohen nga Beogradi. Vetëm në këtë mënyrë ky Fond do të jetë i përqafuar nga shqiptarët e Luginës së Preshevës, përndryshe krijimi i tij do të sjell më shumë sherr se sa dobi.