Një ish e dashur e pilotit të Germanwings, që përplasi avionin në Alpet Franceze, duke e mbytur veten dhe 149 të tjerë, e ka përshkruar atë si “torturues” dhe të aftë për t’i fshehur sekretet.

Maria, 26 vjeçare (ky nuk është emri i saj i vërtetë), ka deklaruar për gazetën gjermane Bild se kur ka dëgjuar për rrëzimin e avionit, ka rikujtuar se se ai, para një viti, i kishte thënë se do të bënte diçka që do ta “ndërronte sistemin” dhe “do ta kujtonin të gjithë”, transmeton Politiko.net.


“Atëherë, nuk e kam kuptuar. Por, tani mendoj se po”, ka thënë ajo.

Maria ka pohuar t’i ketë dhënë fund lidhjes së saj me pilotin për shkak të sjelljeve të tij të çoroditura – të cilat e kishin bërë të ndjehej e frikësuar.

“Ai zgjohej natën dhe bërtiste: ‘Po bimë poshtë’, sepse kishte makthe”.

Deklarimet e saj vijnë pas atyre të Prokurorit të Dusseldorfit se Lubitz nuk ishte në gjendje për ta fluturuar avionin, ose nuk ishte mirë, në ditën kur u shkaktua tragjedia, por që këtë e kishte fshehur.

“Ai ka ditur t’i fshihte gjërat”, ka thënë ish e dashura e tij.

“Kur kam dëgjuar për rrëzimin e avionit, m’u soll ‘pllaka’ në kokë se çfarë më pat folur: ‘Një ditë, do të bëj diçka që do ta ndërrojë sistemin dhe pastaj çdokush do ta mësojë dhe kujtojë emrin tim’”.

“Nuk e kam ditur se çfarë nënkuptonte kjo gjë atëherë, por tash më duket e qartë”.

Derisa hetimet po vazhdojnë për motivet që çuan Lubitz drejt vrasjes masive, është bërë e ditur se së fundi ai ishte ndarë nga e dashura dhe kishte provuar me gjithë shpirt ta rikthente atë, duke ia blerë madje edhe një veturë Audi, vetëm pak javë më parë. Por, ajo nuk kishte pranuar, as atë dhe as veturën.