LAJMI I FUNDIT:

Flamurtari triumfon në derbin kryeqytetas ndaj Prishtinës

Flamurtari triumfon në derbin kryeqytetas ndaj Prishtinës

Flamurtari ka arritur të triumfojë në derbin e kryeqytetit. Kuqezinjtë edhe pse me 10 futbollistë në fushë për më shumë se 70 minuta arritën një fitore të merituar me rezultat 2-0.

Prishtina e nisi më mirë takimin kur vetëm pas shtatë minutash lojë rrezikoi me Gauthier Makendën, por që goditja e tij shkoi mbi portë.


Flamurtari u kundërpërgjigj me Alban Shillovën që goditi nga distanca, por Bekaj ishte në vend.

Në minutën e 22-të të ndeshjes Flamurtari mbeti me 10 futbollistë në fushë, pasi u ndëshkua me karton të kuq Ben Quansah pasi që paraprakisht kishte penguar afër zonës sulmuesin e Basid Khalid.

Prishtina që kishte epërsinë numerike filloi të sulmoi dhe pati dy raste të mira me Mario Morinën dhe Basit Khalid, por që intervenoi për mrekulli Flamur Neziri i vendasve.

Flamurtari me 10 futbollistë arriti të shënonte golin e epërsisë në minutën e 31-të kur realizoi Alban Shillova me një goditje të bukur brenda zonës.

Edhe pas golit të pranuar, Prishtina vazhdoi me gjitha forcat duke sulmuar portën e vendasve.

Jamal Aarago, Leotrim Bekteshi dhe Gauthier Makenda kishin raste të mira për bardh e kaltërtit por pa arritur cakun.

Kur skuadrat po përgatiteshin të shkonin në pushim mes pjesëve, Flamurtari befasoi edhe njëherë rivalin lokal duke shënuar nëpërmjet Egzon Krasniqit për 2-0.

Tifozët e pranishëm në stadium pritnin një Prishtinë më të fortë në pjesën e dytë por kështu nuk ndodhi.

Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa pati raste të mira shënimi me Gauthier Makendën, Basit Khalid e Alan Jasharoski por pa arritur golin.

Kësisoj Prishtina pas kësaj disfate humb pozitën e parë në tabelë në Ipko Superligën e Kosovës dhe tani ndodhet e dyta me dy pikë më pak se lideri Feronikeli.

Në anën tjetër Flamurtari pas këtyre tri pikëve ngritët në pozitën e gjashtë në tabelë me 25 pikë të grumbulluara.

Prishtina në javën e ardhshme luan përsëri në Fadil Vokrri, ku kësaj radhe në cilësinë e vendasit pret Lirinë.

Ndërkohë Flamurtarin e pret një udhëtim i vështirë në javën e 19-të pasi luan në udhëtim te Gjilani. /Telegrafi/