LAJMI I FUNDIT:

Finalet më të mëdha Evropiane

Finalet më të mëdha Evropiane

Fishekzjarre, emocione dhe spektakël i vërtetë, priten në ndeshjen e sotme më interesante të sezonit, në finalen e Ligës së Kampionëve mes dy ekipeve më të mira angleze, Chelseat dhe Manchester United, që kësaj here do të takohen në Moskë afro 2 500 kilometra larg vendit të tyre. Me Premierligën tashmë të fituar nga djajtë e kuq, por me sfidën e fundit mes tyre të fituar nga blutë, mbetet të shihet ku do të përfundojë trofeu më i çmueshëm evropian në futboll. Për të rikujtuar këtë garë të madhe dhe për t’ua ngjallë emocionet para finales së radhës, do t’ju sjellim disa prej ndeshjeve më interesante në finalet e Ligës së Kampionëe, që kur kjo garë ka filluar në vitin 1956. The Sun ka bërë një përzgjedhje të 10 finaleve më emocionuese, ndërsa ju mund të na thoni se cila është favoritja e juaja, përfshirë edhe këtë të sotmen (pasi të mbarojë ajo).

10. Liverpool – Borussia Monchengladbach 3 – 1 (viti 1977)

Liverpooli e siguroi titullin e parë në Kupën Evropiane me një fitore të shkëlqyeshme në Romë. Kevin Keegan ishte ylli i këtij shou kundër ekipit gjerman. Tifozët e të kuqve mbetën me duar në gojë pasi që Allan Simonsen neutralizoi golin e parë të Terry McDermott, por dy gola të pjesës së dytë të shënuar nga Tommy Smith dhe Phil Neal arritën të sjellin trofeun.

9. Milan – Steaua Bucharest 4 – 0 (viti 1989)


Treshja tmerruese Marco van Basten, Ruud Gullit dhe Frank Rijkaard, qëndroi prapa triumfit të tretë të Milanit në Kupën Evropiane. Yjet holandeze ishin thjesht tepër të mirë për kundërshtarët e tyre nga Rumania, në finalen e luajtur në Barcelonë, derisa Van Basten dhe Gullit, që të dy shënuan nga dy gola. Milani i shënoi të gjithë golat pas vetëm 46 minutash lojë në këtë mbrëmje fantastike në Camp Nou.

8. Celtic – Inter 2 – 1 (viti 1967)

Yjet e Celtic bënë të papriturën në finalen e luajtur në kryeqytetin portugez Lisbonë. Interi ishte favorit kryesor për të fituar këtë finale dhe në mënyrë aspak të befasishme kaloi në epërsi përmes të shkëlqyeshmit Sandro Mazzola. Por, ekipi skocez u përgjigj për të shënuar fitoren e paharrueshme, falë golave të Tommy Gemmell dhe Stevie Chalmers.

7. Real Madrid – Reims 4 – 3 (viti 1956)

Në finalen e parë në historinë e garës evropiane, Reali i pandalshëm siguroi titullin e parë nga pesë titujt e parë të kësaj gare të fituar radhazi. Ekipi francez Reims ishte dy gola në avantazh në dhjetë minutat e para në Paris, por Madrid u përgjigj përmes Alfredo di Stefano. Sulmuesi Hector Rial shënoi dy gola për ekipin spanjoll, për t’i dhënë fillimin e një epoke të re të Realit.

6. Manchester United – Benfica 4 – 1 (viti 1968)

Një dekadë pas fatkeqësisë së Munichut (kur vdiqën 23 tifozë të Manchesterit për shkak të përplasjes së aeroplanit), menaxheri Matt Busby, udhëhoqi Unitedin drejt triumfit të parë në Evropë. Benfica barazoi dhe çoi ndeshjen në lojë shtesë pasi që Bobby Charlton kishte çuar djajtë e kuq në avantazh, në ndeshjen në Wembley. Por, djelmoshat e Busbyt, ndezën me vonesë makinat, për të sjellë një fitore të mrekullueshme me golat e George Best, Brian Kidd dhe Charlton.

5. Benfica – Real Madrid 5 – 3 (viti 1962)

Real ishte favorit i frikshëm kur ishte pjesëmarrës edhe në një finale të mbushur me gola, atë Amsterdamit. Spanjollët dukej se do të ngrinin sërish trofeun e kësaj gare, kur Alfredo di Stefano, i cili më pastaj kompletoi hat-trick i çoi ata në dy gola avantazh. Por Benfica u përgjigj për të barazuar, para se një dyshe e golave nga 20-vjeçari Eusebio, t’i sjellë triumfin ekipit portugez.

4. Milan – Barcelona 4-0 (viti 1994)

Milani i fuqishëm nisi këtë lojë mjaft i uritur, duke pasur dy mungesa në formacionin bazë. Edhe pse pa të suspenduarit Franco Baresi dhe Alessandro Costacurta, italianët ishin sërish të aftë të anulojnë kërcënimin e dyshes së Barcelonës, Romario dhe Hristo Stoichkov, duke ngritur trofeun në Athinë.

3. Manchester United – Bayern Munich 2-1 (viti 1999)

Kjo finale në Barcelonë, ndoshta kurrë nuk do të mbahej mend për 90 minutat e saj, pasi që Bayern dukej se do ta ruante avantazhin e hershëm. Por ndeshja ndryshoi brenda tre minutash, pasi që Teddy Sheringham barazoi papritmas. Tifozët ishin në momente ëndërruese kur edhe një zëvendësues tjetër, Ole Gunnar Solskjaer, solli golin e fitores.

2. Real Madrid – Eintracht Frankfurt 7-3 (viti 1960)

Frankfurt kaloi në epërsi gjatë kësaj nate të paharrueshme në Glasgow, por Real u përgjigj me një stil shkatërrues me shtatë gola brenda 46 minutash. Yjet e shout ishin dyshja sulmuese legjendare Ferenc Puskas, i cili shënoi katër gola, dhe Alfredo di Stefano, i cili po ashtu shënoi hat-trick në këtë triumf të pestë për gjigantin spanjoll.

1. Liverpool – Milan 3-3 (2005)

Liverpool dukej i vdekur si dhe i varrosur në pjesën e parë, pas disavantazhit prej 3-0 të ekipit italian. Por kapiteni Steven Gerrard tregoi një paraqitje madhështore, për të ndezur lojtarët e tij dhe ata në mënyrë të pashpjegueshme gjetën mënyrën për t’u rikthyer në lojë dhe për të barazuar rezultatin. Ekipi i tronditur i Milanit dështoi më pastaj në penalti dhe trofeu i takoi ekipit Anglez, megjithëse se vitin e kaluar rosonerët u hakmorën për këtë trofe të rrëshqitur nga dora. /Telegrafi/The Sun/