LAJMI I FUNDIT:

Filmi për njoftimin saudit

Filmi për njoftimin saudit

“Baraku njoftohet me Barakën” (Barakah Meets Barakah) është film (komedi) i xhiruar më 2016 e që flet për jetën në Arabinë Saudite. Tregimi shpaloset në procesin e njoftimit të dy të rinjve që kanë emra të njëjtë.

Në rolin e Barakut paraqitet Hisham Fagih, kurse në atë të Barakës, Fatima Al-Banawi. Hishami ka studuuar dramën në Universitetin e Kolumbias kurse Fatima ka studiuar në Harvard për teologjinë dhe pozitën e gruas në islam. Arsimimi i tyre është me rëndësi dhe kjo i bënë këta dy të rinj të jenë aktorë të shkëlqyeshëm, gjë që shihet edhe në këtë film. Prandaj, filmi ka marrë kritika të larta dhe shpërblime të shumta ndërkombëtare.

Filmi është kritikë që i drejtohet shoqërisë konservatore religjioze saudite. Kritika shpaloset në procesin e njohjes dhe rënies në dashuri të këtyre dy të rinjve në një vend ku takimi publik i gjinive të kundërta nuk është i lejuar. Si shtesë, Baraka është nga gratë që refuzon të mbulohet në stilin tradicional saudit. Ajo është fotomodele dhe e pasur. Ka profil në Instagram me miliona ndjekës dhe privatisht bënë jetë të stilit perëndimor. Këtë aspiron që ta bëjë edhe publikisht. Por, në mediat sociale, për shkak të situatës, ajo në reklamat e saja nuk e publikon fytyrën e plotë. Kjo është arsyeja që në publik Baraka e pambuluar dhe Baraku i veshur në stilin perëndimor ruhen që të mos kapen nga policia religjioze.

Baraku është shërbyes civil, gjegjësisht inspektor komunal për mbikëqyrjen e rregullave të bizneseve dhe është i sinqertë deri në naivitet. Në kohën e lirë është aktor dhe luan rolin e Ofeliës (te “Hamleti”) për shkak se teatri nuk ka aktore. Baraku është nga shtresa e mesme, por jeton në një pjesë të Xhedës që është e varfër – nëse kjo gjë ekziston në Arabinë Saudite, shtetin më të pasur në botë.

Nëpërmes kujtimeve të Barakut, shohim se si dikur shoqëria saudite ka qenë liberale dhe tashti ka rrëshqitur në konservatorizëm religjioz sa që edhe takimet në vendet publike me gjininë e kundërt janë vështirësuar. Kontradiktat saudite mes gjinive, shtresave shoqërore, varfërisë dhe pasurisë, të kaluarës dhe të tashmes, humorit dhe seriozes, religjiozitetit dhe laicitetit, nuk ka se si të paraqiten më mirë se në këtë film. E tërë kritika është tejet e fuqishme dhe bëhet në mënyrë të qetë e duke e përdorur mençurinë dhe humorin tradicional arab.

Ngjarjet zhvillohen ngadalë dhe paralajmërohet ndryshimi i shoqërisë në të ardhmen. Ky është njoftim edhe për shikuesit e filmit për jetën në këtë vend.  Prandaj, ky film, në të gjitha aspektet (regji, skenografi, aktrim) nuk ka se si të përshkruhet ndryshe pos si i shkëlqyeshëm. /Telegrafi/