Debutimi si 16-vjeçar dhe ndeshjet që lanë gjurmë – Visar Zogiani mysafir në “Arena e Yjeve”

Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, i ftuar ishte ish-futbollisti i njohur kosovar Visar Zogiani, i cili foli për rrugëtimin e tij në futboll, momentet më të veçanta të karrierës dhe opinionet e tij rreth futbollit vendor dhe atij evropian. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorit zyrtar Exfis.
Gjatë bisedës, Zogiani kujtoi debutimin e tij në futbollin profesionist si vetëm 16-vjeçar, në kohën kur trajner i ekipit ishte Eroll Salihu. Ai tregoi edhe për periudhën e gjatë te KEK-u, ku kaloi plot shtatë vite, duke e cilësuar atë si një nga etapat më të rëndësishme në formimin e tij si futbollist.
Po ashtu, ish-futbollisti kosovar foli edhe për ndeshjen e paharrueshme ndaj PSG-së, duke shprehur keqardhjen që nuk pati mundësinë të luante në atë takim ndaj gjigantit francez. Ai kujtoi edhe një moment interesant me presidentin e klubit parisien, Nasser Al Khelaifi, duke e cilësuar si një përvojë të veçantë në karrierën e tij.
Në pjesën tjetër të diskutimit, Zogiani u ndal te përballja mes Prishtinës dhe Sivassporit, të cilën e konsideroi si shumë të rëndësishme për futbollin kosovar në atë periudhë. Ai kujtoi atmosferën e asaj ndeshjeje, si dhe praninë e legjendës braziliane Roberto Carlos në krye të klubit turk, duke e përshkruar si një eksperiencë të madhe për futbollin vendor.

Zogiani komentoi edhe futbollin aktual në Kosovë, ku dha parashikimin e tij për finalen e Kupës së Kosovës mes Dukagjinit dhe Ferizajt, duke analizuar formën e ekipeve dhe shanset që secila skuadër ka për ta fituar trofeun.
Ndërkohë, ai foli edhe për finalen e Ligës së Kampionëve mes PSG-së dhe Arsenalit, duke dhënë mendimin e tij për favoritin dhe mënyrën se si e sheh përballjen mes dy gjigantëve evropianë.
Episodin e plotë me Visar Zogianin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com

















































