LAJMI I FUNDIT:

Fillon zbatimi i projektit për lajmërimet në shtëpi për pensionistë në të gjitha komunat

Fillon zbatimi i projektit për lajmërimet në shtëpi për pensionistë në të gjitha komunat

Ministria e Financave ka njoftuar të shtunën se ka filluar me angazhimin ekipeve mobile me qëllim të lajmërimit të pensionistëve në të gjitha komunat e Kosovës.

Nga ky shërbim thuhet se do të përfitojnë pensionistët që janë në dhe mbi moshën 80 vjeçare, dhe ata që për shkaqe shëndetësore nuk mund të paraqiten fizikisht për vazhdimin e pagesës së pensionit, pa marrë parasysh moshën.


Miratohet Projektligji i ri për Pensione, përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë të larguar dhunshëm nga puna në vitet 90-ta
Lexo po ashtu Miratohet Projektligji i ri për Pensione, përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë të larguar dhunshëm nga puna në vitet 90-ta

“Ky shërbim ka filluar të zbatohet fillimisht në regjionin e Prishtinë (Komuna e Prishtinës, Fushë Kosovës, Drenasit, Lipjanit, Podujevës, Obiliqit dhe Graqanicës), si pilot-projekt, nga muaji shkurt i këtij viti, duke qenë i kufizuar me moshën 85+. Ndërsa tani zgjerohet edhe në të gjitha komunat, si dhe përfshihen të gjithë pensionistët 80+ dhe secili pensionist që për shkaqe shëndetësore nuk mund paraqitet fizikisht”, thuhet në komunikatën për media të ministrisë.

Paraqitja e kërkesës për këtë shërbim bëhet në adresat elektronike si në vijim:

Për regjionin e Prishtinës – pensionet.pr@rks-gov.net;

Për regjionin e Mitrovicës – pensionet.mi@rks-gov.net;

Për regjionin e Prizrenit – pensionet.pz@rks-gov.net;

Për regjionin e Pejës – pensionet.pj@rks-gov.net;

Për regjionin e Gjilanit – pensionet.gji@rks-gov.net;

Për regjionin e Ferizajt – pensionet.fe@rks-gov.net; dhe

Për regjionin e Gjakovës – pensionet.gjk@rks-gov.net

“Kërkesa mund të paraqitet individualisht nga pensionisti apo nga çdo preson tjetër që e paraqet në emër të pensionistit. Kërkesa duhet të paraqitet së paku 7 (shtatë) ditë para datës kur pensionisti duhet të lajmërohet fizikisht, pranë zyrave të Departamentit të Pensioneve”, bëhet e ditur tutje në njoftim.

Kërkesat e tilla janë vlefshme vetëm nëse konfirmohet pranimi i shkresë elektronike kthyese, përndryshe kërkesa duhet të përsëritet.

Në kërkesë pensionistit duhet të paraqesin të dhënat si në vijim:

  1. a) emri dhe mbiemri i pensionistit;
  2. b) numri personal i pensionistit;
  3. c) numri i telefonit të pensionistit (nëse ka – preferohet numër i mobilit);
  4. d) numri i telefonit të një personi të afërt të pensionistit; dhe
  5. e) adresa e banimit të pensionistit dhe përshkrimi shtesë lidhur me adresën.

Pensionistit do t’i konfirmohet që kërkesa është pranuar, dhe pas verifikimit të të dhënave sipas kritereve të përcaktuara më lartë, do të njoftohet për realizimin e vizitës përafërsisht 24 orë më herët, përfshirë këtu edhe ditët e vikendit.

Pensionistët të cilëve nuk ju aprovohet kërkesa për shkak të mos plotësimit të kritereve, duhet të vazhdojnë të paraqiten për lajmërim tek zyrat e pensioneve.

“Andaj, ftojmë pensionistët që i plotësojnë kushtet për këtë shërbim dhe të afërmit e tyre të shfrytëzojnë këtë shërbim”, kanë thënë nga ministria. /Telegrafi/