LAJMI I FUNDIT:

Miratohet Projektligji i ri për Pensione, përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë të larguar dhunshëm nga puna në vitet 90-ta

Miratohet Projektligji i ri për Pensione, përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë të larguar dhunshëm nga puna në vitet 90-ta
Foto: Arkiv

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, ka miratuar Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale, e që pritet të përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë që ishin larguar dhunshëm nga puna në vitet 1990.

Kryeministri Albin Kurti tha se më këtë Projektligj do të eliminohet padrejtësia dhe do të sigurohet trajtimi i barabartë për të gjithë pensionistët.


“Përmes Projektligjit do të adresojmë çështjen e pabarazisë disavjeçare, të mosnjohjeje të së drejtës pensionale në skemën e pensionit kontributpagues, të një numri të madh të pensionistëve të cilët nuk përmbushin kriterin prej 15 vitesh kontribut në sistemin pensional”, tha Kurti, shkruan Telegrafi.

Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran Murati theksoi se me miratimin e këtij Projektligji do të përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë.

“Ka pasur një diskriminim në aspektin që është mbajtur pragu si kusht për 15 vite pune, mirëpo nuk janë marr parasysh rrethanat e largimit të dhunshëm nga puna nga viti 1989 deri në hyrjen në fuqi të masave të dhunshme”, theksoi Murati.

“Me miratimin e këtij Projektligji po eliminohet ky diskriminim, pra hiqet diskriminimi i prerjes duke ua mundësuar që t’ia llogarisim si periudhë pune. Periudhën për 15 vite pune kemi vazhduar ta ruajmë”, shtoi ai.

Ai pohoi se ndikimi i kësaj skeme në 50 vitet ardhshme parashihet të jetë rreth 1.3 miliard euro.

“Nga ky plotësim, teorikisht parashihet që të përfitojnë rreth 104 mijë persona që do të plotësonin kushtin, megjithatë duhet të llogarisim se disa prej tyre kanë ndërruar jetë. Andaj, vlerësimet tona janë, duke u bazuar në skemën e pensionit bazik duhet të janë rreth 70 mijë persona”, pohoi ai.

“Si ndikim buxhetor, për një vit të plotë parashihet që të janë rreth 60 milionë euro. Ndikimi i kësaj skeme në 50 vitet ardhshme parashihet të jetë rreth 1.3 miliard euro”, përfundoi Murati.

Ndryshime sa i përket kushtit prej 15 vjetësh stazh janë kërkuar që një kohë të gjatë nga sindikatat e punëtorëve.

Pensionet në Kosovë sillen nga 100 deri në 265 euro. /Telegrafi/