LAJMI I FUNDIT:

Fillon procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik

Fillon procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik

Bazuar në Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave nga sot ka filluar procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, ku të gjithë zyrtarët e lartë publik janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre në Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë do t’i nënshtrohen rreth 4,737 zyrtarë të lartë publik.


Në njoftimin e dërguar në Institucionet publike, Agjencia Kundër Korrupsion ri-kujton të gjitha subjektet deklaruese se mos-deklarimi i rregullt i pasurisë nga zyrtarët publik, konform obligimeve ligjore, detyron Agjencinë Kundër Korrupsionit që të paraqesë kallëzim penal në pajtim me nenin 430 të Kodit Penal.

Në lidhje me deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë, Agjencia Kundër Korrupsionit ka dërguar të gjitha informatat në institucionet publike dhe ka kërkuar që formularin e deklarimit të pasurisë ta plotësojnë me të dhënat e kërkuara në pajtim me udhëzuesin e pranuar nga AKK.

Agjencinë kundër Korrupsionit pranon vetëm formularët e kompletuar.

Deklarimi i rregullt vjetor i pasurisë mund të bëhet nëpërmjet paraqitjes fizike në zyrën e AKK-së ose nëpërmjet email-adresës akk.deklarimi@rks-gov.net. Formularët e deklarimit të pasurisë të dërguar nëpërmjet e-mailit, duhet të jenë të nënshkruar dhe skanuar nga ana e subjekteve deklarues.

Me qëllim të theksimit të rëndësisë të raportimit të saktë dhe në kohë të pasurisë, subjekteve deklaruese informohen që lidhje me veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare sipas nenit 430 të Kodit Penal të Kosovës Kodi Nr. 06/L-074” në vitin 2021, Agjencia ka ushtruar rreth 140 kallëzime penale, ndërsa vetëm në muajin shkurt 2022 janë dorëzuar edhe 43 raste në Prokurorinë e Shtetit. Në listën e kallëzimeve penale përfshihen zyrtarë të lartë nga niveli i ministrit, sekretarë të përgjithshëm, prokuror, gjyqtar e deri te anëtarët e kuvendeve komunale. /Telegrafi/