LAJMI I FUNDIT:

Fëmijët e luftës: Vizatimet e vitit 1999

Fëmijët e luftës: Vizatimet e vitit 1999

Një shtëpi e verdhë e përpirë nga flakët ka zënë një fletë A4. Gjuhëzat e kuqe të zjarrit dhe shtëllungat e zeza duket se i kalojnë qoshet e fletës. Tri shtëpi të tjera janë shkrumbuar. Pemët nuk janë më jeshile dhe nuk në degët e tyre nuk sheh më asnjë gjethe. I ngjajnë një dimri të ftohtë trupat e tharë. Çatitë e kullave kanë rënë dhe në vend të tyre shihet e zeza e boshit. Oborri i madh ka bar të djegur. Kanë lënë pas ëndrrat e thyera e janë nisur me rrobat e trupit pa e ditur se ku po shkojnë. Kanë ikur nga sytë këmbët vetëm për të ikur.

Kosovë, 1999. Këto janë veçse dy prej vizatimeve të fëmijëve të luftës. Janë fëmijët që e i lanë shtëpitë në mesnatë, sepse fshati përpihej nga flakët dhe krismat dëgjoheshin nga çdo anë. I zgjuan dhe i nxorën prej krevateve të ngrohta, e rrugës nga iknin prej aty, shihnin tmerret e luftës.

Flakë e zjarr, armë e krisma. Shkretimi i shtëpive linte pas jehonën e të qarave. Vizatojnë fytyra të përlotura, që të shohin në sy. Vizatojnë dhimbjen që njohën në moshë të njomë. Vizatojnë të vetmen botë që mbajnë mend, sepse e gjithë ç’dinin para saj është fshirë, siç fshin një dhembje e madhe çdo gëzim të vogël. Kamionë të mbushur me njerëz ecnin rrugëve si të çmendur.

Të gjithë iknin, rrekeshin t’i iknin vdekjes. Kërkon vetëm pak centimetra vend në makinat që niseshin rrugëve të zbrazëta. Ekzistonte frika e patrullave, ekzistonte dhe frika e kurtheve. Fëmijët nuk mund të luanin më, ata u bënë “ushtarë” të një loje më të madhe, duhej t’i shpëtonin vdekjes.

Siç shihet nga vizatimet, gjurmët e traumës psikologjike shprehen qartazi në shumë nga punimet e para të vogëlushëve, traumë, e cila gradualisht u arrit të mposhtej duke u zëvendësuar me vizatime gjithmonë e më optimiste, me ëndrrën për një të ardhme në paqe dhe për një rikthim sa më të shpejtë shtëpitë e tyre në Kosovë.

Pas vizatimeve të maktheve që kishin parë, fëmijët nisën të vizatonin shtëpitë e tyre të reja, fusha me lule, një urë kryelartë pas të cilës naltohej një shtëpi e re dhe deti, deti me valë të paqta që i dorëzohej pushtetit të diellit.

20 vite më pas, një ekspozitë në Qendrën për Hapje e Dialog sjell përvojat e fëmijëve.

Nga gjithsej 11.840 të vrarë shqiptarë në Kosovë gjatë luftës së fundit që ka përfshirë periudhën mars 1998 qershor 1999 në mesin e tyre llogariten të vrarë 1,392 fëmijë apo 11 për qind nga viktimat totale. Edhe me i dhimbshëm rezulton fakti se në mesin e 1,392 fëmijëve të vrarë 296 prej tyre kanë qenë nën moshën 5 vjeç. /GSH/